Vazhdojnë protestat kundër grushtit të shtetit , barrikada ndaj policisë
Mërzia popullore nuk po sos në Mianmar, edhe pas më shumë se një muaji nga grushti i shtetit.
E marta qe ditë e zakonshme protestash kundër komandës ushtarake që ka marrë pushtetin, por të veçantën e krijoi një murgeshë katolike.
Teksa grupe të rinjsh i shpëtonin mësymjes së ushtarëve, 45-vjeçarja An Roz Nu Tang, u ul në gjunjë duke iu lutur të mos i qëllonin.
“Më thanë të mos qëndroj këtu. Unë u përgjunja, bashkë me ta, dhe u thashë se nuk iki pa ikur ata të parët. Më thanë se do e vijojnë aksionin e tyre.”
Ushtria birmane ka vrarë mbi 60 persona në javët e fundit, dhe u ka bërë thirrje qytetarëve të mos kërkojnë më kot largimin e ekzekutivit të ri.
Gjatë ditës banorët e qytetit kryesor të Jangonit ngritën sërish barrikada të reja në rrugë, pak orë pasi policia kishte ndërhyrë për t’i rrëzuar.
“Kemi 22 ditë jashtë dhe do e vazhdojmë luftën për heronjtë e rënë, deri kur të fitojmë. Siç dihet, njëri grup ka armë dhe tjetri ka vetëm të rinj. Kemi vetëm mburoja, protestojmë paqësisht dhe kur provojnë të na shpërndajnë, nuk u përgjigjemi dot me dhunë.”– thotë nja protestuesit.
Të hënën, qeveria ushtarake refuzoi licensat për 5 televizione të cilat mbulonin protestat.
Një ditë më parë, OKB-ja i kërkoi ushtrisë të lirojë dhjetëra gra e të rinj të rrethuara nga të gjitha anët apo të arrestuar nga forcat e rendit.