Vdes studentja shqiptaro-greke, gabimi mjekësor i mori jetën në spital
Humb jetën nga një gabim mjekësor 22 vjeçarja Aleksandra Bistolaki. E lindur në Korinth, Greqi, studentja shqiptaro-greke ka kryer në 22 maj një ndërhyrje rutinë, për heqjen e një çisti që i shkaktonte çrregullim hormonal.
Menjëherë pas ndërhyrjes në klinikën private të një mjeku me njohje të fuqishme e klinikë të madhe në qendër të Korinthit, por sipas dëshmive, me historik të vështirë në gafa të tilla, studentja ankohej se nuk ndjehej mirë. E ëma, Anila Mertika, emigrante nga Saranda, sëbashku me të atin, vendas, e transferuan në spitalin e madh të Athinës, Georgios Genimatas. Pak orë pas ndërhyrjes Aleksandra Bistolaki bie në koma.
Megjithëse pritet raportimi i mjekut ligjor, dëshmitë e para bëjnë fjalë për mbidozë të anestezisë.
Tepër emocionues ishte reagimi në gjithë Greqinë, nga zona e Korinthit ku studentja kaloi vitet e fëmijërisë, në Preveza ku studionte për Financë e Kontabilitet, madje dhe jashtë Greqisë, pasi thirrjes së spitalit i’u përgjigjën me mijra persona, që dhanë gjak për të shpëtuar jetën e Aleksandras.
Bëhet fjalë për një ngjarje që shkaktoi bum mediatik, pasi të gjithë flasin për një vajzë, nxënëse e studente të mrekullueshme. Në 1 qershor, 22 vjeçarja humbi betejën e vështirë, duke zhytur në hidhërim familjen dhe gjithë miqtë e saj. Në median greke dhe atë sociale lajmet dhe mesazhet pafund kërkojnë drejtësi për studenten që iku në prag të 23-vjetorit, me reagime edhe nga mësues e pedagogë që e kujtojnë me shumë respekt e dashuri.