Vjeshtë e egërsuar në Gjermani: Sulmohen qendrat e azilantëve

 

Një vlerësim i situatës nga Zyra Federale e Kriminalistës (BKA), ka tërhequr vëmendjen e mediave në Gjermani: Po shtohet rreziku për sulme ndaj azilantëve, por edhe ndaj ndihmësve të tyre.

Disa media gjermane si gazeta "Süddeutsche Zeitung", televizonet rajonale NDR dhe WDR kanë publikuar një vlerësimaktual të situatës në Gjermani të realizuar nga Zyra Federale e Kriminalistës (BKA), pak ditë para atentatit ndaj kryebashkiakes së zgjedhur të Kölnit, Henriete Reker. Sipas tij refugjatët dhe aktivistët humanitarë ka shumë gjasa të vihen gjithnjë e më shumë në shënjestër të ekstremistëve të djathtë, ka bërë të ditur BKA. Sipas këtij dokumenti edhe menaxherët e qendrave të strehimit, por edhe politikanët mund të bëhen objekt sulmesh. Madje edhe persona që nga pamja e jashtme mund të konsiderohen si refugjatë, ka rrezik të jenë pre e sulmeve të ekstremistëve të djathtë.

BKA konstaton se skena ekstremiste e djathtë pritet ta forcojë "agjitacionin" e saj kundër politikës së azilit. Sipas këtij institucioni gjerman, "spektri shumë i heterogjen i ekstremistëve të djathtë" gjen në këtë pikë "konsesusin ideologjik". Krahas zjarrëvënieve, autorët janë të gatshëm të përdorin gjyle çeliku e kërbaçë druri. BKA i trembet edhe përdorimit të formave të reja si bllokadën e shinave të trenit apo të autostradave për të penguar ardhjen e refugjatëve.

Por shumica e sulmeve drejtohet kundër qendrave të populluara të pranimit apo atyre në ndërtim e sipër. Këtu pritet një rritje e sulmeve të ekstremistëve. Këtë vit autoritetet gjermane kanë regjistruar rreth 461 akte të dhunshme ndaj qendrave të pranimit, një shifër që është dyfish më e lartë se viti i kaluar. Shumica e sulmeve janë kryer në gushtin e këtij viti, dhe statistikat e rasteve të dhunës kryesohen nga landi Renani-Veriore-Vestfali, me 121 raste, pasuar nga Saksonia me 57 raste.

Hetime kundër autorëve

Për autoritetet janë të njohur emrat e 228 e autorëve, dhe 34% e tyre janë me sfond ekstremist të djathtë, 14 prej tyre duket se janë autorë serialë veprash penale. Shumica e autorëve janë në moshë të re, nga 20-25 vjeç dhe rrallë janë në gjendje të dehur. Një e treta e autorëve të dyshuar u ka rënë në sy autoriteteve për shkak të nxitjes së urrejtjes në popull. Ministri i Brendshëm gjerman, Thomas de Maiziere ka paralajmëruar nga një "radikalizim i rrezikshëm" në disa shtresa të shoqërisë. "Ka urrejtje dhe nxitje për urrejtje tek organizatorët e Pegidas". Ndër ta gjenden edhe ekstremistë të djathtë të rrezikshëm", tha ministri i Brendshëm gjerman për gazetën "Passauer Neue Presse". Ai kërkoi që këtij fenomeni "t'i dilet ballë me vendosmëri, sepse në këtë pikë nuk shkelen vetëm kufijtë e gjuhës dhe përmbajtja."

Terrorizëm i djathtë?

Thomas de Maiziere bëri përgjegjës nxitjen e urrejtjes nga ana e ekstremistëve të djathtë për shtimin e dhunës kundër refugjatëve dhe politikanëve që angazhohen për refugjatët. Sulmet kundër qendrave të azilantëve ai i cilësoi si "të turpshme dhe një turp për vendin tonë". Megjithatë ministri i Brendshëm gjerman theksoi se bëhet fjalë për indicidë të veçantë, dhe se "ende nuk mund të flitet për terrorizmin e djathtë". Megjithatë "rreziku qëndron dhe ne e kemi fokusuar këtu vëmendjen", ka thënë de Maiziere.

Mbi rrezikun e terrorizmit të ekstremistëve të djathtë në Gjermani ka paralajmëruar edhe shërbimi sekret gjerman. Kreu i Entit të Mbrojtjes Kushtetuese, Hans-Georg Maaßen ka thënë për gazetën "Stern" se "nuk mund të përjashtojmë që në një klimë të tillë të krijohen grupime të caktuara që janë të gatshme për të bërë atentate me sfond ekstremist". Sulmet në rritje kundër qendrave të azilantëve po tregojnë se pragu për të përdorur dhunën po shkelet gjithnjë e më shpesh."

DWelle

 

SHKARKO APP