Vonesat në dërgimin e vaksinave, Gjermania kërcënon me hapa ligjor
Qeveria gjermane, kërcënoi sot me aksion ligjor laboratorët që dështojnë të furnizojnë në kohë me vaksina anti Covid, Bashkimin Evropian, në mesin e tensioneve për vonesat në furnizim nga AstraZeneca.
“Nëse do të shohim që kompanitë nuk kanë respektuar angazhimet e tyre, ne do të ndërmarrim hapa ligjorë”, tha ministri gjerman i ekonomisë, Peter Altmaier.
Ka pasur tensione javët e fundit mes liderëve evropianë dhe gjigandit britaniko-suedez të farmaceutikës, AstraZeneca, që ka mbetur prapa në furnizimet e premtuara me vaksinën e tij Covid 19. Kompania tha se do të mund të ofronte vetëm një të katërtën e dozave që fillimisht i ishin premtuar bllokut për tre mujorin e parë të vitit për shkak të problemeve në prodhim në fabrikat evropiane.
Brukseli e ka akuzuar në mënyrë direkte AstraZeneca-n se i ka ofruar trajtim preferencial Britanisë në kurriz të BE-së. BE madje kërcënoi se do të kufizonte eksportet e vaksinës në Irlandën e Veriut, duke zbatuar pjesë të marrëveshjes së Brexit-it me Britaninë që lejon kalimin e lirë të mallrave në kufirin irlandez. Ajo u tërhoq pasi kryeministri britanik, Boris Johnson, ngriti zëshëm shqetësimin.
AstraZeneca nuk është e vetmja kompani prodhuese vaksinash që është tani nën shënjestër. Javën e kaluar, Italia kërcënoi me masa ligjore kundër kompanisë amerikane Pfizer në lidhje me vonesat. Zyrtarë të lartë gjermanë do të diskutojnë ndërkohë me prodhuesit për të sheshuar problemet. Të premten, agjencia evropiane e ilaçeve hapi rrugën që vaksina e prodhuar nga AstraZeneca të përdorej në territorin e BE-së, duke e bërë atë vaksinën e tretë të miratuar në bllok, pas Pfizer dhe Biontech dhe Moderna-s.