Votuesit e Trumpit të ndarë për të ardhmen e Partisë Republikane
Largimi i Presidentit Donald Trump nga Shtëpia e Bardhë më 20 janar, katër vjet pasi mori kontrollin e Partisë Republikane e vë në udhëkryq lidershipin dhe drejtimin e ardhshëm të partisë, duke patur parasysh besnikërinë e vazhdueshme të dhjetëra miliona mbështetësve të zjarrtë të Trumpit.
Sulmi ndaj Kapitolit në 6 janar i ka bërë ndarjet mes republikanëve më të thella, ndërsa protestuesit valvitën flamuj të Trumpit ndërkohë që kërkonin të largonin përmes dhunës ligjvënësit dhe, brohorisnin “Vareni Mike Pence-in”, duke iu referuar nënpresidentit i cili ka qenë një nga konservatorët më të besueshëm në Partinë Republikane.
“6 Janari ishte beteja e parë në luftën për shpirtin e partisë Republikane në epokën pas Trumpit,” tha Whit Ayers, president i firmës republikane të sondazheve North Star Opinion. Ai i tha Zërit të Amerikës se, “ekziston një fraksion populist dhe një fraksion drejtues dhe mendoj se të dyja këto grupe do të luftojnë për kontrollin e Partisë Republikane që këtej e tutje”.
Ndarja u manifestua të mërkurën kur 10 anëtarë republikanë të Dhomës së Përfaqësuesve, duke përfshirë udhëheqësen e rangut të tretë republikan, Liz Cheney, bashkuan forcat me shumicën demokrate për të filluar procedurën e shkarkimit të Presidentit Trump nën akuzën e “nxitjes së kryengritjes”.
Ndarjet shtrihen përtej republikanëve në postet drejtuese. Shtatëdhjetë e katër milionë amerikanë votuan për zotin Trump në zgjedhjet presidenciale të nëntorit, shumë prej të cilëve besojnë, megjithëse pa patur prova, se zgjedhjet u “vodhën” dhe se partia Republikane në përgjithësi dështoi të luftojë mjaftueshëm në emër të Trumpit.