Vrasjet në SHBA më 2020 u rritën/ U arrestuan mbi 6 mijë njerëz, mbi 2600 armë u konfiskuan

Mbi 6 mijë të arrestuar, 2,600 armë të konfiskuara dhe qindra kilogramë drogë kapura gjatë vitit 2020. Para se të jepte dorëheqjen muajin e kaluar, Prokurori i Përgjithshëm Ëilliam Barr shpalosi rezultatet e Operacionit Legjendë, një nismë federale e zbatimit të ligjit që ai filloi në verë, duke vënë në shënjestër pikë së pari Qytetin e Kansasit në shtetin Mizuri, për të ndihmuar qytetet kryesore amerikane në luftën kundër përhapjes së vrasjeve.

Operacioni që mori emrin e katër vjeçarit LeGeng Taliferro, i cili u qëllua për vdekje ndërsa ishte në gjumë në shtëpinë e tij në Kansas me 29 qershor, me një kosto mbi 60 milion dollarë vuri në objektiv nëntë qytete të shkatërruara nga dhuna, duke gërshetuar bashkëpunimin që nga shkalla federale, shtetërore e deri në atë lokal.

Qindra agjentë nga FBI-ja, DEA dhe agjenci të tjera federale të rendit bashkërenduan punën me policitë lokale në këto qytete për të goditur kriminelët e dhunshëm, për të bërë arrestime dhe heqjen e armëve nga duart e tyre.

“Në bazë të standardeve të shumta, këto rezultate do të konsideroheshin si një sukses i jashtëzakonshëm. Mes pandemisë globale, rezultatet janë të jashtëzakonshme,” tha zoti Barr përmes një deklarate.

Por ajo që nuk është thënë është nëse operacioni arriti qëllimin e tij përfundimtar për të frenuar dhunën. Në këtë drejtim, rezultatet nuk janë mbresëlënëse. Ndërsa disa zona metropolitane panë rënie për një kohë të shkurtër të niveleve të vrasjeve këtë verë, vrasjet vazhduan të rriteshin në të nëntë qytetet që ishin vënë në shënjestër dhe më gjerë.

Sipas të dhënave të policisë të përpiluara nga Zëri i Amerikës, vrasjet gjatë viti 2020 u rritën me një mesatare prej 40% krahasuar me një vit më parë në qytetet objektiv i operacionit: Qyteti Kansas i Mizurit, Çikago e Illinoit, Albakekri në Neë Mexico, Klivlend e Ohajos, Detroit e Miçiganit, Miluaki e Uiskonsinit, St. Louis e Mizurit, Memfis e Tenesi dhe Indianapolis e shtetit Indiana.

Qyteti Miluoki shënoi rritjen më të madhe të vrasjeve gjatë vitit me 99% e ndjekur nga Çikago me 55%, Memfiz me 50% dhe Klivlend me 42%.

Megjithatë, dhuna nuk ra pas Operacionit Legjendë. Për shembull, kur Operacioni Legjendë u zgjerua edhe në Çikago në fund të korrikut, vrasjet ishin rritur me 51%. Por nga fundi i dhjetorit, kjo normë shkoi në 55%. Vetëm qyteti Albakerki pa një rënie të vogël, megjithëse shkalla e vrasjeve mund të shënojë një rekord të ri gjatë vitit 2021.

Por rritja e numrit të vrasjeve nuk ishte e kufizuar vetëm në këto qytete. Vrasjet në 57 qytete kryesore amerikane u rritën mesatarisht 36.7% deri në fund të vitit të kaluar, sipas të dhënave të përpiluara nga analisti për krimet Jeff Asher, ndërsa disa qytete shënuan numër rekord.

Ekspertët thonë se dhuna u nxit nga një kombinim faktorësh: pandemia vdekjeprurëse, rënia e madhe ekonomike si dhe protestat kundër policisë pas vdekjes së George Floyd në duart e policisë në muajin maj në Mineapolis.

“Për shkak se dhuna në përgjithësi dhe krimet me armë zjarri në veçanti kanë prirje që të jenë spontane, ato shtuan presion dhe stres në mundësinë e acarimit të njerëzve,” tha Kevin Novak, profesor i kriminologjisë në Universitetin Missouri-Kansas City.

Me një spirale dhune në qytetet kryesore amerikane, “një lloj ndërhyrje ndoshta ishte e nevojshme,” tha zoti Novak. Por ai paralajmëron kundër thellimit të mëtejshëm në të dhënat e fundit për krimet.

“Nuk jam i sigurtë se dikush do të jetë në gjendje të thotë me një shkallë të lartë besimi se Operacioni Legjendë funksionoi apo nuk funksionoi,” shton ai.

Thaddeus Johnson, një ish zyrat i lartë i zbatimit të ligjit në Memfis dhe tani profesor në Universitetin Shtetëror të Xhorxhias, tha se nivelet shumë të larta të vrasjeve theksojnë kotësinë e nismave afatshkurtëra të arrestimit dhe dënimit të kriminelëve.

“Nëse nuk trajtojmë problemet e komunitetit ose nuk sigurojmë mbikëqyrjen e komunitetit kur të dënuarit dalin nga burgu, jo vetëm që cikli do të vazhdojë, por gjithçka kemi bërë do të ishte vënia e likoplastit në një plagë kanceri,” tha zoti Johnson.

Kur Operacioni Legjenda filloi në korrik, Presidenti Donald Trump, duke bërë fushatë për rizgjedhje, e cilësoi programin si reagim i administratës së tij ndaj problemit të dhunës në qytetet e qeverisura nga demokratët. Ai u zotua që të “rivendosë sigurinë publike, mbrojë fëmijët amerikanë dhe sjellë para drejtësisë autorët e dhunshëm.”

Sukseset e hershme

Operacioni fillimisht shënoi suksese ndërsa në pesë javët e para të fillimit, një 22 vjeçar u arrestua dhe ndaj tij u ngritën akuza për vrasjen e katër vjeçaro Legend Taliferro. Charron Poëell, nëna e katër vjeçarit e cila u bë një mbrojtëse e vendosur e programit, i vlerësoi organet e rendit.

“Le të bëjmë këtë për rastet e tjera dhe të ndalojmë që gjëra të tilla të ndodhin,” tha zonja Poëell pas arrestimit të të dyshuarit për vrasjen e djalit të saj.

Një javë më pas policia ndaloi të dyshuar në dy raste të tjera vrasjesh të profilit të lartë në Klivlend dhe Albakerki. Arrestimi në Klivlend i një të dyshuari në vrasjen e 17 vjeçarit Eric Hakizimana refugjat nga Kongo, erdhi pasi zyra e prokurorit lokal mori përsipër rastin.

Mayelle Ngemba, mik i familjes Hakizimana, tha se çështja ishte zgjatur për muaj dhe se pa ndihmën e organeve federale të rendit, vrasësi “do të ishte ende i lirë, sepse qyteti është i mbingarkurar me shumë çështje kriminale.”

Policia lokale do të kishte mbajtur qëndrimin “fëmija vdiq. Çfarë të bëjmë?” tha Ngemba në një intervistë.

Rick Smith, shef i policisë në Qytetin e Kansasit, tha se më shumë se 200 agjentë federalë në bashkëpunim me policinë u përqendruan në arrestimin e “njerëzve që ishin absolutisht të përfshirë në krime të dhunshme.” “Ishte një vështrim shumë teknik se kush po bënte krime në qytetin tonë, se çfarë akuzash për armë mund të ngrinim dhe për çfarë krimesh federale mund të akuzoheshin nëse i kapnim,” tha për Zërin e Amerikës zoti Smith.

Si rezultat, shtoi ai, krimet në Qytetin Kansas ranë me rreth gjashtë në javë para Operacionit Legjendë në dy për javë në fund të operacionit 10-javor. Zoti Smith e pranon se vrasjet vazhduan të rriten në vitin 2020 në 174 nga 151 në vitin 2019. Por ai shtoi se “numrat do të kishin qënë shumë më keq po të mos ishte për Operacionin Legjenda.

Rritja e agjentëve federalë e ka mundësuar policinë e Qytetit të Kansasit që të bëjë arrestime në rreth 70% të rasteve të vrasjeve, duke prodhuar një efekt parandalues, sipas zotit Smith.

“Po dërgojmë mesazhin e duhur në Qytetin Kansas – Nëse do të përfshihesh në një krim të dhunshëm, ka shumë mundësi që të mbahesh përgjegjës,” tha zoti Smith./VOA

SHKARKO APP