Vriten në Siri me dhjetëra militantë të ISIS, për Francën ky është vetëm fillimi!
Pas sulmeve të përgjakshme në Paris, pritej kundërpërgjigja e egër e Francës dhe duket se ky është vetëm fillimi.
Sulmet ajrore të Francës dhe vendeve të tjera kundër caqeve të Shtetit Islamik (IS) në Raka të Sirisë, nga e diela, pas bombardimeve kanë vrarë së paku 33 militantë.
Vëzhguesi Sirian i të Drejtave të Njeriut ka thënë se shumica e tyre kanë vdekur kur janë goditur postblloqet në qytet.
Burimi i njëjtë po ashtu njofton se familjet e udhëheqësve të Shtetit Islamik kanë nisur të ikin nga Raka në drejtim të Mosulit në Irak.
Një agjenci e lajmeve, e lidhur me Shtetin Islamik, nga ana tjetër nuk ka raportuar për viktima nga sulmet ajrore.
Agjencia Amaq ka thënë se avionët francezë kanë goditur “lokacione të zbrazëta,” – kjo ndoshta për të mos krijuar dekurajim.
Por Franca është aktualisht në bisedime edhe me SHBA e Rusinë, me të cilat po kërkon një marrëveshje për të ndërmarrë një ofensive të përbashkët me ta, çka do të thotë se ISIS vështirë se do t’i rezistonte një force të tillë ushtarake.