Vuçiç: As nuk kemi fituar, as nuk kemi humbur
Kryeministri i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, duke folur për votimin në UNESCO, tha se "e porosit Prishtinën që edhe përkundër fjalëve të rënda dhe ofendimeve ndaj nesh, ne nuk do të përgjigjemi me ofendime”.
“Përgjigja ime do të jetë: Ne nuk do t’ju gjuajmë me gurë, s’do hedhim gurë ndaj gurëve, por do ta kërkojmë vazhdimin e dialogut, të bisedojmë dhe jo t’i imponojmë zgjidhjet dhe vazhdimisht të nxisim kriza në raporte’”.
Sikur të veprohej mençur, sipas tij, kjo çështje do të zgjidhej në Bruksel dhe jo me tentime që Serbia të nënçmohet e shkelet.
Serbinë askush nuk do ta shkelë sipas tij, Serbia nuk e lejon këtë dhe nuk do t’ia lejojë askujt.
“As nuk kemi fituar, as nuk kemi humbur. Nuk na kanë nënçmuar, as s’na kanë shkelur”, ka thënë Vuçiç, duke theksuar se Serbia është gjithmonë e gatshme për kompromise me qëllim të sigurimit të një jete më të mirë për qytetarët e saj.