Vuçiç bisedon me Scholzin për Asociacionin
Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, tha se ka biseduar me kancelarin lidhur me situatën e serbëve që jetojnë në Kosovë dhe për çështjen e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.
Udhëheqësi serb, përmes një postimi në Instagram, tha se gjatë bisedës telefonike ka informuar kancelarin gjerman “në detaje për gjendjen pothuajse të padurueshme për komunitetin serb në Kosovë”, por edhe për “shmangien e vazhdueshme të Prishtinës nga përmbushja e detyrimeve të saj të pranuara dhe nënshkruara, veçmas në lidhje me formimin e Asociacionit”.
Në kuadër të dialogut për normalizimin e raporteve, që ndërmjetësohet nga Bashkimi Evropian, Kosova dhe Serbia kanë arritur dy marrëveshje për themelimin e Asociacionit, më 2013 dhe 2015.
Por, më 2015, Gjykata Kushtetuese e Kosovës gjeti se Marrëveshja mbi parimet për themelimin e Asociacionit nuk ishte në harmoni të plotë me aktin më të lartë juridik të shtetit, duke thënë se duhet të harmonizohet përmes akteve nënligjore.
Megjithatë, qeveri të njëpasnjëshme të Kosovës refuzuan ta zbatojnë marrëveshjen, duke shprehur frikë se asociacioni i tillë njëentik mund të ndikojë në funksionalitetin e duhur të shtetit.
Gjermania, së bashku me shtetet e tjera në BE, por edhe Shtetet e Bashkuara, vazhdimisht i bëjnë thirrje Kosovës që të themelojë Asociacionin e komunave me shumicë serbe.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, po ashtu ka thënë se ekzekutivi që ai udhëheqë refuzon që të pranojë që Asociacioni të jetë kusht për pranimin e vendit në organizatën e Këshillit të Evropës.
“Qeveria nuk e pranon kushtëzimin e anëtarësimit në KiE me Asociacion. Për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë, ne bisedojmë në Bruksel, e jo në Strasburg”, tha Kurti më 8 maj.
Kosova dhe Serbia po ashtu arritën një marrëveshje vitin e kaluar në rrugën drejt normalizimit të raporteve. Megjithatë, BE-ja, si ndërmjetëse e dialogut, ka thënë se palët nuk kanë nisur zbatimin e marrëveshjes dhe as të Aneksit për zbatimin e tij.
Marrëveshja prej 11 nenesh ndër tjerash parasheh edhe një nivel të vetëmenaxhimit për komunitetin serb në Kosovë dhe njohje të ndërsjellë të simboleve shtetërore, ndërsa kërkon nga Prishtina dhe Beogradi që t’i zbatojnë, po ashtu, të gjitha marrëveshjet e mëhershme të arritura gjatë dialogut.
Vuçiq, gjatë bisedës me Scholz po ashtu i ka kërkuar Gjermanisë mbështetje në rrugën e integrimit evropian.
“E ritheksova se Serbia vazhdimisht avokon për intensifikimin e aktiviteteve diplomatike në kontekstin e të gjitha konflikteve aktuale dhe çështjeve të hapura që rëndojnë Evropën dhe rajonin e Ballkanit Perëndimor, gjë që e ka demonstruar gjithmonë në të gjitha forumet dhe iniciativat”, shkroi Vuçiq në llogarinë e tij në Instagram.
Në procesin e zgjerimit të BE-së aktualisht ndodhen dhjetë shtete, përfshirë gjashtë shtete nga Ballkani Perëndimor. Prej shteteve që janë në këtë proces, nëntë kanë statusin e vendit kandidat, ndërsa vetëm Kosova nuk e ka atë status. Kosova kishte aplikuar për anëtarësim në BE në dhjetor të vitit 2022, por kërkesa e saj nuk është shqyrtuar nga Bashkimi Evropian./REL