Vuçiç në Preshevë: S’do lejojmë tekste ku shkruhet për Adem Jasharin
Vizita e kryeministrit të Serbisë, Aleksandër Vuçiç në Luginë të Preshevës, përveçse u prit me parullat “Dua Abetaren time – Duam librin shqip”, vuri edhe njëherë në pah dallimet e mëdha mes qeverisë serbe dhe etnisë shqiptare në Luginë.
Kështu, gjatë konferencës me gazetarë në Fakultetin Ekonomik, Vuçiç u shpreh i gatshëm të bisedonte me shqiptarët e Luginës, duke pranuar se ata nuk ishin të përfaqësuar sa duhet në institucionet serbe.
Por paqja e konferencës u prish kur kryetari i Këshillit Nacional Shqiptar, Jonuz Musliu, u ngrit dhe e pyeti Vuçiçin se kur do të arrijnë tekstet në gjuhën shqipe për nxënësit shqiptarë.
Pyetje kjo së cilës Vuçiç iu përgjigj se nuk është e drejtë ajo çfarë po kërkohet nga shqiptarët e Luginës.
“Nuk është mirë për fëmijët që të mësojnë në librat ku shkruan se heroi i tyre kombëtar është “Adem Jashari” dhe ku është e shënuar “Republika e Kosovës”. Ajo çfarë po kërkoni ju nuk është e drejtë dhe se tekstet nuk maten me kilogramë apo kamionë, por nga cilësia dhe përmbajtja e tyre”, tha ai.