Vuçiç: Të lodhur, nga durimi që po tregojmë ndaj BE-së

 

Kryeministri i Serbisë, Aleksandar Vuçiç deklaroi sot se Serbia është e lodhur nga durimi që po tregon ndaj Bashkimit Evropian, pasi ajo ka bërë dhe ka arritur shumë, në ndërkohë që nuk ka marrë përgjigjen e duhur.

“Jo vetëm që investuam shumë nga koha jonë, energjia, fuqia politike në proceset që po zhvillohen, por filluam edhe reformat më të rënda ekonomike në Serbi. Arritëm shumë në dialogun me shqiptarët e Kosovës, por në fund po shohim se nuk jemi mjaftueshmërisht të respektuar”, deklaroi Vuçiç në emisionin “Global conversation” në televizionin Euronews.

Kryeministri i Serbisë e sheh normalizimin e marrëdhënieve me Prishtinën si një problem shumë të madh, por shton se Beogradi do të vazhdojë bisedimet.

“Detyrimi im është të kujdesem për interesin e vendit dhe të bëj diçka të mirë për popullin tim, pavarësisht nëse kjo u pëlqen apo jo të tjerëve”, deklaroi Vuçiç./

SHKARKO APP