Vuçiç: Thoshin se jam një Putin i vogël, që do të nisë luftë. Deri më tani s’kemi sulmuar njeri
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, gjatë një panel për zgjerimin e horizonteve të BE-së në Forumin Botëror Ekonomik në Davos, tha se disa e quajnë një Putin të vogël e që do të nisë një luftë, por siç theksoi vetë ai, Serbia nuk ka sulmuar njeri.
“Disa thoshin se Vuçiç është një Putin i vogël. Me sa di, në mediat botërore ka pasur mbi 1000 artikuj ku thuhej se do të nisë luftë kundër fqinjëve. Deri tani nuk kemi sulmuar asnjeri. “Deri tani” është një etiketim cinik. Nuk ka ndodhur dhe nuk do të ndodhë. Është gënjeshtër brutale”, tha Vuçiç.
I pyetur lidhur me qëndrimin e Serbisë ndaj Rusisë dhe asaj që po ndodh Ukrainë, Vuçiç hoqi paralele me Kosovën, edhe pse nuk e përmendi me emër.
“Ne mbështesim integritetin territorial të Ukrainës, sikurse mbështesim atë të Serbisë. Dhe më pas, kur nisim ta diskutojmë, më pyesin: A është Krimea pjesë e Ukrainës, apo Rusisë? Po, është pjesë e Ukrainës? Unë them që po, dhe nuk do ta ndryshojmë qëndrimin tonë. Ndryshe nga sa kanë bërë shumë shtete anëtare të BE-së që kanë ndryshuar qëndrimin ndaj integritetit territorial të Serbisë. Serbia respekton çdo rezolutë të OKB-së, pyetja ime është: Pse disa Fuqi të Mëdha nuk e respektojnë rezolutën 1244 kur vjen puna te integriteti territorial i Serbisë? i kemi votuar të gjitha rezolutat që dënojnë inkursionin e 24 shkurtit, tani na thonë kur do të vendosni sanksione? Ne i kemi vuajtur në kurrzi ato sanksione për 10 vite dhe nuk besoj se kjo do të sjellë rezultate të mira”.