YouTube pezullon kanalin e Trump, shkel politikën për nxitjen e dhunës
Edhe YouTube ka pezulluar kanalin e Donald Trump pasi shkelte politikat për nxitjen e dhunës pas sulmit të javës së kaluar në Kongresin e SHBA nga mbështetësit e presidentit. Platformat në internet dhe kompanitë e mediave sociale po distancohen dhe po ndërmarrin veprime kundër atyre që inkurajuan ose u përfshinë në dhunë në Uashington, DC.
Kanali i Trump tani është i ndaluar të ngarkojë video të reja ose transmetime të drejtpërdrejta për një minimum prej shtatë ditësh, të cilat mund të zgjaten, tha Youtube në një deklaratë. Kompania gjithashtu ka çaktivizuar në mënyrë të pacaktuar komentet nën videot në kanal. Pezullimi i kanalit të Trump erdhi pas komenteve që ai bëri në një konferencë shtypi, e cila u transmetua në platformë të martën në mëngjes, tha kompania.
Veprimi i Youtube kundër presidentit vjen pasi grupet amerikane të të drejtave civile i thanë Reuters se ata ishin vendosur të organizonin një bojkot reklamues kundër kompanisë nëse ajo nuk heq kanalin e Trump. Mbështetësit e Trump sulmuan Kongresin e SHBA të mërkurën, duke u përpjekur të ndalojnë çertifikimin nga Kongresi të fitores së zgjedhjeve të Presidentit të zgjedhur Joe Biden.
Ligjvënësit u detyruan të largoheshin ndërsa ndërtesa u sulmua nga protestuesit që u përplasën me forcat e sigurisë. Pesë persona vdiqën në dhunë, përfshirë një oficer të Policisë së Kapitolit. Pas incidentit, Twitter dhe Facebook hoqën llogaritë e Trump dhe kanë eleminuar përmbajtjen që mbështeste sulmin e javës së kaluar, ndërsa Amazon pezulloi Parler, një platformë e mediave sociale e favorizuar nga shumë mbështetës të Trump, nga shërbimi i saj i mbajtjes në internet.