Zbulohen 52 raste të reja me Covid-19, 13 milionë banorë në izolim
Të martën, autoritetet shëndetësore regjistruan 52 raste të reja me Covid-19 në qytetin kinez Xi’an. Të mërkurën, u mor vendimi për një izolim të rreptë për rreth 13 milionë banorët e qytetit.
Vendimi drastik, sipas të cilit, njerëzit nuk mund të largohen nga shtëpitë, u mor në një kohë kur në të gjithë Kinën ka një fluks të shtuar udhëtarësh për shkak të Vitit të Ri Kinez, por edhe Lojërave Olimpike Dimërore të vitit 2022, që nisin më 4 shkurt në Pekin.
Siç është bërë zakon tashmë në Kinë në raste të tilla, autoritetet pezulluan shkollat dhe nisën të kryenin testime masive për të gjithë banorët. Megjithatë, rastet vijuan të rriteshin dhe prej 9 dhjetorit janë regjistruar 206 raste. 30 mijë personat që besohet se kanë pasur kontakte me të infektuarit janë futur në karantinë, ndërsa të gjithë të tjerët janë detyruar të qëndrojnë në shtëpi deri në një njoftim të dytë.
Sipas rregullave, dalja nga shtëpia lejohet vetëm për rastet e urgjencave mjekësore, ndërsa për të blerë ushqime mund të dalë vetëm një anëtar i familjes, një herë në dy ditë. Çdo aktivitet është mbyllur, përveç spitaleve e supermarketeve. Kjo është vetëm hera e katërt që Kina vendos në izolim të plotë një qytet të tërë, pasi në pjesën më të madhe të rasteve izolohen zonat apo lagjet ku pikaset vatra e infektimeve.
KOHA JONË SONDAZH

