Zbulohen molekulat kundër Covid-19, janë pjesë e familjes së hidroksiklorokinës
Në botë vijojnë kërkimet për të gjetur një kurë efikase kundër koronavirusit. Një ekip italian ka zbuluar molekulat që bllokojnë riprodhimin e virusit ndërsa për shpikjen e vaksinave, në avantazh është Universiteti britanik i Oxfordit.
Shkencëtarët italianë kanë gjetur 35 molekula të cilat do të përdoren tani për të testuar efektin e medikamenteve kundër virusit Sars-Cov-2.
Kompania “Sibylla Biotech” në bashkëpunim me Institutin italian të Fizikës Bërthamore, njoftuan se molekulat i përkasin familjes së hidroksiklorokinës, dhe me to synohet jo vetëm të ulet rreziku i efekteve anësore të medikamenteve kundër koronavirusit, por edhe të ripërshtatet terapia për sëmundjen virale.
Në simulimet kompjuterike, dyshohet se ato arrijnë të bllokojnë riprodhimin e virusit në strukturat proteinike tek qeliza mushkërore.
Kjo tezë mbetet për t’u provuar edhe në laborator.
Hidroksiklorokina, ndërkaq, një medikament i përdorur kundër malaries, është përmendur edhe më parë si një alternativë për trajtimin e Covid-19.
Së fundmi janë rritur shpresat edhe për gjetjen e një kure nëpërmjet vaksinave të reja, që sipas OBSH-së do duan të paktën 1 vit për t’u prodhuar në masë.
Më në avantazh raportohet se është Universiteti i Oksfordit në Britaninë e Madhe, pasi ilaçi i tyre eksperimental i testuar te majmunët ka konfirmuar shërimin e tyre nga infeksioni edhe pas ekspozimit të mëpasshëm ndaj koronavirusit.
Vaksinat janë injektuar edhe te pacientë vullnetarë ndërsa brenda muajit shtatorit shpresohet të jetë përcaktuar përmbajtja e saj kimike por edhe të jenë prodhuar me milionë doza për të sëmurët.
Edhe laboratorë të tjerë nëpër botë kanë nisur provat klinike te njerëzit.
Në Kinë, një vaksinë e katërt eksperimentale u testua të martën në ambientet e Institutit Kombëtar të Vaksinave dhe Serumit.
Vendi thotë se nëse rezulton efektive, kompania ka kapacitetin për të prodhuar deri 100 milionë doza në vit për arsye urgjencash apo vaksinimi rutinë.