Zbulohet vatra në Berlin, 360 familje në karantinë
Një vatër e re e Covidit në një bllok pallatesh në kryeqytetin gjerman ka shtuar frikën e valës së dytë të infeksionit. Mbi 360 familje janë izoluar për të mos rrezikuar përhapjen e sëmundjes. Në Gjermani më shumë se 8,800 veta kanë humbur jetën nga koronavirusi.
Autoritetet në Gjermani kanë vendosur me qindra familje në karantinë pas alarmit se koronavirusi po përhapet jashtëzakonisht shpejt nëpër lagjet jugore të kryeqytetit.
Këtë javë, 57 banorë të zonës së Nojëkëlnit rezultuan pozitivë me sëmundjen infektive, duke nxitur izolimin e të 369 apartamenteve në bllokun e gjerë të pallateve për të kontrolluar vatrën më të re epidemike.
“E veçanta është se banorët në këto pallate jetojnë shumë të lidhur me njëri-tjetrin, me raste deri 8 persona në një apartament me dy dhoma, ndaj izolimi i tyre për dy javë nuk është i lehtë. Këto javë sfida të vështira që na duhet t’i përballim për të qetësuar situatën,” thotë kreu i minibashkisë jugore të Berlinit.
Të mërkurën, Gjermania raportoi 345 raste të reja të infeksionit të kovidit të ri, duke e çuar totalin mbi 187 mijë ndërkohë që numri i jetëve të humbura u rrit në më shumë se 8,800.
Duke nisur nga dita e djeshme, qytetarët janë apeluar të përdorin një aplikacion të krijuar nga kompania më e madhe celulare me mbështetjen e qeverisë për të bërë të mundur gjurmimin e koronavirusit në rast se ata dhe kontaktet e tyre infektohen.
Qeveria thotë se aplikacioni mund të instalohet vullnetarisht, ndërsa partitë opozitare kanë kërkuar një nismë ligjore për të garantuar që programi nuk do të bëhet i detyrueshëm për përdorim nga punonjësit e kompanive shtetërore dhe private.
“Me sa kuptoj, aplikacioni funksionon nëpërmjet blututhit, prandaj personalisht nuk do e përdorja sepse do më konsumohej bateria po ta mbaja aktiv gjithë kohën. Gjithashtu mendoj se aplikacioni nuk ka vlerë nëse nuk e përdorin të gjithë.”
“Kam lexuar për të dhe padyshim do e instaloj. Jam kurioz të di si funksionon por rezultatin kur të jem afër dikujt që është i infektuar.”
Gjermania pritet të vazhdojë të ndalojë eventet më pjesëmarrje të madhe të njerëzve deri në muajin tetor pasi i druhet valës së dytë të koronavirusit.
Ndërkohë të hënën vendi hapi kufijtë për udhëtarët drejt BE-së, Britanisë dhe vendeve të Shengenit, ndërsa për shtetet jashtë unionit do të ketë kufizime deri në fundin e gushtit.