Zelensky: Jam gati për të folur drejtpërdrejt me Putin

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky tha se do të pranonte bisedimet e drejtpërdrejta me Vladimir Putin për t’i dhënë fund luftës.
Kjo deklaratë e tij në intervistën me Piers Morgan, del pas zotimit të Trump para zgjedhjeve për t`i dhënë fund luftës.
I pyetur se si do të ndihej nëse do të ulej përballë Putinit në një tryezë bisedimesh, Zelensky tha: “Nëse kjo është e vetmja mënyrë me të cilën ne mund të sjellim paqe për qytetarët e Ukrainës dhe të mos humbasim njerëz, patjetër që do të shkoj”.
Megjithatë Zelensky nuk do të shkojë vetëm. Ai tha se do të shoqërohet nga persona të tjerë, specifikisht katër, por nuk sqaroi se me kë.
“Unë nuk do të jem i sjellshëm me të, e konsideroj armik. Të jem i sinqertë, mendoj se edhe ai më konsideron mua armik”, shtoi presidenti ukrainas.
Putin nga ana tjetër, javën e kaluar tha se Moska do të zhvillonte bisedime me Ukrainën, por përjashtoi mundësinë që të fliste drejtpërdrejt me Zelenskyn.