Zelensky konfirmon dorëheqjen e shefit të shtabit pas hetimit anti-korrupsion
Shefi i shtabit të Presidentit ukrainas Volodymyr Zelensky, Andriy Yermak, ka dhënë dorëheqjen. Ky vendim vjen pas një bastisjeje nga policia anti-korrupsion në shtëpinë e tij, lajm ky i konfirmuar nga Presidenti Zelensky. Yermak, 54 vjeç, ka qenë këshilltari më i afërt i Zelenskyt gjatë gjithë luftës me Rusinë dhe ishte nën presion për shkak të një skandali korrupsioni, megjithëse nuk ishte akuzuar direkt për ndonjë shkelje.
Agjencitë anti-korrupsion të Ukrainës bastisën apartamentin e tij në lagjen qeveritare të Kievit të premten. Yermak deklaroi në rrjetet sociale se “nga ana ime ka bashkëpunim të plotë”. Ai ishte emëruar kohët e fundit nga Zelensky për të udhëhequr negociatat thelbësore, sidomos me Presidentin amerikan Trump që po nxit një nismë të re për paqen.
Presidenti Zelensky shprehu mirënjohjen ndaj Yermak, duke theksuar se pozicioni i Ukrainës në negociata ishte gjithmonë “patriotik”. Ai njoftoi konsultime për një drejtues të ri të zyrës, duke theksuar rëndësinë e forcës së brendshme në kohë lufte dhe diplomacie. Largimi i Yermak konsiderohet një goditje për Zelenskyn, veçanërisht para mbërritjes së Sekretarit të Ushtrisë Amerikane, Dan Driscoll, në Kiev këtë javë dhe udhëtimit të zyrtarëve amerikanë në Moskë, si pjesë e planit të paqes të Trump.
Disa orë para bastisjes, Yermak theksoi ndikimin e tij dhe qëndrimin e qeverisë kundër lëshimeve territoriale ndaj Rusisë. “Përderisa Zelensky është president, askush nuk duhet të llogarisë që ne të heqim dorë nga territori,” kishte thënë ai për The Atlantic. Kjo vjen ndërkohë që Rusia kërkon dorëzimin e territoreve në Donetsk, me Presidentin Putin që kërcënoi arritjen e tyre “me forcë armësh”. Yermak pranoi se ishte nën presion “enorm” për t’u larguar, duke kërkuar një hetim objektiv dhe të pavarur.
KOHA JONË SONDAZH

