Zelensky në Madrid, takim me Mbretin Felipe VI dhe udhëheqësit politikë spanjollë
Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, zhvilloi sot një sërë takimesh zyrtare në Madrid, në kuadër të vizitës së tij të tretë zyrtare në Spanjë. Kreu i shtetit ukrainas u takua më herët me presidenten e parlamentit spanjoll, Francina Armengol, si dhe me presidentin e Senatit, Pedro Rollán.
Vizita nisi në ndërtesën e Congreso de los Diputados, Dhomën e Ulët të parlamentit, ku Zelensky u prit nga drejtuesit institucionalë dhe diskutoi mbi bashkëpunimin dypalësh dhe mbështetjen e Madridit ndaj Kievit. Më pas, ai zhvilloi takime me përfaqësues të industrisë së mbrojtjes.
Gjatë pasdites, Zelensky pritet të pritet zyrtarisht nga Mbreti Felipe VI i Spanjës, si dhe nga kryeministri Pedro Sánchez në Pallatin Mbretëror. Ndërsa nuk priten nënshkrime marrëveshjesh të reja gjatë kësaj vizite, ajo konsiderohet një moment i rëndësishëm diplomatik për të konsoliduar mbështetjen spanjolle ndaj Ukrainës.
Qeveria në Madrid deklaroi se vizita e Zelensky është një mundësi për të rikonfirmuar pozicionin e palëkundur të Spanjës në mbështetje të Ukrainës.
“Në kuadër të luftës kundër Rusisë, vizita e Zelensky do të jetë një mundësi për të rikonfirmuar angazhimin e Spanjës ndaj Ukrainës në të gjitha fushat,” nënvizohet në deklaratë.
Kryeministri Pedro Sánchez dhe presidenti ukrainas do të mbajnë një konferencë të përbashkët për shtyp pas takimit.
Edhe ministri i Jashtëm spanjoll, José Manuel Albares, deklaroi se mbështetja e Madridit mbetet e pandryshueshme: “Angazhimi i Spanjës ndaj Ukrainës është afatgjatë. Ne mbështesim sovranitetin, integritetin territorial dhe mbrojtjen e popullit ukrainas për aq kohë sa kjo luftë të vazhdojë,” theksoi ai.
Vizita në Spanjë vjen një ditë pas nënshkrimit të një memorandumi mirëkuptimi midis Zelensky dhe presidentit francez Emmanuel Macron në Paris, marrëveshje që i lejon Ukrainës të blejë pajisje ushtarake me vlerë miliarda euro nga Franca, përfshirë dhjetëra avionë luftarakë “Rafale”, sisteme të mbrojtjes ajrore, bomba dhe dronë.
Në një mesazh në platformën X përpara mbërritjes në Madrid, Zelensky u shpreh se shpreson që vizita në Spanjë të çojë në rritjen e mbështetjes për Ukrainën, me synimin për të mbrojtur jetët e civilëve dhe për të sjellë më afër fundin e luftës.
Ai shtoi se pas Spanjës, udhëtimi i tij perëndimor do të vijojë me një vizitë në Turqi për bisedime dypalëshe.
KOHA JONË SONDAZH

