Zelensky: Paqe po, por pa lëshime territoriale

Ukraina po përgatit një plan të rishikuar paqeje për Shtëpinë e Bardhë, ndërsa Presidenti Volodymyr Zelensky ka përjashtuar përsëri çdo dorëzim territori Rusisë, duke theksuar se këtë nuk e lejon as ligji ukrainas, as ai ndërkombëtar.
Plani i ri vjen pas disa ditësh negociatash intensive mes SHBA-së dhe Ukrainës, të cilat nuk prodhuan marrëveshje. Udhëheqësit evropianë dhe të NATO-s po përpiqen të shmangin një kompromis të madh territorial që, sipas tyre, do ta linte Ukrainën të pambrojtur në të ardhmen.
Ndërkohë, një sulm me dron rus la qytetin Sumy pa energji gjatë natës, pasi u godit infrastruktura energjetike, por pa viktima.
Zelensky tha se plani fillestar amerikan prej 28 pikash i konsideruar shumë pro-rus nga Kievi dhe disa kryeqytete evropiane është reduktuar në 20 pika. Ai theksoi se asnjë element pro-ukrainas nuk është hequr dhe nuk ka kompromis për territorin. Çështjet më të ndjeshme mbeten kontrolli i Donbasit dhe i termocentralit bërthamor të Zaporizhias.
Drafti i parë amerikan parashikonte dorëzimin e Donbasit Rusisë dhe ndarjen e energjisë së Zaporizhias mes dy vendeve, çka u refuzua nga Ukraina dhe disa vende të BE-së.
Takimi i papritur në Londër mes Zelenskyt, Keir Starmer-it, Macron-it dhe Merz-it u pa si një mesazh i qartë mbështetjeje për Kievin, ndërsa Britania dhe Franca kanë sugjeruar vendosjen e trupave ndërkombëtare në Ukrainë ide që Gjermania dhe Italia e shohin me skepticizëm.
Zelensky udhëtoi më pas në Bruksel për takime me Mark Rutte dhe Ursula von der Leyen, ndërsa pritet të takohet edhe me Giorgia Melonin.
Nga ana tjetër, Moska thotë se bisedimet me SHBA-në kanë qenë “konstruktive”, edhe pse nuk ka treguar gatishmëri për lëshime. Ndërkohë, Trump deklaroi se Zelensky mbetet “pengesë” për arritjen e paqes, ndërsa pretendoi se Rusia ishte e kënaqur me planin amerikan.
Zelensky tha se po priste një informim nga negociatori Rustem Umerov pas tre ditësh bisedimesh në Miami, duke shtuar se “disa çështje mund të diskutohen vetëm personalisht”.
KOHA JONË SONDAZH

