Zelenskyy: Rusia ka angazhuar ushtarët koreano-veriorë në Kursk

Samiti i NATO-s: Aleatët refuzojnë t’i japin Ukrainës një afat kohor për anëtarësimin
Presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskyy tha të shtunën se Rusia ka filluar të dislokojë ushtarë të Koresë së Veriut për të sulmuar pozicionet ukrainase në rajonin e Kurskut.

Zoti Zelenskyy tha në fjalimin e tij të mbrëmjes se kishte “prova paraprake se rusët kanë filluar të përdorin ushtarë nga Koreja e Veriut në sulme – një numër të konsiderueshëm të tyre”.

Ai tha se sipas informacioneve që kishte “rusët i përfshijnë [koreano-veriorët] në njësi të kombinuara dhe i përdorin ata në operacione në rajonin e Kurskut”, ku Ukraina ka ndërmarrë një inkursion që nga gushti.

Presidenti ukrainas tha gjithashtu se ka dëgjuar se koreano-veriorët “mund të përdoren në pjesë të tjera të vijës së frontit” dhe se “humbjet në këtë grup janë gjithashtu të konsiderueshme”.

Zoti Zelenskyy tha muajin e kaluar se 11,000 trupa të Koresë së Veriut ndodheshin në rajonin perëndimor të Kurskut të Rusisë dhe kishin filluar të pësonin “humbje”.

Uashingtoni dhe Seuli kanë akuzuar Phenianin se ka dërguar më shumë se 10,000 ushtarë për të ndihmuar Moskën, pasi Rusia dhe Koreja e Veriut nënshkruan një pakt të rëndësishëm mbrojtjeje në verë.

Koreja e Veriut dhe Rusia kanë forcuar lidhjet e tyre ushtarake që kur filloi agresioni i Moskës ndaj Ukrainës në shkurt 2022. Në fillim Rusia u kap në befasi nga inkursioni i Kurskut, por që nga fillimi i tij, ajo ka rimarrë gradualisht në kontroll pjesë të territorit, duke frenuar përparimin e Ukrainës dhe duke dërguar përforcime në rajon.

Një burim i ushtrisë ukrainase i tha AFP-së muajin e kaluar se Kievi ende kontrollonte 800 kilometra katrorë të rajonit të Kurskut, më pak nga pretendimet e mëparshme se kontrollonte pothuajse 1,400 kilometra katrorë.

Ukraina godet terminalin rus të naftës

Ukraina tha të shtunën se sulmoi një terminal nafte në rajonin perëndimor Oryol të Rusisë gjatë natës, duke shkaktuar një zjarr. Guvernatori i Oryolit tha në Telegram se karburanti mori flakë në “një objekt” në rajon pas një “sulmi masiv me dron”.

Shtabi i Përgjithshëm i Ushtrisë së Ukrainës tha se forcat e Kievit sulmuan një depo të madhe nafte në Stal’noi Kon, rreth 165 kilometra brenda territorit rus.

“Është një nga terminalet më të mëdhenj të naftës në periferi të qytetit Oryol” dhe është pjesë e një “kompleksi industrial ushtarak” që furnizon ushtrinë ruse, tha Shtabi i Përgjithshëm.

Mediat ruse publikuan imazhe që thanë se janë nga sulmi, që tregonin shtëllunga tymi të një zjarri.

Guvernatori rajonal i Oryolit, Andrey Klychkov tha të shtunën në Telegram se mbrojtja kundërajrore ruse rrëzoi dronët ukrainas gjatë sulmit dhe se zjarri u vu nën kontroll në orën 5 të mëngjesit, megjithëse nuk ishte shuar ende. Ai tha se nuk kishte viktima.

Zhvillime të tjera

Në rajonin Belgorod të Rusisë, i cili po ashtu është në kufi me Ukrainën, një sulm me dron vrau një djalë 9-vjeçar dhe plagosi nënën dhe motrën e tij të vogël, tha guvernatori Vyacheslav Gladkov.

Ai postoi foto të shtëpisë së familjes me një vrimë të madhe në fasadë dhe çatinë e copëtuar. Ukraina sulmon rregullisht infrastrukturën ushtarake dhe energjetike në Rusi, ndonjëherë në thellësi të territorit të saj, në përgjigje të sulmeve ruse në infrastrukturën e saj.

Shtabi i Përgjithshëm i Kievit tha se Rusia sulmoi gjatë natës me 132 dronë, duke pretenduar se 130 prej tyre u rrëzuan ose nuk arritën objektivat.

SHKARKO APP