Zgjidhet misteri 4-mijë vjeçar se si u ndërtuan piramidat e Egjiptit

Shkencëtarët besojnë se mund të kenë zgjidhur misterin se si 31 piramida, përfshirë kompleksin me famë botërore të Gizës, u ndërtuan në Egjipt më shumë se 4000 vjet më parë.

Një ekip hulumtues nga Universiteti i Karolinës së Veriut Wilmington ka zbuluar se piramidat ka të ngjarë të jenë ndërtuar përgjatë një dege të lashtë të lumit Nil – e cila tani është e fshehur nën shkretëtirë dhe tokat bujqësore.

Për shumë vite, arkeologët kanë menduar se egjiptianët e lashtë duhet të kenë përdorur një rrugë ujore aty pranë për të transportuar materiale të tilla si blloqet e gurit të nevojshëm për të ndërtuar piramidat.

Por deri më tani, “askush nuk ishte i sigurt për vendndodhjen, formën, madhësinë ose afërsinë e kësaj rruge ujore me vendndodhjen aktuale të piramidave”, sipas një prej autorëve të studimit, Prof Eman Ghoneim.

Në një përpjekje ndër-kontinentale, grupi i studiuesve përdori imazhe satelitore me radar, harta historike, studime gjeofizike dhe bërthama të sedimentit (një teknikë e përdorur nga arkeologët për të gjetur prova nga mostrat) për të hartuar degën e lumit – që ata besojnë se është varrosur nga një thatësirë e mëdha dhe stuhi rëre mijëra vjet më parë.

Pra një degë lumi “e varrosur” është çelësi. Blloqet, materialet, madje dhe njerëzit janë transportuar përmes kësaj rruge.

Ekipi zbuloi se dega e lumit – e quajtur dega Ahramat, që do të thotë piramida në arabisht – ishte afërsisht 64 km e gjatë dhe midis 200-700 m e gjerë.

Dhe kufizohej me 31 piramidat, të cilat u ndërtuan midis 4700 dhe 3700 vjet më parë.

SHKARKO APP