Edmond Spaho në ”Koha Jonë-Debat”: PD duhet të kërkojë një lider të ri, ose Rama vijon gjatë në pushtet
Ish-deputeti dhe ish-nënkryetari i Partisë Demokratike, Edmond Spaho, i ftuar mbrëmjen e kësaj të mërkure në emisionin ”Koha Jonë-Debat” nga Nikoll Lesi, tha se ai kishte besuar te procesi i rithemelimit të PD-së, por ky proces nuk u zhvillua sipas parimeve të premtuara. ”Unë besova shumë në 2021-in që me rithemelimin do t’i hynim një transformimi rrënjësor Partisë Demokratike”, deklaroi Spaho.
Sipas tij, bashkimi i grupimeve të ndryshme në PD nuk është shoqëruar me një analizë dhe një marrëveshje mbi parimet politike, duke bërë që bashkimi të mos prodhonte rezultatin e pritshëm. Spaho kritikoi drejtpërdrejt Berishën edhe për mënyrën se si drejtohet sot PD-ja. Ai e cilësoi partinë si një strukturë që është kthyer në një “parti familjare” dhe tha se shumë prej drejtuesve aktualë janë përshtatur me situatën dhe nuk po kërkojnë realisht një rrugë drejt pushtetit.
”Për të ardhur në pushtet nuk vjen. Sa kohë nuk vjen në pushtet, është më mirë të shpërbëhet, nëse ata kanë këtë mendje, që të krijohet për katër-pesë vjet një forcë e re politike”, u shpreh Spaho.
Një tjetër deklaratë lidhet me raportin mes krizës së opozitës dhe vazhdimit të pushtetit të Edi Ramës. Sipas tij, problemi kryesor nuk qëndron vetëm te mazhoranca, por edhe te paaftësia e opozitës për të krijuar një alternativë bindëse. ”Gjendja në të cilën është ajo sot mban Edi Ramën në pushtet”, tha Spaho, duke shtuar se një opozitë e shëndoshë, me program dhe ekip të ri drejtues, do ta kishte bërë shumë më të vështirë vazhdimin e qeverisjes së Ramës.
Ish-deputeti demokrat tha se pas largimit eventual të Berishës, PD-ja nuk duhet të nxitojë të zgjedhë një pasardhës, por të kalojë përmes një procesi të hapur. Ai përmendi disa figura që sipas tij kanë potencial politik, ndër to Jorida Tabakun, Gazment Bardhin, Agron Gjekmarkajn, Ilir Alimehmetin dhe Belind Këlliçin.
Për Tabakun, Spaho tha se është një figurë me potencial dhe me lidhje ndërkombëtare, ndërsa për Bardhin vlerësoi cilësitë politike, duke theksuar se e ardhmja e tij do të varet nga mënyra se si do të sillet në politikë.
Spaho paralajmëroi se PD-ja duhet të nisë menjëherë përgatitjet për zgjedhjet e ardhshme vendore, veçanërisht në Tiranë. Sipas tij, opozita ndodhet në një gjendje “gjumi letargjik” dhe duhet të identifikojë sa më herët kandidatin që do të garojë për Bashkinë e Tiranës.

KOHA JONË SONDAZH

