
Data 29 Nëntor u përmend në emisionin ”Koha Jonë-Debat” si një pikë simbolike për largimin e qeverisë ”Rama 4”. Në debatin e drejtuar nga Nikoll Lesi, me të ftuar Luçiana Kokajn dhe Dritan Goxhajn mbrëmjen e kësaj të mërkure, diskutimi u përqendrua te kërkesa e studentëve për dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama, roli i tyre dhe mundësia e krijimit të një qeverie tranzitore.
Dritan Goxhaj ishte i prerë në qëndrimin e tij për dialogun me kryeministrin. ”Nuk ka dialog me këtë person. Nuk bëjmë tërheqje mbrapa”,-deklaroi Goxhaj gjatë emisionit. Ai argumentoi se protesta nuk duhet të synojë thjesht zëvendësimin e një force politike me një tjetër, por ndryshimin e sistemit dhe krijimin e alternativave të reja politike. Sipas tij, dorëheqja e kryeministrit dhe një qeveri tranzitore apolitike do të hapnin rrugën për një proces të ri politik.
Nga ana e saj, Luçana Kokaj theksoi se vendimmarrja duhet t’u takojë studentëve dhe protestuesve, jo individëve që pretendojnë të flasin në emër të tyre. ”Janë qytetarët sheshit, janë studentët ata që do japin drejtim çdo gjëje”,-u shpreh Kokaj.
Ajo nënvizoi gjithashtu se dëshiron një Shqipëri ku të rinjtë të kenë mundësi të jetojnë me dinjitet, pa u detyruar të emigrojnë. ”Unë si Luçana dua patjetër që Shqipëria të ndryshohet dhe dua patjetër që të mund të rris tim bir pranë gjyshërve të vetë dhe pranë kushërinjve të vetë në vendin e vetë”,– deklaroi ajo.
