Analisti Lutfi Dervishi:10 arsyet pse Gent Caka nuk është ministër i Jashtëm

Nga Lutfi Dervishi

Refuzimi nuk ka lidhje me moshën, apo qëndrimet publike për kufirin, por ka të bëjë me mungesën totale të transparencës nga ana e kryeministrit.
Kryeministri e paraqiti në publik kandidaturën e 29 vjeçarit nga Prishtina si njeri shumë të lexuar.  Por publiku ka më shumë pyetje sesa përgjigje.
Janë së paku 10 pyetje që kërkojnë përgjigje urgjente:
1.Sa libra ka lexuar Gent Caka?
2. Cila është  natyra e librave: janë libra letrar apo jo letrar?
3. Në çfarë gjuhe i ka lexuar librat?
4. Duke qenë ministër për Europën dhe Punët e Jashtme- mbi 60% e librave të lexuar- sipas direktivës së BE-së për prodhimet kulturore- duhet t’i përkasin kontinentit europian. Si qëndron ky raport në lidhje me librat e botuar në Amerikë apo kontinente të tjera?!
4. Nuk sqarohet në çfarë formati i ka lexuar librat. I ka lexuar librat në letër apo në formatin elektronik? Kindle? Ebook, apo ka abuzuar dhe ka dëgjuar libra audio dhe i rreshton si libra të lexuar?!
5. Institucionet përkatëse kopetente: Bibliotekat në Shqipëri dhe Bibliotekat e vendeve partnere nuk kanë patur kohën e mjaftueshme për të kontrolluar nëse librat që ka marrë nga këto biblioteka i ka kthyer në kohën e duhur – sipas rregulloreve në fuqi, apo ka zbatuar parimin leninist: vjedhja e një libri nuk është vjedhje. Në kushtet e ndikimit të mundshëm rus në rajon- ky verifikim duhet bërë me shpejtësi dhe transparencë për publikun dhe këdo tjetër të interesuar.
6. Nuk është e qartë nëse librat e formatit elektronik janë të blerë në app store apo janë pirate që qarkullojnë përmes what’s app-it apo emailit. Shoqata e botuesve – sipas informacioneve zyrtare- nuk ka marrë asnjë kërkesë për të verifikuar nëse librat e pretenduar të lexuar respektojnë të drejtën e autorit.
7. Nëse ka lexuar aq shumë libra sa thotë kryeministri- ku e ka gjetur kohën për të punuar?! Leximi i shërben punës, por nuk është e gjithë puna. Përndryshe, po të përdorej kriter leximi- folësit e lajmeve (gjysëm kadrijtë) do të ishin kandidatura të shkëlqyera për ministër të Jashtëm.
8. A llogariten si libra të lexuar edhe tekstet shkollore?! Gent Caka paska mbaruar dy universitete dhe 3 mastera- nëse i ka mbaruar me sukses siç pretendon kryeministri- ku e ka gjetur kohën për të lexuar libra të tjerë jashtë shkollorë?! Nga verifikimet e institucioneve nuk rezulton që ai të ketë lexuar libra në fëmijëri se përndryshe do të kishte marrë titulllin: “Miku i vogël i librit”
9. Fakti që Gent Caka nuk ka titullin doktor shkencash vë në pikëpyetje deklarimin se ia ka lexuar shumë libra!
10. Nëse përdorim si kriter leximin e librit për poste kaq të rëndësishme, çfarë duhet të themi për njerëzit që shkruajnë libra. Mos duhet t’i bëjmë kryeministra?! Kemi autorë shqiptarë të spikatuar që kanë shkruar libra më shumë se ç’kanë lexuar dhe as pension të posaçëm nuk po marrin!
10/1. Meqë jemi në vitin e Skënderbeut. Sa libra për heroin tonë kombëtar ka lexuar Gent Caka? Në çfarë gjuhe ka lexuar?
10/2. Sa libra për ndryshimin e kufijve dhe shtetet e dobëta ka lexuar Gent Caka? A është verifikuar informacioni se kohët e fundit lexon- vetëm libra për shtete të dështura, për regjime hibride dhe libra antisistem?!
Eshtë e kuptueshme që për hir të privacisë publiku mund të mos dijë orët se kur lexon, mënyrën se si lexon, shpejtësinë e leximit, por gjithsesi duhet ditur nëse librat i lexon nga faqja e parë tek e fundit apo lexon në stilin e Enver Hoxhës, 2-3 faqe në fillim, një në mes dhe dy paragrafë në fund të librit?
Së fundmi, por jo më pak e rëndësishmja: kush ja ka rekomanduar librat për lexim Gent Cakës- Baton Haxhiu apo Berat Buzhala?

SHKARKO APP