180 gradë kthesa e Ramës në Shkoder

Kryeministri dhe Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama i ka dhënë fund debatit për çështjen e mandatit të kryetarit të Partisë Socialiste. Në takimin e PS-së për anëtarësimet e reja në Shkodër, kreu i PS-së pranoi se do të zgjidhej me votim të fshehtë siç e kërkon dhe statuti i Partisë Socialiste.

Në takimin e Shkodrës, Rama nuk u ka shpëtuar kritikave të mbështetësve të Ben Blushit për zgjedhjet në parti. Deputetja Mimoza Hafizi është ftuar në podium për t’i dhënë teserën e partisë të rinjve që anëtarësohen në këtë subjekt politik, por teksa u uronte mirëseardhjen, Hafizi nuk ka lënë pa përmendur dhe çështjen e zgjedhjes së kryetarit. Sipas saj, të rinjtë duhet të vijnë në një parti ku zgjidhen të gjithë, që nga drejtuesit më i thjeshtë i forumeve dhe deri të Kryetari i Partisë Socialiste. Ishte ironi e thartë e saj, porse që Rama e kaloi mjeshtërisht debatin apo ndonjë polemtikë të mundshme në Shkodër.

Fjalimi i Hafizit, e cila njihet si mbështetëse e Ben Blushit duket se nuk e ka gjetur të papërgatitur kryeministri Edi Rama. Kryeministri i dha teserën e anëtarësisë aktorit të njohur shkodran Bruno Shllaku, i cili njihet si intelektual i qytetit të Shkodrës. Aktori bëri një vlerësim të veçantë për kreun e PS dhe qeverisë. “Jam i privilegjuar që ju jeni kryeministër im. Siç jam tej mase i privilegjuar që aderimin tim fillestar në këtë parti e filloj duke qenë kryetar ju dhe që do të vazhdoni të jeni po kryetar”,- tha aktori Bruno Shllaku. Në këtë moment, Kryeministri Edi Rama bëri dhe një sqarim për zgjedhjen e kryetarit, duke deklaruar se ishte gati të zgjidhej me votim të fshehtë. “Për çështjen e kryetarit kemi me Mozën (Hafizi) një diskutim, por do ta zgjidhim në mënyrën më demokratike. Moza thotë duhet zgjidhur, ti thua je i zgjedhun. T’i pyesim të gjithë! Jo këtu! Mos bërtisni se na akuzojnë se u vu diktatura. Me votim të fshehtë. Kështu e zgjidhim këtë punë dhe qetësohemi të gjitha palët. Unë gati jam, si ta doni”,- u shpreh kreu i qeverisë.

Deklarata e kreut të PS-së vjen vetëm pak ditë para mbajtjes së kongresit të partisë, ku ishin parashikuar përplasje të ashpra pikërisht për çështjen e mandatit të kryetarit. Me qëndrimin e djeshëm Rama ka shmangur me finesë një debat që rrezikon të sjellë çarje në selinë rozë. Rama i dha fund sherrit duke deklaruar se do të pranoj të zgjidhet me votë të fshehtë siç e do statuti i partisë.

Përveç kësaj takimi i djeshëm në Shkodër ishte një leksion demokracie i PS-së dhe për partitë e tjera. Në sallën ku thërritej emri i Ramës nga militantët, deputeten Hafizi nuk e ndaloi askush të bënte kritika duke mbrojtur qëndrimin e saj për statutin. Por në këtë rast nuk është vetëm kurajoja e saj që duhet vlerësuar, por edhe qëndrimi i socialistëve pjesëmarrës dhe i vetë Edi Ramës. Askush në sallë nuk u bërtiti apo thirri kundër deputetes, siç ndodhi në rastin e Elbasanit ku u kërcënua hapur Ben Blushi. Nga ana tjetër ishte Edi Rama ai që me sportivitet dhe qytetari mirëpriti kritikat duke thirrur vetë në podium deputeten Mimoza Hafizi. Edhe në një moment që sallat u ekzaltua nga thirrjet për mbrojtjen e mandatit të Ramës si kryetar, ishte po kryesocialisti ai që bëri thirrje për qetësi dhe vetëpërmbajte. Dhe kjo është një meritë që i duhet njohur Ramës. Gabimin e Elbasanit nuk e la të trashej në faj në Shkodër.

Jemi vetëm tre ditë para Kongresit të Partisë Socialiste dhe sinjalet që dha dje kreu i PS-së  në Shkodër treguan reflektim. Edi Rama la të kuptohet se nuk po shkon në kongres me arrogancë dhe as për të ndëshkuar ata që i kanë dalë kundër. I ftoi kritikët që ta provojnë me vota kush ka të drejtë. Pranoi kritikat në Shkodër dhe duket se është i hapur të dëgjojë dhe kritikat në kongres. Por ajo ç’ka është më e rëndësishmja i dha fund një debati që po e gërryente Partinë Socialiste për respektimin e statusit dhe zgjedhjen e kryetarit.

Dje Rama ishte një lider i qartë dhe i moderuar që tregoi se nuk dëgjon vetëm servilët, por edhe kundërshtarët e tij brenda partisë. Sa më shumë dëgjon kritikët në PS e në parlament brenda mazhorancës aq më mirë bën, pasi korigjon qeverisjen, por edhe veten.

Çdo njeri ka nëvojë për t’u korigjuar. Por kur e bën vetë korigjimin tregon kulturë, civilizim dhe shton kuotat në publik.

SHKARKO APP