A bashkëpunon fshehtas Rilindja me PD kundër ministrit të brendshëm?
-Petrit Vasili kërkon rrëzimin e Edi Ramës si kryeministër dhe krejt qeverisë si të “inkriminuar”, kurse Lulzim Basha thërret protestën e 26 majit që t’ia pastroj qeverinë Edi Ramës nga “të inkriminuarit”. Por a nuk është pikërisht Rama shefi i të inkriminuarve?- siç ka deklaruar deri dje PD-ja apo tani duhet ndihmuar për të hequr Fatmir Xhafën?!
-Fatmir Xhafaj përgjigjet moralisht, politikisht dhe penalisht vetëm nëse vertetohet nga drejtësia se i vëllai është marrë me aktivitetin kriminal të drogës nga ditët që Xhafaj ka filluar ministër, duke shfrytëzuar apo bashkëpunuar me Policinë e Shtetit.
-Rama dhe PD janë një, kush nuk e kupton është thjesht një qorr, ose një i paguar, ose një njeri i leshtë. Ata punojnë bashkë, kanë kapur bashkë shtetin, i japin siguri të plotë njëri-tjetrit, mbrojnë njëri-tjetrin, garantojnë ekzistencën e njëri-tjetrit, dhe alternimin e ndërsjellë në pushtet. PD dhe Rilindja edhe në çështjen e Xhafajt janë bashkë”,- deklaroi dje Koço Kokëdhima.
Në kulmin e debateve mbi vërtetësinë e akuzave me të cilat po sulmohet ministri Fatmir Xhafaj, ka disa pyetje që nuk mund të shmangen. E para, përse sulmi ndaj Fatmir Xhafajt, një politikan karriere që në 17 vite nuk e ka fshehur se ka pasur një vëlla që ka shkelur ligjin italian, nis pikërisht tani që është ministër i Brendshëm? E dyta, përse në PS u kujtuan të mbrojnë ministrin vetëm një javë pasi selia blu nisi sulmin me gjoja dokumente dhe fakte të reja që godisnin Ministrin e Brendshëm? Apo pasi Rilindja ia bëri gati dosjen PD-së dhe e la të sulmojë me ato çka ia solli një ish-ministër, fillon dhe mbron me “pasion” ministrin, duke e mbajtur kastile si kryelajm e që “plaga” të mos mbyllet?
Shpjegimi se tani PD-së i ranë në dorë provat për të vëllain e ministrit nuk bind njeri, sepse vetë Xhafaj ka folur disa herë për këtë çështje si deputet dhe si ministër. Koço Kokëdhima, ish-deputeti i Partisë Socialiste dhe njeriu që njeh më mirë nga të gjithë lëvizjet politike të Edi Ramës, pas gjithë sulmit ndaj Xhafajt sheh një koordinim mes Rilindjes së PS dhe Partisë Demokratike. Koço Kokëdhima nuk njihet si mik i Fatmir Xhafajt, madje në jo pak raste e ka sulmuar dhe publikisht. Megjithatë, dje në një intervistë për “Neës 24”, ai thotë se Xhafaj po sulmohet për shkak të goditjes që u dha karteleve të hashashit dhe trafikut të kokainës, sidomos për 613 kilogram kokainë në Durrës. Sipas tij, Rama dhe PD janë më të prekurit nga goditja ligjore që Xhafaj i bëri mafies së drogës dhe akuzat ndaj tij janë reagimi i tyre.
“Kjo polici me ministër Fatmir Xhafën nuk është më kartel i drogës, por është Polici e Shtetit. Na pëlqen apo s’na pëlqen ne, Fatmir Xhafaj e ka vënë këtë polici në shërbim të rendit dhe të sigurisë, dhe sigurisht që ky është një zhvillim i padëshiruar për partitë e vjetra të cilat punojnë në bashkëpunim krejtësisht të ngushtë me njëra-tjetrën. Rama dhe PD janë një, kush nuk e kupton është thjesht një qorr, ose një i paguar, ose një njeri i leshtë. Ata punojnë bashkë, kanë kapur bashkë shtetin, i japin siguri të plotë njëri-tjetrit, mbrojnë njëri-tjetrin, garantojnë ekzistencën e njëri-tjetrit, dhe alternimin e ndërsjellë në pushtet. PD dhe Rilindja edhe në çështjen e Xhafajt janë bashkë”,- deklaroi dje Koço Kokëdhima.
Koço Kokëdhima shpjegon përse ministri Xhafaj sulmohet nga një pjesë e PS-së. Arsyeja kryesore, sipas tij, është se “në krye të Policisë së Shtetit, Xhafaj ia ka hequr nga thonjtë mafies së Edi Ramës, përfshi dhe partive të vjetra të kriminalizuara, kontrollin mbi strukturat e rendit të Shqipërisë”.
Deklaratat e Koço Kokëdhimës faktojnë atë që përmendet shpesh nën zë në korridoret e partive politike. Sulmet ndaj ministrit morën hov pas goditjes së disa grupeve kriminale të hashashit dhe sidomos pas kapjes së 613 kilogramëve kokainë në Durrës. Operacioni “Forca e Ligjit” piketoi 40 grupe kriminale në gjithë vendin, të cilat veç trafikut të drogës janë dhe grupe me mbështetje politike, nga dy kampet kryesore, të cilat aktivizohen në fushatat elektorale për votat. Goditja ndaj tyre është nuk është vetëm prishja e parcelave me kanabis, por edhe humbje e miliona eurove, si dhe prishje e interesave të pistë mes krimit dhe politikës. Edhe dorëzimi i dosjeve të politikanëve të lidhur me drogën, të cilat flitet se Xhafaj ia ka dorëzuar FBI e DEA, ka sjellë gjithë këtë stuhi. Politikanët me të lidhur me grupet kriminale të kokainës janë në mazhorancë.
Së fundi, në këtë aleancë të fshehtë PD-PS kundër Xhafës ku bëjnë pjesë gjithë segmente e politikës kriminale, janë futur dhe armiqtë e rinj të Fatmir Xhafës, prokurorët dhe gjyqtarët që humbën privilegjet me nisjen e reformës në drejtësi. Një ministër vepron duke zbatuar ligjin, pa pyetur për Kryeministrin dhe klimën e politikës së ditës, duket se ka prishur jo pak balancat e aleancës mes politikës dhe paligjshmërisë. Sigurisht sot Edi Rama po e mbron fort ministrin Xhafaj, por kujtoni 10 ditë më parë në Parlament kur foli sa për të kaluar radhën. Rama ndryshoi qëndrim dhe doli hapur ndaj ministrit vetëm kur Zyra e Bashkimit Europian deklaroi te amerikanët e “Zërit të Amerikës” se ministri Xhafaj nuk ka bërë asnjë ndryshim apo falsifikim të Kodit Penal për të ndihmuar vëllanë. Ndërkombëtarët konfirmuan indirekt se nuk shihnin shkelje të Fatmir Xhafajt, ndaj Edi Ramës nuk i mbetej tjetër veçse të dilte në krah të ministrit të tij. Jo për të shpëtuar ministrin Xhafaj, por për të shpëtuar edhe veten e tij nga ndonjë reagim tjetër i ndërkombëtarëve që do zbulonte inskenimin përfekt Rilindje-PD të sulmit ndaj ministrit Fatmir Xhafaj. Fatmir Xhafaj nuk përgjigjet për të vëllanë për këto akuza, të cilat janë mirëfilli politike.
Fatmir Xhafaj përgjigjet moralisht, politikisht dhe penalisht vetëm nëse vertetohet nga drejtësia se i vëllai është marrë me aktivitetin kriminal të drogës nga ditët që Xhafaj ka filluar ministër, duke shfrytëzuar apo bashkëpunuar me Policinë e Shtetit. Ndaj duhet Prokuroria të hetojë e të sqarojë të vertetën.
Që bashkëpunojnë Rilindja e Ramës me Lulzim Bashën, kjo as që vihet në dyshim. Mjafton të shikosh kordinimin përfekt edhe në këtë rast. Në fillim ishte Rilindja që ia bëri gati videot dhe skenarin ndaj Xhafës, duke futur në lojë PD-në. E lanë vetëm ministrin e tyre krejt PS-ja, duke u mjaftuar me një batutë të kryeministrit për të sjellë në skenë ambasadorin amerikan Lu. Pas një jave, kur PD-ja e kishte bërë “shoshë” ministrin e brendshëm doli Taulant Balla, tamam njeriu që pret të marrë karriken e Fatmir Xhafajt, dhe e “mbrojti” nga “plumbat” e PD, pasi ia kishin shpuar muret e ministrisë.
Edhe dje Lulzim Basha e dha sinjalin e thelbit të protestës së 26 majit. Ai thërret popullin opozitar që “pastrojë qeverisjen nga të inkriminuarit” (!), ndërkohë që sipas Petrit Vasilit inkriminuari kryesor mbetet Edi Rama. Pra Basha synon largimin e Fatmir Xhafës duke mbajtur Edi Ramën, kurse LSI synon e kërkon largimin e kryeministrit Rama dhe gjithë qeverisë së PS-së si e inkriminuar.
Qamil Xhani