A do dalin emrat e pushtetarëve të tjerë të lidhur me drogën?
Historia e lidhjes së pushtetit me rrjetet kriminale të drogës nuk ka mbaruar. Gazetari Basir Çollaku i ftuar në “360 Gradë” në Ora News tha se aktorët të rëndësishëm të pushtetit janë angazhuar ditët e fundit në lidhje me procesin gjyqësor që pritet të nisë në Itali për grupin e Habilajve. Ai deklaroi se kam emra pushtetarësh dhe se do ti bëjë publike. Megjithatë pritet që ai t’i thotë emrat, siç premtoi.
Pas publikimit të emrit të ish-ministrit Saimir Tahiri me rrjetin e Habilajve, skandal i cili bëri që Prokuroria e Krimëve të Rënda të merrte të pandehur ish-ministrin, tashmë pritet se do dalin emra të tjerë pushtetarësh. Paraqitja në gjyq e “financierit të drogës”, siç e quan media Nezar Seitaj, si dhe publikimi se ai ka pranuar të bashkëpunojë me drejtësinë italiane, ka sjellë frikë në politikën shqiptare e veçanërisht nga pushteti.
Gazetari Basir Çollaku thotë se gjyqi ndaj Nezar Seitajt që konsiderohet si financier i grupit të trafikut të drogës së Habilajve do të trazojë edhe situatën në Tiranë. Sipas gazetarit ka dy arsye përse ai është zhvendosur nga Katania në Romë.
“Ai u lëviz për dy arsye:për një dosje tjetër hetimore, ose për një marrëveshje me drejtësinë. Këto janë arsyet. Ka episode të tjera të trafikut të drogës me Shqipërinë, dosje e cila nuk ka mbërritur në Tiranë. Është një histori më e rëndë nga ajo që ka ardhur deri më tani dhe kjo është arsyeja kryesore pse është shtyrë ajo që do të ndodhte sot. Ajo dëshmi e Seitajt që do të dilte nga kjo bisedë do të shkaktonte një temperaturë të nxehtë në Tiranë për emra që nuk kanë dalë. Unë them që ka aktorë nga Tirana të pushtetit që janë angazhuar dhe investuar që gjërat të mos ndodhin sot”- shtoi Çollaku.
Pjesë nga debati në Ora News:
Çollaku: Kjo histori e trafikut të drogës është zbuluar vetëm pjesërisht. Ka aktorë të pushtetit të sotëm, të cilët janë angazhuar prej dy-tre ditësh intensivisht në këtë çështje për të bërë që gjërat të ndodhin ndryshe. Këto emra do të dalin, unë do t’i nxjerr edhe me emra, edhe me shkresa. Janë edhe në Shqipëri dhe do të dalin se cilat janë lidhjet e këtyre zyrtarëve me trafikantët e drogës që janë në kërkim.
Ndërsa me herët, gazetarja e Ora News në Romë, Alba Kepi tha se avokati i Nezar Seitajt ka paralajmëruar gazetarin Basrin Çollaku se do ta denonconte.
Kepi: Unë kam zhvilluar një bisedë sot në mbrëmjen me avokatin e Nezar Seitajt, njëkohësisht avokati i Moisi Habilajt. Më kërkoi të informoj zoti Basri Çollakut të mos përhap “fake news” pasi ai dhe familja e Seitaj po përgatisin një paralajmërim për denoncim për shpifje për lajmin e përhapur sot. Ai ma ka kërkuar personalisht.
Çollaku: Kjo është ngjarje që ka kaluar prej kohësh kufijtë e Shqipërisë.
Kepi: Të përhapësh lajmin se ai është bashkëpunëtor i drejtësisë italiane do të thotë të vëndosesh në rrezik jetën e tyre. Familjarët janë të shqetësuar.