A do ngrejë Basha padi ndaj Ramës dhe Ballës?

Skenari i hartuar me djallëzi nga drejtuesit e PS dhe këshilltarët e huaj, pranë qeverisë, synonte jo thjesht dobësimin e opozitës, por edhe asgjësimin e saj, pasi jo vetëm goditej politikisht Lulzim Basha, por gjithë opozita klasifikohej si një grupim politik pro rus dhe antiperëndimor. Por gjykata e Tiranës e rrëzoi dje akuzën e PS dhe Prokurorisë. 

Gjykata e Tiranës ka pushuar çështjen në hetim ndaj kreut të PD-së, Lulzim Basha, ish-sekretarit Arben Ristani dhe ish-Financierit të PD, Ilir Dervishi. Tre zyrtarët e lartë të PD akuzoheshin për falsifikim të formularëve të shpenzimeve të fushatës me qëllim lobimi në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Pushimi i çështjes nga gjykata do të thotë se në veprimet e drejtuesve të selisë blu nuk ka vepër penale,  as falsifikim dokumentesh dhe as lobim të paligjshëm. Rënia e kësaj akuze e përkthyer në kontekstin politik shqiptar, rrëzon dhe fushatën gati 2 vjeçare të kryeministrit Edi Rama dhe PS-së për “financim rus të Partinë Demokratike”. Lulzim Basha u vu nën shënjestër të Edi Ramës dhe PS, pas zgjedhjeve të vitit 2017 duke e tentuar që ta lidhin lobimin e tij në SHBA dhe takimet me personalitete amerikane, me para që kanë pasur origjinën nga një kompani me lidhje ruse. Akuza u mbështet fillimisht në disa shkrime të porositura në media dytësore në SHBA, të cilat synonin të paraqisnin një situatë spiunazhi pro rus dhe anti-amerikane në Shqipëri. Konkretisht, sulmi u fokusua të Lulzim Basha, por me akuzën e “parave ruse” tentohej të bëhej pisë gjithë PD dhe opozita në Shqipëri. Qëllimi ishte që qeveria “Rama” të shfaqej si një mazhorancë që kishte përballë jo opozitën e ligjshme dhe qytetarët shqiptarë, por disa parti politike që orientimet dhe financimet i merrnin nga Kremlini. Skenari i hartuar me kujdes nga drejtuesit e PS dhe këshilltarët e saj të huaj synonte jo thjesht dobësimin e opozitës, por edhe asgjësimin e saj, pasi jo vetëm goditej politikisht Lulzim Basha, por gjithë opozita klasifikohej si një grupim politik pro rus dhe anti perëndimor. Jo rastësisht kulmi i akuzave të PS dhe Edi Ramës për opozitën që financohej nga Rusia u bë gjatë nisjes së protestave në shkurt të vitit që lamë pas. Ka deklarata zyrtare të PS dhe qëndrime të Edi Ramës që i cilësonin protestat e opozitës për zgjedhje të parakohshme, si aksione të organizuara nga Rusia. Sigurisht që një akuzë e tillë është një mashtrim i trashë, por veç lojës me “armiq të jashtëm” aq e pëlqyer nga Rilindja, këto akuza janë përdorur kundër opozitës në arenën ndërkombëtare. Sa herë që qeverisë i është dashur të shpjegojë kaosin ku e ka futur vendin, djegien e mandateve, krizën politike, rënien e institucioneve, justifikimi tek të huajt në komunikimet jo zyrtare ka qenë se faji i opozitës që paguhet nga rusët. Kjo lojë politike ka tejkaluar çdo akuzë tjetër në politikën shqiptare, ku qeveria që ka kapur gjithë pushtetin dhe rrezikon standardet demokratike, denoncon opozitën si anti-perendimore dhe e financuar nga Rusia.

Dje gjykata e Tiranës i ka dhënë fund një lojë të pistë politike, ku me vetëdije një pjesë e prokurorëve pranuan të vihen në shërbim të qeverisë. Opozita mund të ketë probleme pa fund në qëndrimet e saj, por akuzat se financohet nga Rusia edhe në kushtet propagandës elektorale janë një tejkalim i dëmshëm për vendin. Por kjo skemë e kryeministrit nuk dha rezultat. Duke u marrë me “lobim rus” të PD, thuajse se është harruar se kreu i qeverisë aktuale është i vetmi politikan shqiptar që është faktuar se pagoi në mënyrë të paligjshme 80 mijë dollarë për një foto me ish-presidentin Barak Obama. Gjithashtu, duke u marrë me “opozitën tonë pro ruse”, media dhe opinioni publik po harron se Edi Rama është kryeministri i parë pas shumë dekadash që po përgatit takimin me presidentin e Rusisë, Vladimir Putin. Paradoksi i qëndrimeve të tilla politike është se sot gjithë Rilindja akuzon Lulzim Bashan si “njeriun që financohet nga Putin” edhe pse nuk ka asnjë provë për këtë gjë. Ndërkohë Edi Rama po e pranon se mezi po pret të takojë personalisht Vladimir Putin, por kjo nuk quhet ndikim rus dhe nuk shqetëson askënd nga ata që ulërasin kundër opozitës antiperendimore.

Natyrisht takimet ndërkombëtare janë një normë demokratike kur ka interesa kombëtare, por të akuzosh Bashën dhe të vraposh për të presidenti rus, kjo nuk është korrekte. Pas fitores në gjykatë a do të bëjë Lulzim Basha padi ndaj Kryeministrit Rama dhe Taulant Ballës, të cilët çfarë nuk kanë thënë për liderin e opozitës?

Mbetet të shikojmë, pasi vetë Rama e ka mbushur gjykatën me padi ndaj politikanëve dhe medias.

SHKARKO APP