A do të synojë turma të hyjë në Parlament?
Pas protestës masive të 8 dhjetorit Partia Demokratike ka vendosur që të mos ndalojë mitingjet. Mbrëmjen e djeshme, Kryesia e PD-së vendosi që protestat të vijojnë çdo javë. Protesta e parë do të jetë ajo e datës 17 dhjetor, ditën e enjte, kur do të jetë dhe mbledhja e Parlamentit për miratimin nen për nen të buxhetit të vitit 2016. Në mbledhjen e strukturave drejtuese të PD-së është diskutuar dhe për mënyrën sesi do të organizohet kjo protestë dhe tubimet e tjera që do të zhvillohen në vazhdim.
Burime nga selia blu thanë dje se të enjten do të ndiqet e njëjta metodë, si në protestën e 8 dhjetorit, duke përdorur vezë dhe bojë. Protestuesit që pritet të jenë disa mijëra do të nisin marshimin nga selia e Partisë Demokratike, ish-godina e SHQUP, drejt sallës së seancave të Kuvendit, në sheshin “Fan Noli” dhe shëtitoren “Murat Toptani”. Grupi tjetër i protestuesve që do të vijë nga rrethet do të grumbullohet në sheshin “Skënderbej” për të vazhduar marshimin drejt shëtitores “Murat Toptani” përballë Parlamentit. Në këtë mënyrë demokratët synojnë që të rrethojnë të gjitha rrugët kryesore për tek Kuvendi në orën 10:00, kohë në të cilën gjithë deputetët do kenë hyrë në parlament për nisjen e seancës. Mënyra sesi do të veprohet pas “rrethimit” të Parlamentit është mbajtur sekret nga Partia Demokratike. Por nuk përjashtohen edhe elementë surprizë që mund të shpallen në mes të mitingut, siç ndodhi edhe gjatë protestës së të martës së kaluar kur turma u orientua të shkatërronte me dhunë bunkerin artistik të ndërtuar në oborrin e Ministrisë së Brendshme. Informacionet thonë se në momentin që turma do egërsohet përballë policisë që ka rrethuar sallën e parlamentit atëhere një pjesë e deputetëve të PD-së do të bllokojnë seancën dhe kryeministrin të mos dalë nga salla, kurse pjesa tjetër e deputetëve do të dali tek turma për t’u bërë thirrje mijëra demokratëve të turren drejt sallës. Më pas nuk dihet me tepër për skenarin e PD-së.
Në prononcimin e dhënë për mediat, pas mbledhjes së Kryesisë, Basha u shpreh se “beteja do të jetë brenda në Parlament dhe jashtë tij në shesh, deri në largimin e qeverisë”.
Në organizimin e selisë blu është folur dhe për një tubim para Bashkisë së Tiranës. Kjo protestë vjen në momentin kur mes Partisë Demokratike dhe Bashkisë së Tiranës ka pasur replika të ashpra duke kaluar dhe etikën e komunikimit. Bashkia e Tiranës vendosi një gjobë prej 163 milionë lekësh për dëmet që shkaktuan militantët e PD-së gjatë 8 dhjetorit. Nuk dihet nëse do të ketë akte dhunë në këtë protestë, por demokratët pas Kryeministrit duket se kanë vënë në shënjestër dhe kreun e Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj.
Nga ana e saj PS ka theksuar mbrëmë se e gjithë kjo “situatë lufte” që po krijon PD-ja ka si qëllim kryesor të mos miratohet reforma në drejtësi, pasi do të ketë arrestime politikanësh nga sistemi i ri i drejtësisë i cili nuk do të ketë ndikim politik, sipas partisë kryesore në mazhorancë. Selia rozë tha mbrëmë se politikanët më të mundshëm për t’u arrestuar pas reformës në drejtësi janë Sali Berisha, Ridvan Bode dhe Flamur Noka. Por selia blu u kundërpërgjigj se kjo është një lojë e Ramës për të shpëtuar pushtetin e tij kriminal. Ndaj PD-ja mund të ketë hedhur dy skenare për datën 17 dhjetor ku dihet se njërin do të zbatojë saktësisht, por atë skenar e dijnë vetëm tre veta:Lulzim Basha, Sali Berisha dhe Edi Paloka.
Gjithsesi ky fundviti duket se do të jetë i nxehtë politikisht, çka e vulosi pardje lideri historik e shpirtëror i PD-së, Berisha ku ai tha se do ta rrëzojmë me çdo kush e me çdo mjet Edi Ramën. Në PD po përgatitën për datën 17 dhjetor për rrethimin e parlamentit.
A. Prulli