A është kjo java e fatit të Euros?
Të dielën grekët do t’i drejtohen kutive të votimit për të zgjedhur parlamentin e ri të vendit, prej nga do të formohet edhe qeveria që do të drejtojë vendin, i cili prej vitit 2009 është mbërthyer nga kriza financiare. Këto zgjedhje konsiderohen si shumë të rëndësishme jo vetëm për qytetarët grekë, por edhe për Bashkimin Europian, i cili i ka marrë tashmë sinjalet e para për ardhjen në pushtet të radikalëve të majtë të Alexis Tsipras.
SYRIZA ka kundërshtuar vazhdimisht masat e rrepta të kursimit të ndërmarra nga qeveritë e koalicionit mes socialistëve të PASOK dhe konservatorëve të Demokracisë së Re. Ndërkohë që me ardhjen në pushtet, SYRIZA premton rinegocim të borxhit grek, rinegocim të masava të ashpra të kursimit dhe madje artikulon pa frikë daljen e vendit nga zona Euro. Jo më kot, SYRIZA ka zgjedhur për këto zgjedhje edhe një slogan disi “provokues” për BE-në: “Greqia përparon, Evropa ndryshon. Shpresa po vjen”. A do të dalë Greqia nga zona Euro?
“Kërcënimi” i Merkel
Ndërsa kjo është java e fundit e fushatës elektorale, kancelarja gjermane Angela Merkel i ka drejtuar sot një tjetër apel partive politike greke: “Ndihmë do të ketë nëse vazhdojnë reformat!” Më tej Merkel është shprehur se qytetarët grekë do të votojnë në mënyrë të përgjegjshme në 25 janar, duke nënkuptuar kështu që do të zgjedhin një qeveri të përbërë nga partitë të cilat kanë pranuar kursin e fortë të kursimeve. Duke vijuar më tej, kancelarja gjermane tha prerazi, “se nuk beson që kjo do të jetë java e fatit të Euros”, ndërsa vuri theksin tek fakti se Greqia gjithmonë i ka përmbushur objektivat e programeve të kursimit.
Fushata elektorale, frikë dhe shpresë
Qytetarët grekë janë mes frikës dhe shpresës për të ardhmen, ndërsa të dielën do t’i drejtohen masivisht kutive të votimit. Si rrallë më parë përgjatë këtyre 20 viteve të fundit, kjo fushatë është polarizuar tej mesa, gati-gati si ato fushata që jemi mësuar të shikojmë në Shqipëri. Opozita e udhëhequr nga SYRIZA, që kryeson sondazhet, artikulon me forcë rinegocim të masave të kursimit apo edhe prishje të njëanshmë të marrëveshjeve me huadhënësit. Ndërsa kryeministri në detyrë, konservatori Antonis Samaras, jep alarmin për daljen e vendit nga zona Euro në rast të ndryshimit të qeverisë.
Ai në të njëjtën kohë ka edhe hallin e tij politik, sepse në rast humbje të zgjedhjeve, i merr fund karriera në krye të partisë. Në një shkrim të sotëm, prestigjozja britanike “Thw Guardian”, thotë se gjatë këtyre viteve të krizës, nga Greqia kanë emigruar plot 200 mijë të rinj. Papunësia mes të rinjve në Greqi është shumë e lartë. Kjo javë do të jetë vendimtare për Greqinë dhe po aq vendimtare për BE-në, që në mënyrë të vazhdueshme e ka përsëritur se s’ka rrugë tjetër për vendin ku lindi demokracia, veç reformave dhe masava të ashpra të kursimit.