A është Rama i shantazhueshëm nga mediat?

Skandali i Bashkimit të mundshëm të votave të PD-së dhe PS-së, lidhur me aferën e dyshimtë të dhënies me koncesion për 35 vjet të parkingjeve të kryeqytetit, tentoi të kthehej padrejtësisht në një betejë kundër kreut të opozitës Lulzim Basha. Edhe mediat që e kanë mbështetur, madje edhe atëherë kur donte ta fitonte Tiranën në tavolinë edhe ato që e kanë luftuar me të njëjtën ashpërsi, po tentojnë ta paraqesin atë si një skandal të Bashës në fund të mandatit. Ashtu sikurse ky koncesion absurd po tenton të bëjë bashkë votat e armiqve të mëdhej (shumicës dhe pakicës njëkohësisht) po ashtu ai ka egërsuar njësoj edhe ato media që dikur e ngrinin në qiell edhe ato që e pikturonin me të zezë, kreun e opozitës.

 

Por ky këndvështrim, në rastin më të mirë është i padrejtë, ndërsa në rastin më të keq është një deformim i qëllimshëm i realitetit. Sepse, nëse ky koncesion i turpshëm miratohet në fundjavën e ardhshme, ai është parasëgjithash një përgjegjësi e socialistëve dhe e kreut të tyre Edi Rama. Ata e kanë shumicën në këshillin bashkiak dhe vetëm ata mund të realizojnë 3/5-tat për të bërë të mundur draftin e bashkisë. Vetëm ata e kanë në dorë tu shesin qytetarëve ajrin, ta bëjnë këtë për një perudhë aq të gjatë sa nuk dihet nëse edhe vetë do të jenë gjallë, e për më tepër t’ia japin atë si një haraç, medias më të madhe në vend.

 

Le ta themi troç, atë që shumëkush nga mediat tradicionale e thonë nën rreshta. Pas këtij koncesioni qëndron pronaria e Top Channel Vjollca Hoxha. Është ajo që e ka marrë përsipër dhe që ka lobuar fort tek të dyja krahët, për ta bërë të vetin këtë biznes fitimprurës.

 

Përballë këtij realiteti me sa duket janë zbythur edhe PD-ja edhe PS-ja. Bashkia e Bashës i ka dhënë kushte super të favorshme dhe po bën gjithçka, që më shumë se sa të hapë një garë, të dhurojë një biznes milionash. Dhe këtu nuk mund të justifikohet. Eshtë e qartë se çfarëdolloj biznesi vetiak të kishte Basha, ai nuk duhej ta hidhte këtë hap. Është e qartë se cilido të jetë kompleksi i tij, për “miqtë” mediatikë që po e braktisin, për tu tufëzuar në vathën e pushtetit, ai nuk mund ta bënte këtë koncesion. Është shumë, është i padrejtë dhe i pamoralshëm.

 

Por gjithsesi ata që duan ta përligjin me çdo çmim Lulzim Bashën, përpiqen t’i gjejnë disa argumenta. Ata e justifikojnë këtë “krim” ndaj qytetit me manovrat politike, me përpjekjen për të neutralizuar një media kundërshtare apo qoftë edhe me nevojën e shefit të opozitës për të ngritur ortakërira okulte që do ti duhen në ditë të këqia fushatash.

Ndërsa deri më tani, çuditërisht, nuk është parë asnjë nga mbështësit e zellshëm të kryeministrit, nga ata që nuk lenë pa e mbrojtur për çdo gjë, që të ketë servirur qoftë edhe një justifikim të vetëm, për të arsyetuar një “Po” të mundshme të Ramës.

Në fakt me qëndrimin që do të mbajë, për t’i urdhëruar këshilltarët socialistë të votojnë pro ose kundër koncesionit të parkingjeve, Rama do të tregojë shumë nga fytyra e pushtetit të tij të ardhshëm.

Ai do të trgojë, nëse vazhdon të jetë mediatikisht i shantazhueshëm ashtu si në kohën kur udhëhiqte bashkinë e Tiranës, kur më shumë i  trembej TV-ve sesa ligjit. E nëse dëshmon këtë është e lehtë të mendosh se një pushtet që i trembet shantazhit të mediave, i trembet së pari, aferave, hajdutërisë dhe krimeve të tij. E vetmja gjë që e shtyn atë drejt kompromisit është fshehja e tyre.

Me qëndrimin që do të mbajë ndaj kësaj çështjeje, Rama do të tregojë shumë edhe për parimësinë e politikave të tij. Nga shumë socialistë, vendime absurde si ato për të mos lejuar zgjerimin e bulevardit të Tiranës përtej stacionit të trenit, vetëm e vetëm që mos i mbetet Bashës kurora e lavdisë, i janë përligjur me arsyetimin e luftës politike dhe me justifikimin hakmarrës: “do ta bëj ashtu siç ma bëre”. Por nëse kryeministri i pengon njerëzit e tij, të bashkojnë votat për një gjë që është në të mirë të qytetarëve dhe më pas, i detyron ata ta bëjnë këtë, për një gjë që është në dëm të tyre, kjo lloj politike nuk ka më sens. Ajo zhvishet nga çdo lloj kuptimësie.

Me qëndrimin që do të mbajë ndaj kësaj çështjeje, Edi Rama do të tregojë edhe vizionin që ai ka  për peizazhin mediatik në vend. Pak vite më parë, kur lëngonte në opozitë dhe kur hidhërimi i humbjes e bëri të shkruante “Kurbanin”, ai e portretizonte kështu gjendjen e medieve duke veçuar trashigiminë që kish lënë Dritan Hoxha: ‘Dallimi i madh mes Tanit të Topit e shumë të tjerëve, ndër të cilët spikat konkurenti i tij shtetëror Aleksandër Frangaj, ishte se ai e vuri biznesin e ngritur nga hiçi, në dispozicion të revolucionit teknologjik…ndërsa të tjerët vunë ekranet dhe gazetat në dispozicion të zgjerimit të biznesit të tyre, të nxjerrjes së fitimeve, me hirin e punës apo pahirin e shantazheve…” Kështu shkruante Rama në vjeshtën e vitit 2011 duke promovuar një model të ndryshëm gazetarie nga ai i asaj shantazhuese.

Me qëndrimin që do të mbajë ndaj kësaj çështjeje ai do të tregojë nëse i qëndron besnik promovimit të modelit që la trashëgim Dritan Hoxha? Do të tregojë gjithëashtu, nëse tani që është  në pushtet, vazhdon ta venerojë këtë model, apo do ta përdhosë atë, duke shumuar batakun e atyre TV-ve që lindin si shantazhuese dhe përfundojnë si të blera?

E në këtë kuptim, Edi Rama nuk do të tregojë vetëm parimësinë e politikave të tij, por ai mund të bëjë edhe një të mirë publike, ai mund ta ndihmojë Top Channel-in të shpëtojë nga vetvetja.

Pikërisht për këtë, vendimi që lideri i shumicës do të marrë për të bashkuar ose jo votat me kundërshtarët e tij, në favor të medias më të madhe në vend, është një nga aktet e rëndësishme të pjesës së parë të mandatit të tij qeverisës. Ndaj dhe fokusi i saj duhet përqëndruar tek ai. Roli i tij në këtë aferë është shumë më i madh se ai i kundërshtarit të tij Basha. Të gjithë e dinë se anatemimi i opozitës është kthyer në një sport kombëtar në Shqipëri. Ndaj dhe shumëkush, miq dhe kundërshtarë nxituan këtë herë të godasin përsëri bashkinë. Por këtë radhë jo. Ajo nuk është në qendër të vëmendjes. Ajo është futur në lojra të vogla dhe pazare meskine. Por ato mund të marrin një tjetër përmasë nëse Rama i urdhëron këshilltarët e tij që të votojnë pro këtë të enjte.

Andi Bushati

(Lapsi.al)

SHKARKO APP