A ndryshon bota kësaj here?!

 

Nga Frrok Çupi.

 

Cila është bota?…, që të merremi vesh…

Bota për ne që duam dhe mund ta ndryshojmë është kjo e afërta, krejt pranë nesh, që nga lagjja jonë, qyteti, atdheu dhe… rajoni ynë. Kjo botë, përsëri kësaj here, ka ardhur në një pikë që duhet ndryshuar, ndryshe rrezikon. Ka pasur plot raste; ndoshta është rajoni me më shumë raste që në histori ka ardhur në urgjencën për ndryshim. Dhe ka ndodhur, ndryshe Ballkani do të kishte plasur. Kësaj here përsëri kemi ardhur në të njëjtën pikë.

Cila është hera, tek themi "kësaj here"?

Nuk është vetëm rasti i zgjedhjeve për pushtetin vendor në vendin tonë.

Kjo sigurisht po, sepse vendi dhe njeriu kanë mbërritur në një çast mosdurimi.

Nuk është as vetëm ngjarja tragjike e përgjakshme me shqiptarët në Maqedoni. Sigurisht edhe kjo është.

As vetëm momenti gjigant i njohur në të gjithë botën me krizën e Greqisë…

As vetëm çështja e asfiksisë së demokracisë në Turqi…

As vetëm Serbia që po anon kah lajmëtari i furtunave, si zëdhënëse e Rusisë

Çudi! Teksa të gjithë protagonistët e rrugës që i solli punët në emergjencën "o ndryshim, o kolaps!", kohët e fundit i kanë shtuar thirrjet se "jemi në drejtimin e duhur". E çon Zoti fajtorin tek një moment kur pranon arrogancën e tij ndaj të gjithëve. Të thuash para popullit se "jemi në rrugën e duhur", duke qenë në qeveri, kjo do të thotë se i ke shkuar rrugës në fund dhe veç gremina pret. Sepse në Demokraci, të zgjedhurit për të qeverisur, janë zgjedhur pikërisht që ata të qeverisin ndërsa të qeverisurit të dëshmojnë nëse "jemi në rrugën e duhur" apo jo. Të qeverisurit, d.m.th., populli e ka të drejtën që ta vërtetojë nëse është rruga e duhur… Jo, këta vetë shkojnë drejt fundit, vetë thërrasin "jemi në rrugën e duhur". Qeverisësit e Shqipërisë i bëjnë të dy rolet, edhe rolin e sunduesit (qeverisësit) edhe rolin e popullit (të sunduarit ose të qeverisurit).

Kudo në popull ka frikë për rrugën dhe për momentin; ndërsa këta tregojnë diktatin. Njerëzit kanë frikë se po vjen një moment kur nuk do të kenë bukën e gojës, kanë frikë se shteti do t'u marrë shtëpinë, kanë frikë se do t'i burgosin, kanë frikë se mos vallë zbulohen se nuk janë me qeverinë; kanë frikë nga krimi, nga tritoli, nga tallja e qeveritarit dhe e kryeministrit. ..

A mund të reflektohet frika popullore në ndryshim?

Këtu lind një frikë tjetër, frika se vota e popullit do të blihet nga oligarkët në pushtet. Vota kur blihet, blihet me lekë që nuk dhembin, d.m.th., me lekë të rrëmbyer në kuletën e popullit. Vjedhja dhe blerja e votës është gati të ndodhë. Atëherë do të vdesë e drejta dhe dinjiteti njerëzor. Atëherë popullit do t'i ketë ikur edhe frika. Sepse frika nuk ekziston më, përderisa shuhet ajo për të cilën të ketë frikë.

A do të ndryshojë bota kësaj here?

Gjasat janë se ndryshimi i botës sonë të afërt është afruar aq shumë. Ky është ndryshimi që nuk ndodh vetëm në një pikë, veçuar nga të tjerat. Po ndryshon lloji që ishte zgjedhur e preferuar, specia politike, preferenca në jerm. Pa mendoni sikur të mos ishte zgjedhur Edi Rama apo Tsipras? "Ua çfarë yjesh humbëm!"- do të kishin thënë. Tani i provuam, koha kaloi…

Kështu i ka ndodhur Ballkanit tonë dhe disa "ballkanëve" të tjerë më gjerë, vitet e fundit. A nuk zgjodhën në Greqi një qeveri që premtoi qiejt, por pa paguar as borxhet ndaj Europës; por edhe duke u pasuruar me reperkursionet e Luftës së Dytë? Aventurë! Aventurën e votuan njerëzit. Tani, brenda 100 ditësh, gjithçka e ngritur në jerm, ka rënë në Greqi. Si edhe në Tiranë. A nuk u votua një krah që deklaroi "ça të dush, veç më ngrej në post qeverisës!". Ku është e vërteta? E vërteta është përtokë, njësoj si në Athinë. Këta nuk kishin pas premtuar as shëndetësi falas, as taksa të ulëta, as energji të ulët, as jetë "ohoho!". Të gjitha ranë.

Tani bota ndryshon, ndryshe nuk ka rrugë, ka veç mure përpara.

Kur kosovarët panë të parët se nuk kishte dritë për të jetuar, të parët i hyjnë rrugës së emigrimit. Rrugë e fundit për të mbajtur frymën. Dhe pas kësaj shqiptarët e Shqipërisë. Po ikin, po marrin në sy rrezikun. Edhe po të kthejnë sytë pas, çfarë të shikojnë? Të shikojnë dy kryeministrat e dy shteteve me shqiptarë etnikë tek "hanë kockat" e një burri nga Mitrovica që u bë hero për shkak të pavarësisë? Thaçi dhe Rama i janë sulur varrit të Isa Boletinit në Mitrovicë dhe duan ta sjellin në Vlorë. Ja e sollën… Ja që nuk pyeten as familje, as fis, as rracë,… dhe e sollën. A e zgjidhën punën për jetën popullit?.. Nuk ka më zgjidhje; ka vetëm mashtrim dhe vonesë. Të mashtrosh me kockat e njeriut, në traditën shqiptare quhet fundi i të gjallit.

Ka ardhur momenti për ndryshim kësaj here.

Është kudo një specie qeverisësish a politikanësh që kanë krijuar kolapsin. Në Kosovë, Thaçi, i mallkuar si i korruptuar dhe vrasës, edhe pse nuk është kryeministër bën si kryeministër. Në Tiranë kryeparlamentari, edhe pse i parë duke grabitur dhe i akuzuar për vrasje, jep këshilla morali. Në Maqedoni, politikanët shqiptarë hynë në marrëveshje me qeverinë kundër racës së vet. Në Maqedoni prej kohësh është ngritur specia e politikës së "eshtrave në varre". Ndoshta pak më absurd se në Tiranë.

Në Tiranë "lëpijnë" eshtrat e një heroi kombëtar, që ekzistoi, jetoi dhe vdiq në janar të vitit 1916. Për 99 vjet mund të ketë ose mund të mos ketë eshtra në atë varr… por sa pak iu intereson kjo dy qeverive. Në fund të fundit do të kryejnë edhe një tjetër mashtrim. Si mashtrimin e madh me lëvizje eshtrash para një populli- fëmijë që po qanë për bukë. Ndërsa Gruevski i Maqedonisë nuk ka as referenca varresh; ai ngre monumente absurdë, pa origjinë, pa eshtra, mjaft të trullosë njerëzit në krizë…

E njëjta rracë qeverisësish.

E njëjta si edhe "sulltani" Erdogan i Turqisë. Në momentet e fundit të sundimit të tij autarkik, nuhati se ka një Shqipëri ku qeveria i ngjanë. Autarkik, mitoman, mashtrues dhe i mashtruar, melankolik si një sulltan që po bie nga pushteti. Si Sulejmani i Madhërishëm në betejën e fundit fantazmë…. Erdhi në Shqipëri dhe kërkonte në jerm armikun e tij. I thoshte mendja se shqiptarët janë prapë nizamë. Pastaj qante me lotë kur një vajzë e vogël recitonte vjershën se "ti Erdogan je heroi, mos na le pa hero".

Të gjitha shenjat e rënies. Me këto që shfaqi në Tiranë, si zor se "sulltani" mund të jetë më më këmbë.

… Kjo është hera. Dhe kjo është bota.

Kësaj here kjo botë ka ardhur para ndryshimit. Jo se e sollëm ne të tjerët që na sundojnë me arrogancën: "Ec ore se je në rrugë të drejtë"… Por se Zoti vetë i rregullon punët kur të ligës i vjen dita e fundit.   

SHKARKO APP