A po rrëzohet koalicioni qeveritar në Gjermani mes CDU dhe CSU?

Nga radio gjermane DW:

Grindjet e CDU dhe CSU për politikën e azilit janë përshkallëzuar. A pritet të shpërbëhet Unioni? A i ka ardhur fundi koalicionit të madh? Apo do ketë kompromise? Një vështrim mbi çështjet më të rëndësishme.    

Çfarë duan CDU dhe CSU?

Partia kristiandemokrate gjermane CDU dhe ajo kristiansociale CSU, dy parti simotra konservatore janë duke diskutuar ashpër për politikën e azilit dhe atë të refugjatëve. Dhe janë duke e bërë këtë prej disa vitesh. Në vitin 2015 kancelarja gjermane Angela Merkel (CDU) mori vendimin spektakolar për të pranuar refugjatët që ishin bllokuar në Hungari. Të ardhur nga Siria, Iraku, vendet afrikane. Në fakt atyre do u ishte dashur të qëndronin në Hungari, sepse kështu parashohin rekomandimet e BE-së. Azil njerëzit duhet të kërkojnë në vendin e parë të BE-së, ku kanë shkelur. Por që prej refugjatëve të Hungarisë ky rekomandim nuk është zbatuar në Gjermani.

Merkel vazhdon si më parë me politikën zemërgjerë kurse CSU është krejtësisht kundër. Tek refugjatët e shumtë ata shohin mbingarkesë për njerëzit në Gjermani. Kjo grindje ka prishur marrëdhëniet midis të dy partive. Në vjeshtë zhvillohen në Bavari zgjedhjet e landit dhe CSU do që të fitojë kundër populistëve të djathtë të “Alternativës për Gjermaninë” (AfD), e cila është duke u forcuar gjithnjë e më shumë. CSU kërkon të mbajë shumicën, siç e ka aktualisht, duke patur kurs të qartë në politikën e azilit.

Përse ka shpërthyer kriza pikërisht tani?

Në qeverinë e re, CSU ka ministrin e Brendshëm. Horst Seehofer quhet ai. Seehofer ka prezantuar tani një plan që është kthyer në mollë sherri për CSU dhe CDU. Sipas planit të tij, azilkërkuesit nuk duhet të hyjnë në Gjermani nëse kanë qenë më parë në një vend tjetër të BE-së. Se si duhet bërë kjo, ka mbetur pa përgjigje.

Parimisht duhet vetëm të zgjerohet më shumë kontrolli në kufirin me Austrinë, gjë që nuk është duke u bërë aktualisht. Por, pasojat e planit të Seehoferit nuk i sheh njeri aktualisht. Vendimtare është se Seehofer do t’ i verë në jetë planet e tij edhe pa aprovimin e kancelares, e cila është shefja e tij. Merkel nuk mund ta lejojë këtë. Sepse në çështjet e rëndësishme politike fjalën e ka kryetarja e qeverisë. Fjala magjike për këtë është: kompetenca për të dhënë direktiva.

Deutschland Unterzeichnung Koalitionsvertrag 2013 (picture-alliance/dpa/H. Hanschke)

Ekziston mundësia të prishet koalicioni?

Shumë gjëra janë tani të imagjinueshme. Merkel nuk mund të pengojë Seehoferin direkt për të vënë në zbatim planet e tij, sepse siguria e kufijve është kompetencë e tij. Por ajo mund ta shkarkojë atë nga detyra. Por të gjithë vëzhguesit janë të bindur se kjo do sillte fundin e qeverisë, sepse CSU do largohej nga koalicioni. Merkel mund të shtrojë në parlament çështjen e votëbesimit, që të detyrojë koalicionin që të ndjekë kursin e saj dhe jo të Seehoferit. Nëse ajo humbet votëbesimin atëherë do të duhen zgjedhje të reja. Merkel vetë përpiqet të fitojë kohë. Ajo kërkon që të zhvillohet një herë takimi i nivelit të lartë të BE-së, i cili do merret me çështjet e azilit. Atje ajo do përpiqet të gjejë një zgjidhje me të gjitha vendet e BE-së. Por ka shumë pak mundësi që t’ ia dalë mbanë. Ditën e premte pati zëra nga CSU që dhanë sinjale se Merkeli mund ta marrë këtë afat 14 ditor.

Po shpërbëhet koalicioni midis CDU dhe CSU?

Ekzistojnë edhe skenarë të tjerë më pak të mundshëm. Përshembull CDU dhe CSU kanë një fraksion të përbashkët në parlament, Bundestag, dhe ekzistojnë zëra që thonë se ky bashkim mund të ndahet për shkak të grindjeve. Për klimën politike kjo do ishte keq për konservatorët, por praktikisht kjo nuk do kishte si pasojë prishjen e koalicionit. Disa politikanë të CDU të zemëruar me CSU thonë hapur që nëse është kështu atëherë në të ardhmen CDU do përfaqësohet vetë edhe në Bavari, do krijojë vetë atje grupe lokale të partisë dhe të shfaqet si të thuash si konkurente e CSU-së. Kjo do të ishte shumë e rrezikshme për CSU, pushteti i të cilës është në Bavari faktori më i rëndësishëm politik.

CSU Innenminister Horst Seehofer - Familiennachzug (Imago/J. Heinrich)

A mund të ketë edhe një kompromis?

Në orët e ardhshme dhe me siguri edhe në fundjavë, Wolfgang Schäuble, president i Bundestagut dhe politikan i CDU-së, do të bëjë ndërmjetësimin midis palëve. Ai është shumë i aftë për këtë. Besnik kundrejt kancelares, ai është një konservator i bindur që shpesh ka theksuar se e sheh për të rrezikshme politikën e Merkelit për refugjatët. Deri në vjeshtë të 2017-ës, ai ka qenë ministër i respektuar Finance në Gjermani. Por edhe ai nuk mund ta zgjidhë i vetëm konfliktin.

Çfarë bën Partia Socialdemokrate?

Por ekziston edhe një parti tjetër në qeveri, Partia Socialdemokrate. Çfarë po bën ajo? Ajo nuk është përzier në konflikt, rri mënjanë dhe bën thirrje për t’ u përmbajtur duke i vëzhguar ngjarjet e indinjuar. Sepse ajo ka frikë nga zgjedhjet e reja. Në sondazhe ajo ka pasur rreth 16 përqind mbështetje, katër përqind më pak se në zgjedhjet parlamentare të vjeshtës së kaluar.

Kriza në Berlin: Një schowdown? Vrasje e mbretit?

Nga DW

Si mund të përshkruhet me fjalë ajo që po ndodh në Berlin? Që kemi të bëjmë me një krizë të mirëfilltë qeveritare, kjo është e qartë. Ndoshta këto janë ditët e fundit të Angela Merkelit si kancelare, mendon Jens Thurau.

    
Deutschland Koalitionsgespräche 2017 | Angela Merkel & Horst Seehofer (Imago/Ipon)

Edhe një herë për t’i përshkruar me qetësi zhvillimet politike të enjten në Berlin: Një natë të gjatë bisedojnë në kancelari kancelarja dhe ministri i Brendshëm. E megjithatë ata nuk janë në gjendje të bien dakord për një politikë të përbashkët për azilin dhe refugjatët. Më pas zhvillohen mbledhje të veçuara të grupeve parlamentare të CDU-së dhe CSU-së, e për këtë arsye ndërpritet me ngut seanca plenare e Bundestagut. Kjo është e padëgjuar ndonjëherë në raportet mes dy partive simotra. Në mbledhjen e CSU-së ministri i Brendshëm Horst Seehofer komunikon, se në rast nevoje do të ndërmarrë veprime të mëvetsishme. Por çfarë konkretisht? Në thelb ai do të mbyllë kufijtë me vendet fqinjë për azilkërkuesit. Kjo miratohet njëzëri nga CSU-ja. Secilin, që ka shkelur për herë të parë tokën europiane në një vend të BE-së, e këta janë pothuajse të gjithë refugjatët, CSU-ja nuk do ta lejojë më të hyjë në Gjermani. Se si do ta realizojë ai këtë, mbetet e hapur, por nuk qendron këtu problemi. Bëhet fjalë për Angela Merkelin dhe të ardhmen e saj si kancelare. Nëse ajo do ta lejojë një fyerje të tillë.

Thurau Jens Kommentarbild AppJens Thurau

Merkel nuk mund ta tolerojë, që Seehofer të veprojë pa të

Merkel nuk e dëshiron një veprim të mëvetësishëm gjerman, ajo do zgjidhje me të gjithë partnerët europianë. E në radhë të parë: ajo do të mbrohen më mirë kufijtë e jashtëm të BE-së, në mënyrë që kufijtë brenda bashkësisë të mund të mbeten të hapura siç janë tani. Por një zgjidhje e tillë në nivelin e BE-së ende nuk duket e afërt, dhe CSU-ja thjesht nuk do të presë më gjatë.

Çfarë opcionesh parashtrohen tani? Kancelarja ka kompetencën e direktivave në qeveri. Një term i bukur gjerman dhe i ndërlikuar, por se ç’mund të bëjë Merkel me të, kjo është e hapur. Ajo mund ta shkarkojë Horst Seehoferin, i cili për një çështje qendrore të aktivitetit qeveritar nuk përfaqëson qendrimin e saj. Një gjë e tillë do të thoshte fundi i kësaj qeverie. Por ajo edhe mund t’i nënshtrohet një mocioni votëbesimi në parlament. Gjithsesi nga do që ta sjellësh e ta kthesh: Merkel nuk mund të tolerojë që  Seehoferi të veprojë pa të, sepse kësisoj kjo nuk do të ishte më qeveria e Angela Merkelit.

Larje hesapesh me sistemin Merkel 

Kështu ndodh shpesh në politikë: çdo gjë që zien e gurgullon gjatë, shpërthen brenda pak çastesh apo orësh: CSU-ja në fillim ishte kundër politikës së Merkelit për refugjatët, qëkurse kancelarja më 2015 lejoi të hyjnë në vend refugjatët nga Hungaria. Prej kohësh edhe shumë politikanë të CDU-së e kanë humbur durimin, pavarësisht solidaritetit ndaj Merkelit. Në zonat e tyre elektorale deputetët përjetojnë dhe vuajnë zbehjen e mbështetjes ndaj politikës liberale për refugjatët që ndjek Merkeli. Por grindja shkon edhe përtej politikës ndaj refugjatëve: Fryma aktuale është nacional-konservatore. Të paktën janë të shumtë ata që kështu e përjetojnë. Me humbjet e pësuara prej suksesit të populistëve të djathtë të AfD-së, CSU-ja dhe pjesë të CDU-së po lajnë hesapet me Merkelin, jo vetëm me politikën e saj të azilit, por me të gjithë sistemin Merkel. Në vjeshtë në Bavari ka zgjedhje. Bllokimi i AfD-së është qëllimi prioritar i kristiansocialëve. Në rast nevoje edhe kundër Merkelit dhe qeverisë, së tyre.

A mund ta marrë sërish timonin kancelarja? Shumë e vështirë në një ditë si kjo.

SHKARKO APP