A sjell dot 100 mijë protestues zoti Basha?
Nga Spiten Prulli.
Ministri i Jashtëm gjerman, Sigmar Gabriel, ka folur qartë dhe pa nënkuptime diplomatike dje në Tiranë. Padurimi gjerman nuk ka pritur për etikë diplomatike. Goditi fort dhe ka kritikuar direkt Lulzim Bashën. Mu në ballë gjuajti ministri gjerman!
Në dy konferencat për mediat, me homologun Ditmir Bushati dhe me Kryeministrin Edi Rama, kryediplomati gjerman ka rrëzuar gjithë kauzën 60 ditore të Partisë Demokratike dhe opozitës. Në qëndrimet e tij me nota të ashpra bien në sy tre kritika dhe mesazhe për PD-në; nuk ka qeveri teknike, votoni zbatimin e reformës në drejtësi dhe merrni pjesë në zgjedhje. Në dy fjalimet e Gabriel nuk ka asnjë keqkuptim dhe asnjë fjali që mund të interpretohet si mbështetje e kauzës së PD-së. Diplomati gjerman akuzoi se forcat politike që pengojnë reformën në drejtësi dhe bojkotojnë parlamentin i shërbejnë bllokimit të hyrjes së vendit në BE dhe interesave që nuk lidhen me Europën. E kishte fjalën për PD-në. Nuk ka patur deri tani sulm me të fortë dhe më direkt si sulmi gjerman dje në Tiranë. Ministri gjerman foli në emër të kancelares gjermane Merkel dhe këtë e rikonfirmoi mbrëmë edhe radio shtetrore gjermane “Dojçe Wele”.
Ky është mesazhi më i fortë kundër PD-së jo vetëm që nga ngritja e çadrës së protestës, por që nga dalja e saj në opozitë në vitin 2013. Deklarata e ministrit gjerman dhe një nga diplomatët me më shumë ndikim në Bashkimin Europian, dje nuk përdori një “shuplakë”, por një “bombardim” i gjithë kauzës së Partisë Demokratike për qeverinë teknike dhe zgjedhjet.
Edhe më të rëndë e bën deklaratën e djeshme fakti se Sigmar Gabriel ishte në Tiranë si i dërguar i kancelares gjermane Angela Merkel, partia e së cilës është pjesë e Partive Popullore Europiane ku bën pjesë dhe PD-ja. Afrimi politik mes PD dhe CDU-së gjermane këto muaj është përdorur si një argument për mbështetje indirekte nga Berlini për selinë blu. Por dje Sigmar Gabriel i rrëzoi të gjitha këto hamendje që ushqenin militantët dhe mbështetësit e PD. Për të larguar çdo keqkuptim mbi qëndrimin e ndërkombëtareve, Sigmar Gabriel theksoi disa herë se në Tiranë fliste si Ministër i Jashtëm i Qeverisë Federale Gjermane. “Qëndrimi im nuk është personal. Por është qëndrim i kancelares Merkel, i Qeverisë Federale Gjermane”,- tha ai. Më qartë dhe kaq ashpër ndaj PD-së nuk është pozicionuar asnjë diplomat i huaj. Fjalimi i djeshëm i Sigmar Gabriel ishte edhe më i fortë sesa qëndrimet që Edi Rama mban ndaj Lulzim Bashës dhe ndaj çadrës së PD-së.
Gabriel sqaroi dhe deklaratat e ndërkombëtarëve të tjerë dhe akuzat që u janë bërë diplomatëve në Shqipëri. Ai tha se nuk ka asnjë komplot të ndërkombëtarëve ndaj PD-së, por ajo që kërkohet është zbatimi i reformës në drejtësi dhe dhënia e fund e bojkotit të zgjedhjeve.
Më herët, PD është kritikuar nga Komisioneri për Zgjerimin Johannes Hahn dhe përfaqësuesja e BE për Politikën e Jashtme, Frederika Mogerini. Por diplomati gjerman ishte edhe më i pamëshirshëm me PD-në kur i cilësoi të gjitha kërkesat e saj për qeverinë teknike si absurde. Në këtë pikë, çadra e PD-së duket se është rrethuar jo vetëm nga qeveria, por edhe nga ndërkombëtarët që nuk i lënë asnjë zgjedhje tjetër PD-së përveç shkuarjes drejt kutive të votimit më 18 qershor. Ose si Enver Hoxha, dikur kundër “imperalizmit” dhe kundër “revizionizmit”!
Pak orë pas deklaratave të Ministrit Gjerman, kreu i PD-së zhvilloi një takim me Sigmar Gabriel. Pavarësisht qëndrimit të ashpër të ministrit të Merkel, Basha dje nuk ka dhënë asnjë shenjë tërheqje. Pas takimit Basha tha sërish se nuk ka zgjedhje pa qeveri teknike dhe se bllokues i reformës në drejtësi është Kryeministri Rama dhe jo PD-ja. Por cilido qoftë qëndrimi i PD-së, nga dje, opozita duhet të ndryshojë strategji. Në të gjitha kancelaritë evropiane nuk ka asnjë diplomat apo qeveri që mbështet aksionin dhe qëndrimet e opozitës shqiptare. Këto ditë pritej të vijë në Shqipëri zëvendëspresidenti i Partive Popullore Europiane, David McAllister. Pozicioni i tij politik në PPE dhe afër qeverisë së Merkel në politikën gjermane shiheshin si një garanci për uljen e palëve në negociata dhe gjetjen e një zgjidhje nga PD dhe PS. Por ai vjen javën tjetër, ndërkohë që sot datë 18 prill është data e fundit e dorëzimit në KQZ të koalicionëve partiake. Më qëndrimin e djeshëm të diplomatit Gabriel është rrëzuar dhe koncepti i negociatave. Sepse me mbështetjen që mori Kryeministri Edi Rama qeveria nuk ka çfarë të negociojë me opozitën, të paktën për qeverinë teknike dhe mos’futjen në zgjedhje.
Lulzim Basha tashmë duhet të kërkojë garanci ndërkombëtare dhe ligjore këtu në Shqipëri për zgjedhjet dhe votën e lirë. Fjala vjen opozita le të kërkojë për këto dy muaj postin e drejtorit të përgjithshëm të policisë së shtetit, nëse nuk ka garanci. Le ta marrë dhe ta ketë të vetin, si PD, për të qenë të sigurtë në zgjedhje. Edhe kryeministri le ta lëshojë për këto dy muaj si garanci për PD-në.
Sot është afati final i dorëzimit në KQZ të koalicioneve partiake. Sot LSI dhe PS duhet të dorëzojnë firmën e tyre në KQZ. Lulzim Basha duhet të kërkojë gjë tjetër dhe jo vetëm qeveri teknike pas bombardimit të qeverisë gjermane, e cila është liderja e Bashkimit Europian. Edhe SHBA po hesht, pasi ia ka lenë Gjermanisë rajonin e Ballkanit Perendimor. Dhe sa për dijeni SHBA do të sjellë në Shqipëri edhe 5 mijë muhaxhedinë të tjerë. Ndaj nuk besohet se do ketë ndonjë deklaratë antiqeveri nga Departamenti Amerikan i Shtetit.
Bota dhe Europa është në situatë krize momentale. Marrëdhëniet SHBA-Rusi janë në kuotën minimale. Presidenti Trump e ka mendjen si të godasë diktatorin e Koresë se Veriut dhe të stabilizojë Sirinë. Europa ndodhet në hallet e saj pas Brexit dhe fushatave presidenciale në Francë ku rrezikon Le Pen dhe pas pak muajsh Gjermania futet në zinxhirin e fushatës elektorale, ku kancelarja Merkel nuk ka shumë hallin e Shqipërisë dhe Lulzim Bashës, se sa fitoren e saj përballë një rivali të fortë. Në Ballkan, tani për tani, SHBA dhe BE kanë interesin e stabilitetit dhe nuk merakosen shumë për standarte demokracie. Nuk është e drejtë kjo për disa kërkesa demokracie të opozitës shqiptare, por në këtë hall ndodhet sot BE. Ata me shumë duan Presidentin Vuçiç që sapo u zgjodh dhe partneritetin e tij me kryeministrin shqiptar Edi Rama, se sa standartet demokratike. Këtë duhet ta kuptojë Lulzim Basha ndaj të marrë garanci të tjera zgjedhore dhe te futet, sepse askush nuk e ka mendjen, në vend, në BE. Të gjithë po turren te hallet e tyre dhe jo shumë te demokracia përfekte. Se po të ishte kohë përfekte demokracie nuk mund të konceptohej që ministri gjerman te mos thoshte një fjalë kundër drogës shqiptare, asnjë nuk mund të thotë se sherbimet e intelegjencës gjermane se nuk e dijnë se ç’po ndodh në Shqipëri. Por kanë halle të tjera Gjermania dhe BE, ndaj të përshtatemi me aq takat sa ka Shqipëria.
Ka një zgjidhje, por është e kushtueshme për Lulzim Bashën. Nëse ka forcë le të mbledhë 100 mijë apo 200 mijë protestues ditë-natë në Bulevard dhe të bllokojë kryeministrinë, të bllokojë zgjedhjet në Kavajë, natyrisht pa dhunë.
Nëse e bën këtë mund të ndërrojë mendje kancelarja Merkel!