A “vdiq” pazari Basha-Rama?!
Nga Qamil Xhani.
Fjalimi i parë i Lulzim Bashës si kryetar i Partisë Demokratike në Parlament mund të quhet dhe akti i parë publik i denoncimit të marrëveshjes-pazar me Edi Ramën. Gjatë 40 minutave në foltoren e Kuvendit, dje Basha iu përgjigj shumicës së pikëpyetjeve publike që kanë mbajtur pezull aksionin e opozitës. Kryedemokrati deklaroi prerë dhe qartë se marrëveshja e 17 majit me Edi Ramën ka vdekur. Ai renditi një sërë arsyesh që sollën fundin e “dashurisë” PS-PD. Ndërsa dikur e cilësonte si të suksesshme këtë marrëveshje, dje kreu i PD-së e pranoi se doli i humbur nga pakti me Ramën.
“Thelbi i marrëveshjes së 18 majit, ishin zgjedhjet e lira dhe të ndershme. Ndaj, dhe zgjedhjet e 25 qershorit shënuan edhe vdekjen e kësaj marrëveshjeje. Aleanca e pandërprerë asnjë çast e Rama-njishit me krimin dhe shitblerja e votave me paratë e drogës dhe të korrupsionit e vranë marrëveshjen dhe rikonfirmuan problemin numër 1 të Shqipërisë: vjedhjen dhe tjetërsimin e vullnetit të Shqiptarëve për hir të pushtetit personal dhe privat të Edi Ramës”,– tha Lulzim Basha.
Ky qëndrim i Lulzim Bashës është kthesa e parë publike në modelin e opozitës së PD. Marrëveshja e 17 majit përmbysi gjithë skenën politike dhe prodhoi një rezultat të çuditshëm zgjedhor, ku e humbur doli vetëm selia blu. Pavarësisht humbjes së rëndë, Lulzim Basha ende jepte idenë se pakti me Ramën vazhdonte në mënyra të tjera. Ministrat teknikë nuk iknin nga detyra dhe jepnin deklarata për vijimin e qeverisjes. Pas zgjedhjeve PD-ja, edhe pse ishte opozita kryesore, thuajse nuk bëri asnjë aksion ndaj qeverisë duke harruar rolin kryesor të një partie. Ndërkohë Edi Rama gjithmonë fliste dhe flet për efektet pozitive të paktit me PD dhe nuk harron të shtojë se “Luli është djalë i mirë”. Të gjitha këto qëndrime krijuan idenë se pjesë e paktit Rama-Basha është vazhdimi i bashkëpunimit edhe pas zgjedhjeve në forma të tjera.
Dje Basha, të paktën publikisht, i përmbysi këto pritshmëri. Në PD, ata që besojnë në vlerat e opozitës dhe të djathtës reale janë ndjerë më të qetë pas kësaj deklarate. Sepse tani e dinë cilin kanë kundërshtar dhe çfarë duhet të bëjnë për të ardhur në pushtet. Deri dje nuk e dinin nëse ishin kundër Edi Ramës dhe PS apo kundër LSI. Nuk e dinin nëse duhet të sulmonin qeverinë, apo duhet të prisnin që Rama t’i bënte pjesë e qeverisë. Distancimi nga pazari është e vetmja mënyrë për të shpëtuar PD-në dhe opozitën në përgjithësi.
Këto tre muaj, pas pazarit, Basha ka kuptuar se vazhdimi i lojës me Ramën vetëm thellon dështimet e tij në PD dhe të vetë PD-në. Ndaj dje u mundua të ishte kategorik kur shpalli “vdekjen” e marrëveshjes dhe distancimin nga kryeministri Edi Rama.
Në politikë qëndrimet publike kanë vlerë nëse zbatohen edhe në praktikë. Basha ka treguar këto vite se nuk është politikani i fjalës së mbajtur në të gjitha rastet. Tashmë i duhet të luftojë edhe për thyerjen e mitit negativ që ka ngritur për veten. E vetmja mënyrë për ta bërë këtë është të bëjë opozitë të fortë. Me një qeveri që ka numra më shumë sesa i duhen, opozita është detyrë kombëtare dhe më e rëndësishme se çdo pazar tjetër. Pazaret mund ta bëjnë Bashën të duket “çun i mirë” në sytë e Ramës, por asnjëherë nuk e sjellin PD në pushtet.
Nëse dje Lulzim Basha e denoncoi marrëveshjen e 17 majit është një hap para drejt konsolidimit të opozitarizmit tradicional. Por nëse e ka seriozisht dhe fillon sulmin ndaj qeverisë atëhere kryetari i PD-së do ketë shansin të synojë drejt kryeministrisë. Mes fjalëve dhe punëve ndodhet një det i tërë. Ndaj mbetet të shikohet se si do jetë opozita e PD-së në muajt në vijim. Demokratët kërkojnë fillimin e protestave pa ndalesë kundër kryeministrit, por a është Lulzim Basha?! LSI po pret për krijimin e një FRONTI të madh opozitar, ku të futen PD-LSI-PR-PDK-LZHK-PBDNJ-PAA-LIBRA-ZGJIDHJA si dhe shoqeria civile.