Ajazi:Nuk shesim domate, bëjmë vetëm përgjime !
Editorial E Diel, 18 Prill 2021 19:19
Shërbimi Informativ Shtetëror është kthyer sërish në qendër të vëmendjes. Edhe këtë herë fjala “përgjim”, ka përhapur panik në opinion lidhur me ruajtjen e privatësisë si dhe për kufirin deri ku autoritetet kanë të drejtë të hyjnë në jetën private të shqiptarëve. Shkak është bërë publikimi i disa e-maileve nga Ëikileaks. Nga publikimi i bisedave rezulton se përfaqësues të Shërbimit Informativ Shtetëror komunikonin me përfaqësues të një kompanie të njohur ndërkombëtare “Hacking Team”, që tregton pajisje të teknologjisë së fundit për përgjim. Komunikimi nis në vitin 2013 dhe vijon deri në muajt e parë të vitit 2015. Në biseda zbulohet se është folur për emrin e pajisjes, e cila garanton përgjim jo vetëm të bisedave telefonike, por edhe bisedat në aplikacionet e celularëve si: ËhatsApp, Viber, Facebook apo Skype. Negociatorë janë dy drejtorë të SHISH-it, ndërsa thuhet se takime janë bërë dhe me ministrin e Transportit, ministrin e Mbrojtjes dhe ministrin e Brendshëm. Në fund, negociatat kanë mbetur vetëm tek çmimi i pajisjes dhe tek buxheti i limituar që kishte në dispozicion Shërbimi Informativ Kombëtar. Nga ana e zyrtarëve të qeverisë, u mohua kategorikisht të kishin dijeni apo hyrja në bisedime për këtë çështje me kompaninë e huaj edhe pse në e-mailet e publikuara konfirmohet se përfaqësuesit e kompanisë janë takuar me ministra.
Si rrallëherë, Shërbimi Informativ Kombëtar ka reaguar dje lidhur me këtë çështje. Një deklaratë e nënshkruar nga vetë kreu i SHISH-it, Visho Ajazi Lika, edhe pse nuk konfirmon nëse pajisja është blerë apo jo, bën të ditur se kontakti me kompani që prodhojnë pajisje të tilla teknologjike është procedurë normale e punës së SHISH-it. Nga ana tjetër, Ajazi Lika shprehet se “për çdo teknologji të re që mund të përdoret nga SHISH-i në përmbushje të ligjit, kërkohet dhe merret aprovimi i Prokurorit të Përgjithshëm të RSH. Falë rigorozitetit dhe përputhshmërisë së veprimtarisë së tij me ligjin, si dhe me praktikat e tyre më të mira, SHISH është një partner shumë i besueshëm i Shërbimeve aleate në ushtrimin e aktivitetit të tij”. Pavarësisht se nuk konfirmohet blerja e aparaturës, deklarata e kreut të SHISH-it lë të kuptohet se ajo mund të jetë blerë, por përdoret sipas ligjit. Në këtë pikë, nuk ka asnjë çudi. SHISH është institucion kushtetues që objekt kryesor të punës së tij ka ruajtjen e sigurisë kombëtare dhe mbledhjen e informacioneve në mënyrat e parashikuara nga ligji. Tek e fundit, përgjimet janë pjesa kryesore e aktivitetit të këtij institucioni, aq sa me të drejtë zyrtarët e lartë të shërbimit thonë se “kjo është puna jonë. Ne nuk shesim domate!”.
Por pika që hap debat dhe që pështjellon shoqërinë shqiptare sa herë flitet për përgjime ka të bëjë me mënyrën sesi bëhen ato dhe kush përgjohet. Nëse aparatura e re, që thuhet se është blerë, është vënë në përdorim për të përgjuar grupet e fuqishme kriminale që janë një kërcënim për sigurinë kombëtare, këtu nuk ka asgjë për t’u shqetësuar. Apo nëse është vënë në përdorim për të identifikuar elementët terroristë dhe njerëzit që kërkojnë të rekrutojnë luftëtarë në Siri, kjo është një aparaturë që duhet të ishte blerë me kohë. Por zhvillimet e viteve të fundit kanë treguar se institucionet kombëtare janë përdorur për interesa partiake. E në këto institucione nuk ka munguar SHISH-i dhe as Ministria e Mbrojtjes. Ish-ministri Arben Imami u akuzua nga opozita e djeshme se kishte blerë një pajisje të ngjashme për Shërbimin Inteligjent Ushtarak (SHIU). Kjo aparaturë, sipas PS-së, u përdor për të përgjuar deputetët e opozitës së asaj kohe, madje dhe ambasadorët e vendeve perëndimore në Tiranë. Për këto akuza, pati dhe një hetim, por siç duket këto akuza u harruan dhe pajisja e shumëdiskutuar për të cilën deputetët e PS-së publikuan dhe foto dje, mund të jetë sërish në përdorim. Shpresojmë që këtë herë të jetë në përdorim në mënyrën e duhur!
Por në rastin e SHISH-it ka dhe një arsye tjetër që e bën çështjen e blerjes së një aparature të re edhe më të debatueshme. Një vit më parë, në media u fol për rreth 5 mijë orë biseda të përgjuara. Mes personave të përgjuar ishin zyrtarë të lartë të shtetit, deputetë dhe gazetarë të njohur. Komisioni Parlamentar i Sigurisë hartoi një raport për këto përgjime, por edhe sot nuk ka ende një arsye se mbi çfarë motivesh agjentët e SHISH-it kishin përgjuar Kryetarin e Parlamentit, Kryeministrin, ministrat dhe ambasadorë të vendeve të BE-së.
Lemshi vetëm sa është ndërthurur me fije të tjera “lemshash” të segmentëve të tjerë ekzekutiv dhe asnjë nuk merr vesh saktë se çpo ndodh. Por një gjë mbetet e sigurtë; që atyre që u djeg nga kjo pajisje janë ata që merren me krime, përvetsime, vjedhje pronash, drogë, vrasje etj. Natyrisht që nuk ka përse SHISH të futet në punët personale apo private të qytetarit dhe është e dënueshme. Por për tipat VIP që merren me shkelje ligji mirë ua bën që i lë në siklet e frikë, bile e mira e do që t’ua mbush dosjen e ti çojë në Prokurori për arreste.