Akuza shumë të rënda të Mero Bazes dhe Andi Bushatit kundër Aleksandër Frangajt

 

 

Nuk ka vonuar Mero Baze dhe i është përgjigjur me "mitraloz të rëndë" Aleksandër Frangajt i cili në një intervistë të sotme e kishte masakruar me "bomba" Meron dhe Bushatin për çështjen e shumëpërfolur te "Laguna Blu" në Qerret në Kavajë, ku ndodhet një fshat turistik nga më të mirët në Shqiperi. Por tani vonë në darkë Andi Bushati lëshoi “raketat” e tij kundër Frangajt, raketa të cilat duken si ndërkontinentale.

 "Koha Jone" po boton shkrimin e Mero Bazes, intervistën e Aleksander Frangaj dhe reagimin e Andi Bushatit (brenda një dite janë të tre reagimet e sulmet)

 

Nga Mero Baze.

Sandri ka firmosur një opinion për atë që po bën në bregdet tek “Laguna Blu”, duke mbrojtur qeverinë dhe duke akuzuar mua dhe Andi Bushatin se duam t’i vëmë gjobë qeverisë Rama për shkak të tij. Përtej traditës së dhembshurisë që Frangaj ka për çdo kryeministër dhe që i dhimbsen nëse dikush u bie më qafë, unë jam i detyruar të pranojë pjesën e akuzës në emrin tim. Sa për Bushatin nuk e marr dot përsipër, se ai nuk e do këtë qeveri, as për mënyrën si ka ardhur dhe as për mënyrën si qeverisë, kështu që konflikti i tij me Frangajn është konflikti i çdo gazetari me një bythlëpirës pushtetesh.

Në rastin konkret, unë jam marrë me qeverinë dhe kryeministrin Rama, jo se janë fajtorë pse Frangaj ka zaptuar një tokë, ka kapur shtetin e Berishës, ka ndryshuar brenda ditës planin rregullues dhe i ka hapur rrugë marrjes së lejes nga nja kryekomunar socialist. Jam marrë me qeverinë, pasi kam luftuar që këta të vijnë në pushtet për të vendosur drejtësinë, parimet e së drejtës dhe t'i shkojnë deri në fund korrupsionit të prodhuar nga pushteti i Sali Berishës.

Në këtë pike, ajo që thotë Frangaj për mua është e vërtetë. Edi Rama meriton të gjobitet për këtë që ka bërë, por natyrisht jo ashtu siç i përfytyron Frangaj gjobat, në thasë plastmasi të zi me lekë, por meriton të gjobitet si një paralajmërim për degradimin dhe më vonë humbjen e pushtetit për shkak të “sandrave”. Dhe unë më shumë se kushdo tjetër jashtë çdo modestie, e kam këtë të drejtë ta gjobitë dhe ta paralajmërojë për këtë që po bën.

E kam këtë të drejtë, kur kujtoj sesi filloi të degradonte në vitet e para pushteti i Berishës nga telefonatat qurravitëse të Sandrit qysh më shtatë të mëngjesit, që t’i lija një kafe me Doktorin ku të ishte dhe Fevziu. E kam këtë të drejtë kur kujtoj se çdo kafe e tij me Berishën, ishte një kërkesë për një copë tokë tek TV Klani, për një leje, për një repart ushtarak, për një metër katror më shumë në Kinostudio, për pronat e Fevziut në Kodrat e Lalzit që kanë rrëshqitur dy km në det, duke varrosur bashkë me ligjin dhe gjyqtarin Konomi, për shqetësimin që Fevziu dhe Sandri kishin pse ministrat e Berishës i përgjigjeshin në telefon Tanit të Topit, për vendosmërinë e Frangajt t'i tregonte Berishës dhe ku i fshihte “Lori Kafe” thasët me kafe, e deri tek banalitetet e tij si ia kishte dhjerë Ramës, Fevziut, duke i thënë “b..q..” dhe që s'do shkelte më në Tv Klan sa të ishte gjallë.

Ajo çka i kishin shkruar sot (dje) në emër të Sandrit ishte e tëra një "deja vu" e asaj që kam parë, sesi ky sharlatan bëri me pushtetin e Sali Berishës. Kam të drejtë të gjobisë Edi Ramën duke e paralajmëruar, kur kujtoj se çfarë ndodhi me Berishën pasi përgjaku Gërdecin me 26 të vrarë për biznesin e djalit të tij dhe si u dorëzua për të mbrojtur një histori kriminale në duart e këtyre tipave që janë gjahtarë kufomash politike.

Kam të drejtë ta gjobisë dhe t'i kujtojë, se Berisha nga një armik i këtij sharlatani, të cilin e kishte çuar dhe në qeli, u bë i varur prej drogës së gënjeshtrave dhe lëpirjeve të tij deri në atë masë, sa më 21 janar Fevziu na tregonte për vrasës një plak me çadër, për të fshehur plakun vrasës pas xhamave të blinduar të dritares së kryeministrisë, ndërsa Sandri bënte thirrje që Edi Rama të arrestohej.

Kam të drejtë ta gjobisë, duke e paralajmëruar Edi Ramën, se nuk bëhet fjalë për një person konkret, për një fshatar nga Zejmeni i Lezhës, apo për një pasanik që do ti mbush mendjen vetes që mund të bëj ç’të dojë me paret dhe pushtetin, por me një institucion hipokrizie, mediokriteti dhe hajduti, që ka vetëm një aftësi magjepsëse: Të rrëzoj çdo qeveri dhe pushtet të cilit i ngjitet në qafë.

E di që është i parezistueshëm në lëpirjet e tij, në mënyrën si të ushqen deliret dhe si rrezaton pastaj përulësinë ndaj teje në arrogancë ndaj ministrave të tu. Është një njeri që ka punësuar gjithë fisin injorant në shtet dhe askush nuk guxon t’ia heq nga puna. Një njeri që ka arritur ta kthej në lolo Ministrin e Jashtëm aktual të Shqipërisë, i cili i ka pushuar dy herë motrën nga puna për shkak të ankesave zyrtare që ka nga ambasada jonë në Vatikan si njeri që s’i duhet të rrijë aty asnjë orë dhe dy herë e ka kthyer në punë kryeministri për të mos i ngelur hatri Sandrit.

Kam të drejt të paralajmëroj kryeministrin dhe ta gjobis rënd atë kur kujtoj, se Berisha që ishte një karakter shumë i fortë se ky, qoftë dhe për prapësitë e veta, u thye dhe u kthye në shërbëtor të këtij sharlatani, pasi bëri krime, kurse Edi Rama po dorëzohet dhe po bëhet shërbëtor i tij vetëm se ka bërë disa gabime në qeverisje.

Po. Unë pranoj se do ta godas Edi Ramën dhe do ta gjobis atë në, emër të atyre që e votuan bashkë me mua, për të shpëtuar nga një regjim politik që kishte simbol këtë fytyrë, këtë sharlatanë, këtë simbol të gjobëvënies financiare të marrjes së tenderave dhe zaptimit t tokave në bregdet nga Vahina në Palasë, të kësaj fytyre që ka nxitur një milion shqiptarë të votojnë kundër Sali Berishës.

Kam të drejt ta gjobis jo vetëm se jam i lirë ta bëj këtë, por mbi të gjitha se jam dhe i motivuar ta bëj, pasi mu më dhimbset deri në kockë fakti që Berisha arrin të na bëj pis me mutrat që bën vet.

Dhe kjo fytyrë është një ilustrim perfekt. Njeriu që çon në opozitë çdo kryeministër të cilit i hipën në qafë, është i vetmi mekanizëm perfekt, që Berisha ka për të na thënë se jemi si ai dhe për të ngritur njerëzit kundër këtij pushteti. Dhe nuk është se s’ka të drejtë, përderisa pranojmë të përlyhemi nga çdo bajgë e Berishës që tani ja ka vënë në dispozicion Edi Ramës që të duken njësoj.

 

Reagimi i Andi Bushatit kundër Aleksander Frangajt (ora 23.30)

Ju po reagoni për një ndërtim në kompleksin Laguna Blu. Sipas ndërtuesit Aleksandër Frangaj ndërtimi është në tokë private dhe me leje të rregullt. Përse nuk i ndiqni ligjërisht pretendimet tuaja?

Kjo është një pyetje e bërë si nga një gjysëm Sandër. Pse? Sepse problemi këtu nuk është thjeshtë ligjor. Unë e di që ushtari bandit i Berishës, ai që i vinte gjoba jo vetëm bizneseve, por edhe ministrave, duke shpikur reklamë shtetërore me miliona euro, mund  të kopsiste ligjërisht çdo letër. Me letra në këtë vend edhe Meta me Dritan Priftin janë të pafajshëm, edhe në Gërdec nuk kanë vrarë njeri, sepse u konsiderua një aksident teknologjik, edhe në 21 janar nuk kanë vrarë njeri, se nuk ka më filmime nga serverat  prandaj edhe gjykatat që ka korruptuar Sandri mund të nënshkruajnë çdo vendim. E megjithatë, një pjesë të asaj toke edhe ALUZNI i kohës së Berishës (mendoni po flas për një kërkesë në kohë të Berishës) nuk pranoi ta legalizojë se aq shumë shkelje kishte. Prandaj po them se kjo nuk është pyetja e saktë dhe Frangaj nuk mund ta përdorë OPINION-in për të servirur gjysëm të vërteta.

Këtu një vërejtje e kam edhe për ju. Nuk ka media në botë, që i jep fjalën të akuzuarit (në këtë rast Sandrit), pa përmendur më parë akuzën. Kjo nuk është gazetari. Ashtu sikurse nuk është gazetari që kur një koleg quhet gjobëvënës, të mos këtë kundërpyetje, se ku i ka faktet akuzuesi. Ky është shërbim i turpshëm ndaj një padroni që mediat i trajton si malok dhe vartësit si plebej. Ndaj dhe OPINION.Al nuk e ka nisur mirë startin e tij me intervista ku Frangaj bën dhe pyetjet dhe përgjigjet.

 

Kjo pjesë është blerë nga Frangaj 10 vjet më parë. Përse kjo pjesë nuk u ble nga komuniteti. Sipas ligjit pjesa që nuk blihet nga banorët jepet për kompensim. Po ta blinin pronarët ata do ishin bashkëpronarë?

Blendi, të thashë edhe njëherë që nuk i hyj detajeve. Një pjesë e komunitetit po i mbedh ato. Ata do të ndjekin rrugën ligjore. Por unë jam kundër ankimimit në gjykatë. Vetë s’do të bëhem pjesë e këtij procesi. E di që banditët në sallat e gjyqësorit fitojnë gjithnjë. Unë e di që Frangaj do ta ndërtojë pallatin e tij. E di që ai ka shtetin, gjykatat, kryeministrin aktual që trajton njësoj si në kohën kur e nxori cullak në ekranin e tij, pra e di që në këtë regjim hajdutësh, ai do të fitojë njësoj si në kohën e Berishës. Prandaj nuk të përgjigjem për këtë. Është një teatër i panevojshëm. Por, dua që të përgjigjem për atë që Frangaj thotë në intervistën e tij.

Ai thotë se ne jemi xhelozë ndaj tij. I pyeta Blendi shumë nga banorët të cilëve Sandri u drejtohej me fjalët “të dashur xhelozë”. E di ç’më thanë? Si mund të jemi ne xhelozë për një njeriu të diplomuar si zyrtar vatre kulture në komunizëm? Si mund të jemi ne xhelozë për një njeri që për të dalë nga burgu i Berishës, shiti shokun e tij të bashkakuzuar? Si mund të jemi ne xhelozë për një njeri që i rrëmbeu 40% të pronës së falur Nikollë Lesit, aq sa ky i fundit e krahasoi me hajdutin brazilian Zhoze, që i vodhi paratë në Rio Dezhanero? Si mund të jemi ne xhelozë për një njeri që vjedh troje natën, duke spostuar sëbashku me Palin, portën e fushës së futbollit, ku më pas ndërtoi pallat? Si mund të jemi ne xhelozë për një njeri që bëhet pronar i TV Klan, sikur investitorët kryesorë mos kishin ekzistuar kurrë (pas ardhjes së Berishës në pushtet)? Si mund të jemi ne xhelozë për një njeri që në 21 janar prodhoi atë videon, sikur protestuesit ishin vrarë nga turma. Jo, Blendi jo. Shumica e njerëzve normalë e përcmojnë këtë njeri. U ngjall krupën. Dhe në ditët e tyre më të këqia urojnë jo vetëm që mos e kenë pranë, por që fëmijët që po rrisin ta kenë si kundërshembull.

Ju jeni kundër ndërtimit apo kundër prishjes së fushave? Frangaj është shprehur që do ndërtojë dy fusha të reja.

Në tokën e Edi Ramës është ky që do bëjë si të dojë? A ka kuptim kjo? Ku do i ndërtojë? Ku e ka lejen? Pse i shkallmoi ekzistueset pa filluar të rejat? Pse e shembi derën me fadroma. Pse angazhoi badigardët e 21 janarit për të hyrë me dhunë. Një pyetje e tillë ngjan me dilemat e Zhvejkut. Ajo as meriton përgjigje.

 

Ju jeni kundër një ndërtimi me leje ndërkohë që Frangaj ka thënë sot që shumica e shtepive atje kanë bërë shtesa ose ndertime pa leje. Madje shumica e atyre që protestojnë.

Ju mos vini dorën në zjarr për atë leje. Sa për vazhdimin e pyetjes: po mund të ketë shtesa pa leje. Por nuk duhet të ngatërrojmë dy gjëra: qytetarët që bëjnë faj dhe të tilla tek Laguna Blu mund të ketë, dhe një bandit që përdor pushtetin e Berishës dhe të Ramës, gjykatat dhe komunën, të fortët dhe fadromat, paratë e grabitura publike dhe ndonjë ministër që e trajton si zar. Midis tyre ka një hendek gjigant: është hendeku midis një mafiozi që kap shtetin dhe një kundravajtësi të thjeshtë. Besoj e kuptoni diferencën. Është thelbësore Blendi.

Por meqë ti nuk ma bëre këtë pyetje doja ti përgjigjem edhe një akuze që më bënte Frangaj. Ai thoshte duke mu adresuar edhe mua: “Këta mjerane që kurrë nuk kanë mundur të ndërtojnë diçka të mirë as për shoqërinë e as për veten e tyre, funksionojnë mbi modelin e gjobëvënies ndaj politikanëve, biznesmenëve apo figurave publike”.  Dua ta sqaroj se unë nuk jam akuzuar ndonjëherë për zhdukjen e gjyqtarit Konomi. Se nuk jam akuzuar ndonjëherë që ndonjë kryeministër të mi ketë sjellë paratë me qese në zyrë. Se nuk jam akuzuar ndonjëherë se i kam zbuar nga puna gazetarët e plagosur në demonstrata, vetëm se dëmtohej Berisha. Se nuk i kam rrëmbyer askujt pronën dhe të mburrem pas kësaj , se të zotin e lë të vjellë ullijtë e ish tokës së tij. Se nuk e kam shantazhuar ndonjëherë kreun e opozitës se po fole për pronën time në plazh, unë do të nxjerr pronat e tua dhe të kunatit tënd. Se nuk e kam trajtuar Ramën në opozitë si “B..q” dhe Lulin e tanishëm si një “B..q” më të madh akoma. Këta janë pra gjobëvënësit Fevzi që unë dhe ti i njohim mirë.

Përse ju i kërkoni Ramës të ndërhyjë kur ligjërisht nuk e ka një tagër të tillë?

Prapë një pyetje pa vend. Jo jo unë Ramës nuk i kërkoj më të ndërhyjë. Nuk mund ti kërkosh një pengu të dënojë pengmarrësin e vet. Rama e ka bërë dillin. Ai do të fusë në thundër një media që është e gatshme të shërbejë dhe këtë e ka arritur. Nuk e godet kot TV Klan, Metën dhe Bashën. Pakti është bërë, i keni parë kronikat e TV Klan. Dhe ata po shërbejnë si monedhë shkëmbimi për diçka më shumë se një kopësht buzë detit.

Unë tek Rama kam ndërhyrë atëhere kur kisha ende një shpresë minimale se do ruante bregdetin, dhe do priste lidhjet me banditët e kohës së Saliut. Atëherë ai më tha personalisht, në sy të mikut tonë Baton Haxhiu,  se ishte skandal të ndërtohej në atë vend. Se do të burgoste çdo njeri që guxonte të jepte leje në një vend të tillë. Tani kur ai ka filluar shllafarinë e vet, as ja kërkoj më. Tani ai është i kapur. I është ngjitur Sandrit si M…pas këpuce.(Opinion.al)

 

Aleksander Frangaj kundër Bazes dhe Bushatit (Interviste)

1-Ju jeni bërë ditët e fundit protagonist i një beteje mediatike që lidhet me “Lagunën Blu”. Pyetja e parë, pse nuk keni reaguar prej kaq ditësh dhe si qëndron e vërteta?

-Kam refuzuar prej shume vitesh të bie në lojën e pistë të shpifësve profesionistë, prandaj dhe nuk kam reaguar ndaj kësaj histerie të organizuar nga kryeshpifësi historik dhe fotokopja e tij e gjysëm lapsit. Por, për të sqaruar ata që vërtet duan të dinë edhe të vërtetën time, po ju them që kjo është një histori aq banale sa edhe e turpshme për ata që më sulmojnë.

Prej shume vitesh kam blerë tek kompania “Epidam” një investim në kompleksin e ngritur prej saj, ambientet sportive. Më pas, me daljen e ligjit që detyronte të blinin truallin të gjithë disponuesit e objekteve të fshatrave turistike, të cilët kishin ndërruar destinacionin e përdorimit nga resorte për zhvillim turizmi, në shtëpi të dyta pranë detit, edhe unë si gjithë banorët e tjerë kam blerë edhe tokën nga shteti, duke u bërë pronar i ligjshëm i investimit dhe i truallit. Kjo procedure ligjore është aplikuar nga të gjithë banorët e këtij kompleksi, si dhe të pothuaj të të gjithë fshatrave turistikë në të gjithë Shqipërinë.

Në vitin 2014, në përputhje me studimin urbanistik të Komunës Golem, kam aplikuar dhe kam marrë lejen për strukturë individuale banimi 1 dhe 2 kate nga Kryetari i Komunës Golem. Pra, investimin ja kam blerë pronarit të ligjshëm “Epidam shpk”, truallin ja kam blerë pronarit të ligjshëm -shtet, lejen e kam marrë pranë autoritetit të ligjshëm Komunë.

2-Sipas shtypit afati i lejes ka përfunduar, përse vazhdoni të ndërtoni?

-Është shpifje e atyre që përmenda më lart. Afati i lejes së ndërtimit është deri me 31 shtator 2016.

3-Është shkruar që leja është marrë nga “Mane TCI”, por Mane është tërhequr pas takimit me banorët. A e ka bërë ai të pavlefshëm këtë leje?

-Është e pasaktë. Leja është marrë në fillim nga “Mane TCI”, por me vendim të Kryetarit të Komunës Golem, datë 02.06.2015 është miratuar ndryshimi i subjektit ndërtues tek shoqëria “KUPA” sh.p.k. Mane mund të jetë tërhequr nga ndërtimi i vilës së vet, por kjo nuk ka lidhje me mua. Janë 2 leje të veçanta dhe në pronësi të ndryshme.

4-A ka ndikuar kryeministri Rama në këtë leje ndërtimi? A ka qënë ai autori i saj?

-Jo. Leja është kompetencë ligjore dhe kushtetuese e organit të qeverisjes vendore. Nuk ka patur nevojë të kërkoj ndihmën e Kryeministrit se gjithçka është me pikë e me presje në përputhje me studimin urbanistik dhe të drejtën legjitime për të zhvilluar pronën, në përputhje me kondicionet e parashikuara. Gjithçka është e bazuar në ligj dhe e verifikueshme lehtësisht. Një leje, nëse është e ligjshme apo e paligjshme nuk gjykohet me peticione, apo me sulme në portale. Aq më pak këto i gjykon Kryeministri. Gjykimet i bën vetëm gjykata.

5-Po banorët që reagojnë dhe protestojnë?

-Disa nga banorët e fshatit mendojnë se janë pronarë të të gjithë hapësirave që shohin me sy dhe si rrjedhim pretendojnë se ai investim dhe ajo tokë janë të tyret. Por asnjeri prej tyre nuk disponon asnjë të drejtë të ligjshme, pasi pronar i një prone kudo në botë bëhesh kur ti e blen atë, ose kur dikush ta dhuron atë.

Nëse 1 person i vetëm disponon me shkrim një kontratë që atë prone ia ka shitur apo dhuruar ndërtuesi i tyre, apo që të kenë paguar 1 euro për atë truall, unë nuk shkel më, jo në Qerret, por as në Kavajë. Nëse dikush pretendon se mund të behet pronar i një prone vetëm se mund të protestojnë nëpër gazeta, apo se mund të firmosin peticione, mendoj se gabojnë. Kështu “komuniteti” mund të behej pronar i pronave të të tjerëve si askund në botë.

Pavarësisht se unë i kam blerë ato ambiente në përputhje të plotë ligjore, tek pronarët e ligjshme të tyre, u kam deklaruar se 2 fusha sporti do t’ua sponsorizoj dhe do t’ua ndërtoj aty pranë, jo sepse ju kam ndonjë borxh atyre që më janë qepur me shpifjet e tyre, por do ta bëj se e ndjej për detyrim, përderisa i kam mundësitë t’ja kompensoj fëmijëve të komunitetit tokën ku do të ndërtoj, me dy terrene sportive të tjera.

Për mosbesuesit, u kam ofruar që nëse duan ti ndërtojnë vetë, të me japin numrin e llogarisë së përbashkët, dhe tu derdh të gjithë shumën e nevojshme që kushton ndërtimi i 2 fushave. Por, reagimi i disa banorëve të frymëzuar nga dyshja e shpifësve, ka qenë se nuk duam të na ndërtosh fusha, por duam që ti të mos ndërtosh.

Dhe është qesharake, sepse një pjesë e banorëve që protestojnë, përfshi avokatin e tyre, kanë ndërtuar ose janë shtuar pa leje ndërtimi. Dhe tani protestojnë për një ndërtim me leje.

Kjo tregon qartë se këtu kemi të bëjmë me një xhelozi ndaj meje, që udhëhiqet nga gjysëm lapsi Andi Bushati dhe modeli i tij Mero Baze, të cilët siç e keni parë përpiqen ta kanalizojnë politikisht duke u përpjekur të bëjnë lidhje mes TV Klanit dhe Kryeministrit. Këta mjeranë që kurrë nuk kanë mundur të ndërtojnë diçka të mirë, as për shoqërinë e as për veten e tyre, funksionojnë mbi modelin e gjobëvënies ndaj politikanëve, biznesmenëve apo figurave publike. Këta “parimore”, që fusha kërkojnë por fusha nuk duan, shkarravitin dhe i bëjnë presion Kryeministrit që të më pengojë mua që të ndërtoj në pronën time dhe me leje të rregullt, ndërkohë që më parë e kane sulmuar po këtë Kryeministër, apo dhe Kryeministrin e mëparshëm, pse ata pengojnë qytetarët të ndërtojnë me leje të rregullta. Ata s’pushojnë ditë-natë së kërcënuari Edi Ramën, që ai të përdorë pushtetin e tij për të bllokuar Frangajn. Dhe i kërkojnë Kryeministrit të shkelë ligjin për të bllokuar Frangajn, në këmbim të mbështetjes, në të kundërt betohen se do të na ketë kundërshtarë. Ata harrojnë se edhe nëse e bindin Kryeministrin të shkelë ligjin kundër meje, ka edhe Prokurori, ka edhe gjykatë. Edhe në mos ka sot, do të ketë një ditë. Pronën time nuk e prekin dot.Këta gjobëvënës, që nuk mbajnë as kapuça të zinj në kokë, por me gjysma lapsash e tema të dala boje, mendojnë se mund të më kompleksojnë me shpifjet e trillimet e tyre, por gabohen. I kam mundur dhe do ti mund si tash 25 vjet, se kudo ku kam punuar kam krijuar një ndërmarrje të suksesshme. Kam bërë gazetën më të madhe në Shqipëri, kam bërë revistën më të madhe në Shqipëri dhe kam bërë televizionin më të madh në Shqipëri, e ndër shqiptarë.

Temat dhe gjysëm lapsat mbahen mend vetëm si sharës dhe si dështakë, kudo ku kanë punuar dhe çfarëdo që kanë bërë.

Unë mund të kem 100 të zeza, mund të kem mbajtur qëndrime të drejta apo të gabuara ndër vite, por gjithmonë ka qene bindja ime në vendimet e mia. Asnjëherë dhe askush nuk mund të thotë që kam mbështetur apo kam sulmuar dikë për ti vënë gjobë, siç po bëjnë rektori i shpifjes dhe fotokopja e tij gjysëm lapsi i vogël. Mero Baze u prish me Kryeministrin Sali Berisha se ky i fundit nuk lejoi që ti vihej gjoba 16 milionë dollarëshe televizionit “Top Channel” dhe ka vënë bast se do të prishet edhe me Kryeministrin Rama, nëse nuk i prish vilën Sandrit të televizionit Klan. Nga kjo racë vetëm këto pret, po shyqyr që janë pak dhe dhëmbët e tyre mund të kafshojnë vetëm ndonjë tregtar apo koncensionar ilaçesh, apo spitalesh.

 

SHKARKO APP