Ambasadorë, ndërhyni për Vettingun!
Institucionet e reja që do të kryejnë reformën në drejtësi duhet të kishin nisur nga puna. Por procesi ka mbetur në disa aspekte në dukje procedurale që kanë të bëjnë me administratën e re. Zëvendëskryetari i LSI, Luan Rama ngre shqetësimin se pas këtyre “vonesave” fshihet qëllimi i kontrollit të institucioneve të reja të drejtësisë nga Partia Socialiste. Përfaqësuesi i LSI-së ka kërkuar dje ndërhyrjen urgjente të ambasadorëve të SHBA, Donald Lu dhe të BE, Romana Vllahutin për procesin e Vettingut. Në një reagim të ashpër kundër Partisë Socialiste, Rama thekson se përfaqësues mazhorancës po pozicionohen në mënyrë të qartë kundër zbatimit të reformës në drejtësi.
“Një ftesë publike edhe për ambasadorët e BE-së dhe të SHBA: ndiqeni procesin me të njëjtën konsistencë që shfaqet gjatë miratimit të reformës në drejtësi, sepse po synohet vënia nën presion e institucioneve të vetingut! Do të duhej të kishin nisur nga puna institucionet e vettingut, e kësisoj do të mund të thonim se më në fund ka filluar të zbatohet edhe reforma në drejtësi. Mirëpo, ja që qeveria, ca nga vetja e ca nga ca zëdhënëse të saj në komisionet e Kuvendit të Shqipërisë, po na shfaq fytyrën tjetër: fytyrën e dytë, në fakt fytyrën e vërtetë, atë kundër reformës në drejtësi!”,- shprehet Luan Rama.
Por cilat janë shenjat e para të ndërhyrjes së mazhorancës së PS në formimin e institucioneve të reja? Luan Rama sjellë në vëmendje kërkesën e deputetëve të PS-së një javë më parë, ku u sugjerua që institucionet e reja të punojnë me administratën dhe infrastrukturën e Gjykatës Kushtetuese.
“Disa ditë më parë, një relatore rilindase në komisionin e ligjeve, teksa po diskutohej struktura organizative dhe pagat e komisioneve te vetingut, hodhi idenë “brilante” që këto komisione që janë konceptuar e parashikuar nga ligji si institucione kushtetuese me rëndësi jetike për cilësinë e suksesit të reformës në drejtësi, nuk është e nevojshme të kenë administratë dhe as infrastrukturë të tyren, por të përdorin administratën dhe infrastrukturën e Gjykatës Kushtetuese! Madje me një përmasë alarmante budallallëku teksa flitej në komisionin e ligjeve për Kolegjin e Apelimit, merrej për referencë Avokati i Popullit!”, – shprehet Luan Rama.
Një ide e tillë e propozuar nga PS është më shumë se e dëmshme për reformën. Detyra e institucioneve të reja është që të kontrollojnë edhe anëtarët e Gjykatës Kushtetuese. Ndërkohë PS propozon që ekspertët e Vettingut të punojmë me stafin dhe njerëzit e atyre që do i kontrollojnë për korrupsion dhe abuzime!!
Zv/Kryetari i LSI-së e cilëson një ide të tillë ose si injorancë juridike, ose një tentativë e pastër për të sabotuar reformën në drejtësi. “Si ka mundësi të jenë kaq skandalozë dhe kaq injorantë që të mos kuptojnë se kjo idiotësi e tyre bie ndesh e është në kundërshtim me parimin e pavarësisë funksionale! Si mundet të mos e kuptojë e të mos e dijë dikush që është zgjedhur të jetë në Kuvendin e Shqipërisë se çfarë do të thotë pavarësi e institucioneve kushtetuese?! Vërtetë të jenë kaq injorantë?! Nuk gjej arsye tjetër në fakt, e po shprehem në këtë mënyrë sepse nuk dua të besoj se e bëjnë qëllimisht! Përndryshe do të më duhej të shprehesha se kemi të bëjmë me një përpjekje të ligë e kriminale për ta sabotuar ende pa nisur reformën në drejtësi!”,- deklaron Luan Rama.
Përfaqësuesi i LSI-së thekson se ndaj njerëzve që do të drejtojnë institucionet e reja të drejtësisë, nga ana e PS, ka sulme dhe presione për ti vendosur nën kontroll ende pa marrë detyrën. Për këtë arsye, Luan Rama kërkon ndërhyrjen urgjente të diplomantëve të SHBE dhe BE, si dy ambasadorët që u investuan më shumë për suksesin e reformën. “E gjej me vend të bëj një ftesë publike edhe për ambasadorët e BE-së dhe të SHBA, respektivisht për zonjën Vlahutin dhe zotin Lu: ndiqeni procesin me të njëjtën konsistencë që shfaqët gjatë miratimit të reformës në drejtësi, sepse po synohet vënia nën presion e institucioneve të vetingut! Vetëm mbështetja dhe presioni juaj mund ta detyrojë maxhorancën të largojë duart nga përpjekja për ta deformuar e vënën nën kontroll procesin e ngritjes së institucioneve të vetingut, përkatësisht edhe të institucioneve të drejtësisë!”,- shprehet Zv/Kryetari i LSI.
Vettingu është projekti më i rëndësishëm në gjithë sistemin e drejtësisë në 27 vjet. Miratimi i reformës kaloi mes shumë debatesh në Kuvend vitin e kaluar dhe me ndërhyrjen e fortë të ndërkombëtarëve. Por votimi në Kuvend ishte vetëm pjesa e parë. Sipas parashikimeve reforma duhet të kishte nisur në muajin shtator. Ndërkohë që PS, që ka shumicën në Kuvend, ende debaton për pagat e juristëve, për stafin dhe shpenzimet e administrative. Për këtë reformë edhe paratë e trajnimeve të ekspertëve janë investuar nga ndërkombëtarët. Kuvendit dhe shumicës së PS-së nuk i mbetet gjë tjetër veçse të miratojë aktet nënligjore të krijojë kushtet për të punuar institucionet e tjera. Vonesat me procedura si këto që po ndodhin tani, janë vetëm justifikime që tregojnë se institucionet e pavarura nuk do të lejohen që të jenë të tilla.
Drejtësinë e re nuk duam që të kalojë nga varësia e PD nën lakun e PS. Ndaj Lu dhe Vllahutin duhet të jenë prezent në këtë mbyllje të procesit të reformës në drejtësi.
Q.XH.