Ambasadori Lu mpreh “shpatën”
-Pritet të ketë arrestime të bujshme, jo vetëm nga bandat kriminale, të cilat qarkullojnë në makinat e politikës, por edhe vetë politikanë të lidhur me këto banda të rrezikshme.
Deklarata e ditës së shtunë, ku ambasadori amerikan Donal Lu u bëri thirrje të rinjve të rrëzojnë qeverinë nëse i mashtron, u cilësua si më e ashpra e diplomatit amerikan. Por pa u shuar jehona e qëndrimit të fortë në Rrëshen, dje nga Tirana ambasadori i SHBA godi edhe më fort se më parë. Këtë herë nuk foli me aludime dhe me shprehje që mund të ngatërrohen për shkak të delikatesës diplomatike. Përkundrazi, këtë herë ambasadori “mprehu shpatën” dhe qëlloi më fortë se kurrë sistemin e drejtësisë, si dhe kampet politike majtas dhe djathtas.
Ambasadori tha në mënyrë direkte se në Shqipëri veprojnë 4 klane të mëdha që kontrollojnë 20 familje kriminale. Sipas raporteve të Departamentit të Shtetit të SHBA, Shqipëria është qendër e aktivitetit të krimit të organizuar që përfshin trafikun e drogës, armëve dhe prostitucionit. Katër klane kryesore kontrollojnë 20 familje kriminale që menaxhojnë operacione kriminale ku përfshihen trafiku njerëzor, shantazhi, vjedhja e makinave, dhe pastrimi i parave”,- tha Donald Lu. Deklarata, përveç rëndësisë që mbart kur deklarohet nga ambasadori, bazohet edhe në raportet e Departamentit Amerikan të Shtetit, duke raportuar kështu një fakt të tmerrshëm për krimin e organizuar në Shqipëri, i cili nuk drejtohet nga politika, por më keq; drejton politikën. Kjo është shumë e rrezikshme.
Por diplomati i SHBA nuk u ndal vetëm në raportimin e grupeve mafioze në Shqipëri si fakte, por edhe denoncoi disa raste ku autoritetet shqiptare kanë dështuar të godasin krimin. Përballë magjistratëve të rinj dhe njerëzve të drejtësisë, Donald Lu rreshtoi një listë me emra të njohur të botës së krimit duke akuzuar drejtësinë dhe politikën si të përfshirë në lirimin, ose mosdënimin e tyre. Realisht politika e lartë ka gisht dhe përlyerje me këto persona kriminalë.
Sipas raporteve të Departamentit të Shtetit të SHBA, Shqipëria është qendër e aktivitetit të krimit të organizuar që përfshin trafikun e drogës, armëve dhe prostitucionit. Katër klane kryesore kontrollojnë 20 familje kriminale që menaxhojnë operacione kriminale ku përfshihen trafiku njerëzor, shantazhi, vjedhja e makinave, dhe pastrimi i parave. Shqipëria ka një treg të zi jo të vogël për mallra kontrabandë, në radhë të parë duhan, bizhuterì, makina të vjedhura dhe telefona celularë. Vendi mbetet në rrezik domethënës nga pastrimi i parave për shkak të korrupsionit të kudogjendur dhe një sistemi ligjor të dobët.
Lista nisi me Emiljano Shullazin, një nga emrat kryesorë që është arrestuar me dyshimet se drejton një bandat më të rrezikshme në vend. Edhe pse ndodhet pas hekura, Donald Lu “plasi bombën” në publik, kur tha se dyshohet se edhe pas hekurave ai kryen trafik droge. Kjo është e rëndë për shtetin.
Përmendi lirimin nga burgu të Lulzim Berishës, një prej drejtuesve të bandave që Durrësi i akuzuar për disa vrasje. Diplomati Lu nuk hezitoi t’a plaste në sytë e njerëzve të drejtësisë dhe të qeverisë se edhe pse u arrestuan disa zyrtarë të burgut për këtë vendim, Lul Berisha është ende i lirë. Natyrisht që nga përkrahja politike ndodhi lirimi.
Goditja e ambasadorit vijoi edhe me tej, duke përmendur rastin e Klement Balilit, një personazh i dyshuar për trafik ndërkombëtar droge të cilin SHBA e ka etiketuar si “Eskobari i Ballkanit”. Lu ishte i drejtpërdrejtë kur tha se ai është sot i lirë falë paaftësisë se “paaftësisë së prokurorëve, policisë dhe Ministrisë së Drejtësisë”. Natyrisht politikës.
Deklaratat e ambasadorit shpesh herë janë interpretuar si qëndrim vetëm kundër gjyqtarëve dhe prokurorëve. Por në fjalimin e djeshëm, ambasadori foli në mënyrë denoncuese edhe ndaj paaftësisë së qeverisë duke aluduar jo vetëm për paaftësi, por edhe përfshirje të strukturave shtetërore. Jo rastësisht tha se dy vjet janë arrestuar 1349 persona për hashashin, por asnjë prej tyre nuk ka qenë “peshk i madh”. Ndërsa shtoi se në vitin 2014 në Shqipëri u vendosën 72 bomba me telekomandë dhe ende sot nuk ka asnjë të arrestuar.
Këto fenomene të cilat qenë të njohura në publik, kur thuhen nga ambasadori i SHBA marrin tjetër vlerë. Pyetja që këto ditë bëhet shpesh në media dhe në politikë është se çfarë ka ndodhur që diplomati i SHBA vendosi të flasë pa dorashka? Siç duket, me afrimin e reformës në drejtësi, në dritë kanë dalë fakte të panjohura dhe më të tmerrshme se kaq për njerëzit e pushtetit. Ambasadori e ka “mprehur shpatën” dhe ky mesa duket është vetëm fillimi.
Ministri i brendshëm Fatmir Xhafa duket se do të shkatërrojë krejt mafien policore të lidhur me bandat kriminale. Flitet ndër qarqet e larta qeveritare se po përgatit lëvizje të mëdha në Policinë e Shtetit. Për këtë ka edhe përkrahjen e strukturave të huaja monitoruese ndaj policisë.
Pritet të ketë arrestime të bujshme, jo vetëm nga bandat kriminale, të cilat qarkullojnë në makinat e politikës, por edhe vetë politikanë të lidhur me këto banda të rrezikshme.
Fatmir Xhafa është në kulmin e karrierës së tij për të hyrë në histori.
A.M.