Ambasadori Lu:Kujdes me drogën, qeveritarë!

Prej disa muajsh opinioni publik dhe klasa politike po zien nga akuzat dhe faktet për trafikun e drogës në Shqipëri. Veç debateve të ditës është pritur me kureshtje qëndrimi i selive kryesore diplomatike në vend, lidhur me këtë fenomen. Dje ka ardhur reagimi i parë për situatën e kanabisit. Ambasadori i SHBA, shtetit që është partner kryesor strategjik i Shqipërisë, ka fshikulluar klasën politike. Por nëse flitet për situatën aktuale, pala që fshikullohet më tepër është pala që ka pushtetin.

Në një takim me studentët e gazetarisë, ambasadori Donald Lu ka folur hapur, siç di tashmë ai të flas kur pyetet për situatën në vend. Diplomati nuk i ka kursyer kritikat duke deklaruar se ka politikanë që kanë përfituar nga lidhjet me trafikantët e drogës.

“Pyetja që kam disa herë në media është nëse situata sot është më keq se sa ishte nën qeverinë e kaluar. Dhe reagimi im është se mendoj të dyja, qeveria e kaluar dhe qeveria aktuale kanë probleme me trafikimin e drogës dhe ka politikanë që kanë përfituar nga lidhjet e tyre me trafikantët e drogës. Dhe mendoj se ia vlen të sjellim në mend që e dimë se ka një numër anëtarësh të parlamentit, ka kryebashkiakë në Shqipëri dhe ka pasur kandidatë për kryebashkiakë që kanë pasur dënime për trafik droge në shtete anëtare të BE-së”,- deklaroi ambasadori Amerikan.

Deklarata e djeshme është e para e drejtpërdrejtë e ambasadorit amerikan për çështjen e kultivimit të kanabisit në vend. Për vetë mënyrën sesi është përdorur roli i ndërkombëtarëve këto ditë nga politika, kjo deklaratë vlen të analizohet pak më gjatë.

Kryeministri Rama ka përmendur disa herë se SHBA dhe BE i kanë njohur meritën e luftës ndaj drogës qeverisë së tij. Të enjten në Kuvend, kur u akuzua për avionët e drogës që ulen në Shqipëri, Edi Rama tha: “Departamenti Amerikan i Shtetit është një nga mekanizmat më të fuqishëm brenda aleancës euroatlantike dhe përpara se t’i bësh thirrje, jep një shpjegim, sipas informacioneve që ti (Sali Berisha) ke nga bota jote e fantazive me shërbime sekrete, sesi shpjegohet që Departamenti Amerikan i Shtetit, në raportet e vitit 2014 dhe të vitit 2015 flet për rezultate mbresëlënëse, citoj “falë angazhimit të lidershipit politik””.

Deklarata e djeshme e Ambasadorit vlen për gjithçka, por jo si mbështetje ndaj punës që qeverisë dhe lidershipit. Nëse një diplomat thotë se ka politikanë të lidhur me trafikantët, ka thënë njëkohësisht se paratë e drogës kanë hyrë në Kuvend, kanë blerë vota dhe kanë ndikuar që trafikantët t’i shpëtojnë ligjin. Kjo është një akuzë që megjithë mëkatet dhe abuzimet e qeverisë së kaluar, bëhet sot dhe shigjeton qeverinë aktuale.

Nëse PS thotë se po lufton më shumë drogën sesa në kohën e PD-së, Ambasadori i SHBA theksoi se probleme kanë me drogën të dyja qeveritë. Pra minimalisht e krahasoi qeverinë “Rama” me qeverinë “Berisha”. U vuri shenjën e barazimit.

Qëndrimi i ambasadorit të SHBA duket se nuk është i rastësishëm. Një ditë më parë, një diplomat i rëndësishëm deklaronte në revistën prestigjioze “The Economist’ se “situata me drogën në Shqipëri po përkeqësohet”. Të gjithë këto fakte nuk lënë vend për suksese dhe mburrje. Tashmë diplomatët po flasin për situatë alarmante. Nuk po deklarojnë asgjë optimiste. Deklarata e Lu me studentët  e gazetarisë investigative rrëzoi dhe mitin e qeverisë aktuale se kabineti “Rama” ka marrë vetëm lëvdata nga kancelaritë e huaja. Ambasadori Lu e tha hapur se në qeverinë aktuale ka politikë, deputetë, kryetarë bashkish që kanë lidhje me trafikantë. Siç duket nuk mban më “ujë pilafi”.  Fenomeni i mbjelljes së drogës dhe tregtimit së saj nuk mund të fshihet më me raporte të policisë apo me deklarata në Kuvend, ku thuhet se “partnerët strategjikë nuk na kanë kritikuar”.

Kritika u bë dhe madje shumë e fortë. Aq sa mund të thuhet në publikë. Në kanale të tjera komunikimi, raportet mund të jenë shumë herë më të zeza sesa thuhet.

Ambasadori amerikan Lu më në fund foli për drogën. Dhe foli shkurt dhe prerë. Të dyja qeveritë, si ajo e Berishës dhe kjo e Ramës janë njëlloj në raport me drogën.

Është akuzë e rëndë, të cilën duhet që kryeministri, ti jap zgjidhje. Hashashi është kudo. Po kthehet në vend të çajit kudo nëpër kodra e male.

SHKARKO APP