Andi Bejtja:Pa pjatën e Venecias nuk e ha qoften e Reformës në Drejtësi

 

 

Intervistë ekskluzive për "Koha Jone" e analistit dhe gazetarit  Andi Bejtja.

A këmbëngulni përsëri që ambasadorja Vllahutin duhet të dorëhiqet?

Së pari, po ju them paraprakisht, se unë nuk i lëviz asnjë presje atyre që kam thënë së fundmi, në lidhje me çka mendoj për reformën në drejtësi. Së pari dhe së dyti bashkë, po e jap këtë intervistë jo se kam ndonjë gjë të re për të thënë në lidhje me këtë temë, por për hir të respektit të emrit të kësaj gazete, ku unë, si dhe shumë të tjerë, kam kaluar gati gjysmën e jetës sime profesionale. Dhe së pari, së dyti dhe së treti bashkë, po e jap për shkak të deformimeve që iu janë bërë thelbit të intervistave të mia, sidomos nga mediat on line, të cilat kanë marrë paragrafë që iu janë dashur njërës apo tjetrës palë, i kanë dhënë ngjyrimin që iu është dashur, madje kanë vënë në gojën time fjalë që nuk i kam thënë, për të më futur edhe mua në atë klishenë 20-vjeçare ne dhe ata, ne që e duam reformën në drejtësi dhe ata që nuk e duan. Dhe, meqë jemi te kjo pikë, kanë arritur të më vënë në gojë dhe fjalë të tilla, sikur paskam thënë se Kryeministri Rama dhe ambasadorja Vllahutin e paskan hartuar bashkë draftin për reformën në drejtësi. Gënjeshtra, shpifje, vetëm për të futur këdo, që mund të ketë dhe dyshimin më të vogël intelektual për një reformë jo të lehtë, për të cilën ende nuk kemi bërë asnjë debat, për një reformë që nisi duke e trajtuar ministrin e drejtësisë si kalamajtë që presin topat pas porte në stadium dhe Presidentin e vendit si punonjës i call center…..Pse? Vetëm e vetëm se duhet patjetër  te futemi të gjithë te klisheja: ne që nuk duam reformën, ne të shiturit, ne që bëjmë lojën e opozitës, ne të korruptuarit dhe ata të mirët, të pastrit, të ndershmit, bashkë me gazetarët e tyre të ndershëm dhe me sitet on line të bardha si bora….Po hyjmë në një fazë shumë të errët për mendimin tim, të pakonceptueshme….Ndoshta nuk e dalloni, a ndoshta nuk e formuloni, ndoshta ju duket herët,  po ka ardhur puna që duan të na stopojnë jo thjesht të menduarit ndryshe, por, mbi  të gjitha, të na ndalojnë dhe atë që është thelbësore për mendimin qytetar: “procesin e të dyshuarit”, gjënë më jetike për ekzistencën e njeriut dhe të qytetarisë, “dyshimin”. Dhe kjo dihet çfarë regjimesh pjell. E që në këtë atmosferë, me dashje a pa dashje, ka luajtur rol dhe euforia dhe fjalori revolucionar i disa ambasadorëve, këtë nuk e luan as topi. Po këta të mirët, çunat e mbarë të  mamit Reformë,  cilët na qenkan: këta që 45 për qind të tenderave për një vit i kanë bërë me prokurim të drejtpërdrejtë; këta shpikësit e klonimit të koncesionit……Kot i mbajnë ministrat emrat e përveçëm, koncesion duhet ta kishin emrin të gjithë dhe Kryeministri, Kryekoncesionar…

Këta janë të mirët e reformës në drejtësi, që, për shembull, në se në rastin e Francesko Bekketit ku kam punuar, prokuroria fliste për dyshime dhe Kryekoncesionari i vuri vulën, duke folur para prokurorisë, gjykatës e të gjithave……Me këta do ta ha rehat unë qoften e reformës në drejtësi? Unë për vete nuk e ha këtë qofte, të ma fusë në gojë me dorën e vet, qoftë Vllahutini, vëllai i mamasë sime, qoftë dhe mamaja ime…Do kafshoja gjysmën e qoftes, në qoftë se do të shikoja që po respektoheshin standardet. Dhe të vetmen shpresë këtu e kam te zbatimi i rekomandimeve të Venecias. Po kështu, tani, në këtë mënyrë ta ha unë këtë qofte…Dora e kujtdo të ma afrojë në gojë do ta refuzoj…Çfarë kam thënë? Kam thënë, e mira e të mirave është që reforma në drejtësi të mos bëhej nga kjo klasë politike….Por, në qoftë se bëhet prej saj, të paktën të mos zhbëhen standardet e procesit të të bërit reformë. Kaq, nuk ju duket normale? Apo më ka blerë Berisha me Bashën? Sepse, këta 25 vjetët e fundit në këtë vend kam parë se si gjëja që ne shqiptarët bëjmë më me vështirësi është vendosja dhe çimentimi i standardeve dhe gjëja që bëjmë më lehtë dhe që na ka lënë pa bërë shtet, është zhbërja e tyre…Në qoftë se ju duken si mendimet e Berishës apo të Bashës këto, më paskan blerë pa e kuptuar, tani të shoh në cilën bankë m’i kanë derdhur lekët…Për parantezë, jam më afër mendimeve të Blushit……

Të kthehemi te pyetja që bëtë për ambsadoren Vllahutin, më falni se për pak desh e harrova. A këmbëngul unë te dorëheqja e saj? Dhe kjo pyetje është deformim dhe viktimë, në një farë mënyre, e asaj klisheje që përshkrova. Meqë ambasadorja ishte shprehur dikur se reforma mund të bëhej dhe pa konsensus opozitar dhe meqë ndërkohë rekomandimet e Venecias pohonin që duhet bërë nën frymën e dekriminalizimit, thashë në mënyrë eksplicite: në qoftë se pas kësaj që ka thënë e ka të vështirë ta veshë kostumin e Venecias, s’ka kuptim të rrijë ambasadore e BE-së, se BE-ja Venecian duhet të shohë…kaq. As kjo nuk ju duket logjike….?

Pse e godisni ambasadoren e BE-së e jo ambasadorin Lu?

Më falni, dhe kjo pyetje është rezultat i asaj klisheje për të cilën fola më parë. Fjala goditur nuk ka lidhje me mua. Nuk kam goditur e as kam provokuar ndonjë ambasador, sikurse deformojnë mendimet e mia disa media. Po di që atë ditë që e pashë ambasadorin Lu me Rekomandimet e Venecias në sqetull, pata një ndjenjë çlirimi.

Pse kërkoni një parti të re me Ben Blushin, apo është diversion ndaj Ramës?

E kush qenkam unë që përdorkam Blushin për t’i bërë diversion Ramës? E, për më tepër, kush qenka Blushi që e haka këtë diversion si qoftet e reformës në drejtësi.. Unë thjesht kam thënë që shumë nga mendimet publike të Blushit janë qytetare, të ndryshme nga të kësaj klase politike dhe jo vetëm nga të partisë së tij…Kam thënë se me këto mendime, me këto teza, pavarësisht se nuk jam dakord me një pjesë të tyre, sidomos me ato që lidhen me ekonominë, kam thënë, po e përsëris, që Blushi, për një ose për njëmijë arsye, edhe po nuk e shpalli partinë, për ta themeluar e ka themeluar…Po ky muhabeti i Blushit është shumë i gjatë, do dy gazeta….

SHKARKO APP