Apo heton Prokuroria deputetin e mazhorancës, Alket Hyseni?
Nga Qamil Xhani.
Një histori pronash në bregdet dhe padish në gjykatë ka përfshirë një zyrtar të lartë të Partisë Socialiste. Deputeti dhe kryetari i Komisionit të Garancive Statutore në PS, Alket Hyseni akuzohet nga Irini Bua nga Dhërmiu i Vlorës “për vjedhjen,- sipas saj,- të 11 mijë metër/katrorë pronë të fituar me ligjin 7501”. Denoncimi ndaj deputetit është bërë të enjten në emisionin “Të Paekspozuarit” të Ylli Rakipit në “Top Channel”. Ndërkohë, dje Prokuroria për Krimet e Rënda ka konfirmuar se ka nisur hetim për dosjen e pronave për të cilën flet qytetarja nga Dhërmiu, por pa saktësuar se kush janë emrat nën hetim dhe çfarë paligjshmërishë po hetohen konkretisht në lidhje me këto dosje. Burime të rezervuara nga kjo prokurori thanë se nuk përjashtohet edhe hetimi i deputetit të PS-së, Alket Hyseni, por ka shumë presion nga selia rozë mbi prokurorinë e përgjithshme, duke lenë të kuptohet se ndërhyrja në këtë çështje sensitive vjen nga kryeministria.
Akuzat e qytetares nga Dhërmiu janë pasuar dhe nga një seri denoncimesh të Partisë Demokratike ndaj deputetit socialist. Sekretari i grupit parlamentar të PD-së, Ervin Salianji deklaroi dje se deputeti që akuzohet për tjetërsim pronash, kur në vitet 2014-2016 ka mbajtur detyrën e kreut të Task-Forcës në Kryeministri, pikërisht për verifikimin e pronave. Sipas asaj që thotë PD-ja i dërguari i Edi Ramës për zbulimin e abuzimeve me pronat në bregdet, deputeti Hyseni ka përfituar personalisht prona të marra në mënyrë të paligjshme. Po sipas PD-së, prona është blerë nga deputeti aktual i PS Alket Hyseni në kohën kur ishte i dërguari i kryeministrit Rama për verifikimin e pronave në jug të vendit. Nga blerja dhe më pas shitja e pronës, deputeti socialist ka përfituar rreth 200 milionë lekë.
Deputeti Alket Hyseni në një deklaratë në Facebook shprehet se akuzat e PD nuk qëndrojnë dhe jep argumentet e tij për këtë çështje. Ai thotë se me gruan që e akuzon nuk ka asnjë njohje dhe asnjë kontratë ligjore për çështje pronash. Ndërkohë deklaron se pronën e ka nga një person që e kishte blerë me parë nga kunati i gruas që sot e akuzon për vjedhje. Sipas deputetit të PS-së, prona sot është shitur dhe gjithë procedura është kryer konform ligjeve duke paguar dhe taksat përkatëse. Por një detaj i publikuar dje nga Partia Demokratike e komplikon edhe më tej situatën. Sipas PD-së deputeti i PS e ka blerë pronën nga Ilia Taka, një person që një vit më parë është arrestuar nga policia për falsifikim dokumentesh dhe tjetërsim pronash pikërisht në bregdetin e Vlorës dhe Dhërmiut. PD shkon edhe më tej në akuzën e saj duke thënë se “Alket Hyseni, i besuari i Edi Ramës për të verifikuar tjetërsimin e pronave në Bregun e Jugut nga viti 2014 deri në vitin 2016, nuk ka dhënë asnjë shpjegim sesi u bë pronar i një prone, transaksioni për të cilën ishte ndaluar me vendim nga Gjykata e Vlorës”.
Deputeti i PS-së është një nga njerëzit që ka bërë karrierën me të shpejtë në PS gjatë viteve të fundit. Nga një ish-doganier, më pas jurist dhe pedagog i drejtësisë në disa universitete, në vitin 2013 Hysenaj u emërua Kryetar i Task Forcës së Kryeministrit “Për pronat e paluajtshme shtetërore”. Në vitin 2016 ai mori detyrën e Drejtorit të Përgjithshëm të Drejtorisë së Parandalimit të Pastrimit të Parave. Në vitin 2017, Partia Demokratike e akuzoi këtë drejtori qeveritare si një institucion ku po pastroheshin paratë e drogës dhe mafies. Në letrën e dorëheqjes, Hyseni shkruante se “emri im është sulmuar shumë javët e fundit dhe largimi im nga ky post do të shërbejë për të hequr çdo alibi”. Pas dorëheqjes, në zgjedhjet e vitit 2017 Hyseni u përfshi në listat e sigurta të PS për deputetë dhe ekipin elektoral të kryeministrit Edi Rama në qarkun e Vlorës. Deputeti i Vlorës, Alket Hyseni, është nga politikanët e PS që ka folur më shumë për nevojën e hetimit të zyrtarëve të lartë dhe politikanëve sidomos të opozitës. Emblematike ka mbetur shprehja e tij në një emision televiziv kur deklaroi se kryeprokurorja “Arta Marku do ta tundë mirë…”, duke nënkuptuar reformën në drejtësi me ndëshkime të zyrtarëve të lartë.
Sot ndaj deputetit të PS ka një akuzë publike nga një qytetare dhe nga opozita. Shqetësues është fakti se akuza bëhet ndaj një zyrtari që u ngarkua nga Kryeministri pikërisht për të zgjidhur çështjen e pronave në zonat bregdetare. Prokuroria njofton se ka marrë nën hetim dosjen e pronave në Vlorë. Në të vertetë duket paksa paradoksale se si një pedagog i drejtësisë, që e njeh mirë ligjin, të ketë bërë gabime ligjore, aq me tepër duke qenë edhe deputet që akuzon të tjerët për vjedhje dhe korrupsion.
Megjithatë mbetet që deputeti Alket Hyseni duhet të flas publikisht në sallën e Kuvendit për të sqaruar të vertetën, pasi facebook-u nuk shkon në çdo fshat dhe nuk përdoret nga çdo njeri. Ashtu sikurse edhe prokuroria e krimëve të rënda duhet të mos tërhiqet nga hetimi i dosjes në fjalë prej presionit të selisë rozë.
Q.Xhani