Armand Shkullaku: Vendimi për të lënë AbcNews ishte i pronarit A.Frangaj

Armand Shkullaku, një nga gazetarët më profesionistë në Shqipëri dhe Kosovë është larguar sot nga drejtimi i ABCNews, televizion i ngritur profesionalisht krejtësisht nga Shkullaku. Mësohet se largimi nga ky televizion nuk ka qenë dëshirë e Shkullakut si drejtues , por i pronarit të këtij televizioni, Aleksandër Frangaj.

Shkullaku bashkë me gazetarin Andi Bushati drejtuan revistën “Klan” në shkurt 1997, bashkë me A. Frangaj, duke e bërë një revistë prestigjoze për disa vite. Me pas Shkullaku ka drejtuar lajmet në TV Klan, duke e ngritur nga ana profesionale këtë televizion, i cili u bë me pas televizion kombëtar. Për një kohë ka drejtuar Klan Kosova dhe prej disa vitesh ishte drejtor i ABCNews, derisa e larguan sot nga ky televizion.

Për me tepër Armand Shkullaku ka sqaruar në një intërvistë për median Mapo.

Mapo: A është e vërtetë se nuk do të jeni më në drejtimin e AbcNews?

Po, është e vërtetë. Pas katër viteve të vështira por edhe të bukura në rindërtimin dhe konsolidimin e këtij televizioni informativ, erdhi dhe momenti që në fakt, ne gazetarët, e kemi gjithnjë të pritshëm, ai kur një projekt ndërpritet apo përfundon.

Mapo: Ishte zgjedhja juaj?

Jo, vendimi për të lënë AbcNews nuk ishte një zgjedhje e imja. Pronari i grupit mediatik për të cilin unë punoj, gjykoi se në këtë periudhë televizionit i duhet një qasje e re, menaxhariale dhe editoriale, dhe kështu kontrata ime 4 vjeçare me AbcNews quhet e përfunduar këtu. Nuk do të kem një kontratë të re me këtë televizion.

Mapo: Dhe pas kësaj, a keni menduar se ku do të angazhoheni?

Frangaj më ka bërë disa propozime brenda grupit mediatik Klan. Drejtues i programacionit në Tv Klan, drejtues i një emisioni politik në AbcNews apo dhe propozime të tjera, të cilat jam duke i konsideruar përpara nënshkrimit të një kontrate të re.

Për momentin do të pushoj për pak kohë dhe më pas do të shikoj vijimësinë.

Mapo: Ju vjen keq që po ndaheni me AbcNews?

Padyshim, pasi besoj se bashkë me ekipin e gazetarëve dhe redaktorëve aty, mundëm të krijojmë dhe të zhvillojmë një hapësirë mediatike profesionale dhe të lirë. Kam vlerësimin më të lartë për secilin prej punonjësve të AbcNews, me të cilët pata kënaqësinë të punoj këto katër vite.

Besoj se AbcNews është një vlerë për publikun dhe e ka merituar vlerësimin e tij. Nuk është e lehtë të shkëputesh nga një projekt, ku përpjekjet për profesionalizëm janë pjesë e pasionit personal dhe atij të një ekipi të tërë.

Por si çdo ndodh rëndom në zanatin tonë, gjërat nuk mund të zgjasin përjetësisht.

Mapo: Pra mesa duket po shkëputeni nga puna e përditshme e politikave edituese…

Nga përditshmëria dhe përgjegjësia institucionale po. Por personalisht do të mbetem i angazhuar, me shkrime dhe opinione, për të thënë gjithnjë atë që mendoj dhe duke u përpjekur të mbetem i paluhatur në bindjet e mija profesionale.

 Me 30 dhjetor 2016 Armand Shkullaku u votua si “Gazetari i Vitit 2016” nga lexuesit online të gazetës “KOHA JONE”

shkk

Armand Shkullaku është brezi i gazetarëve të parë në vend, që në vitet ‘90 ndryshuan konceptet e vjetruara të gazetarisë së ish-diktaturës komuniste dhe vendosën kriteret e gazetarisë profesioniste. Filloi punë si gazetar në vitin 1991 në të parën gazetë të lirë dhe opozitare në Shqipëri, “Rilindja Demokratike”. Dha dorëheqjen bashkë me gjashtë gazetarë të tjerë, në fund të vitit 1992, në shenjë proteste kundër censurës së re që po instalohej nga Partia Demokratike e ardhur në pushtet. Për një periudhë të gjatë kohore, deri në vitin 1998, punoi në gazetën e parë të pavarur shqiptare, “Koha Jonë”. Në këtë gazetë, Shkullaku punoi si gazetar, redaktor, zv/kryeredaktor dhe Kryeredaktor i saj. Më pas, themeloi bashkë me një grup gazetarësh revistën e parë javore në Shqipëri, emrin e së cilës e përzgjodhi ai. Në revistën “Klan” punoi deri në vitin 2002, ku e renditi këtë media ndër periodikët më të lexuar dhe më me ndikim në vend. Më pas karriera e tij, nga shtypi i shkruar u përqëndrua te media  televizive, ku dhe këtu arriti të lërë gjurmët e profesionalizmit dhe përkushtimit. Fillimisht si drejtor i lajmeve në Televizionin Klan dhe më pas në televizione të tjera.

Në vitin 2008 deri në 2012-ën, Shkullaku themeloi dhe punoi në televizionin “Klan Kosova” në Prishtinë. Në pak vite, nën drejtimin e tij, “Klan Kosova” u kthye në një nga mediat më me influencë jo vetëm në Kosovë, por edhe në Shqipëri, duke u bërë një medium që me informacionet dhe temat e trajtuara afroi më shumë shqiptarët e dy vendeve. Pas përvojës së suksesshme në Prishtinë me “Klan Kosova”, Shkullaku u kthye në Tiranë, si drejtor i televizionit të ri informativ “Abc News”. Brenda pak kohësh, profesionalizmi dhe idetë e tij bënë diferencën mes “ABC News” dhe televizioneve të tjera informative.

Përveç punës së përditshme në median vizive, Shkullaku është i pranishëm në median e shkruar me shkrime, analiza dhe opinione. Rubrika e tij e përjavshme në gazetën “Mapo”, por edhe vlerësimet e publikut për pjesëmarrjen e tij në debate në media, e rendit atë në gazetarët më profesionist dhe më me ndikim në vend.

Së fundmi, Armand Shkullaku bashkë me gazetarin e analistin e mirënjohur Andi Bushati kanë themeluar portalin e suksesshëm lapsi.al

(Marrë nga Koha Jonë, datë 30 dhjetor 2016)

Raportimet e mediave për largimin e Armand Shkullakut nga ABC News

Largimi nga posti i drejtorit të ABC News i Armand Shkullakut ka shkaktuar komente dhe reagime të shumta të rrjetet sociale dhe në media. Më poshtë mund të lexoni raportimet dhe komentet që mediat e ndryshme si TEMA, Panorama, Ekspres, Syri, etj kanë për largimin e Shkullakut nga drejtimi i televizionit.

JavaNews: Shkullaku shkarkohet nga posti i drejtorit të informacionit në ABC News

Armand Shkullaku nuk do të jetë më drejtor informacioni në televizionin informativ ABC News. Lajmi konfirmohet nga vetë ky i fundit i cili pohoi se pas 4 vitesh do të largohet nga ky post.  Shkullaku deklaroi se vendimi për largimin nuk ishte i tiji por i pronarit të grupit mediatik. Ende nuk dihet se kush do ta zëvendësojë Shkullakun në këtë post. Javanews.al

Newsbomb: Shkullaku largohet nga Abc News, Frangaj tjetër propozim

“Armand Shkullaku nuk do të jetë më drejtor i informacionit në Abc News, mëson Newsbomb.al nga burime brenda këtij televizioni.

Sipas këtyre burimeve, Shkullaku do të qëndrojë në këtë funksion deri në fund të muajt janar. Mësohet gjithashtu se pronari i televizionit, Aleksandër Frangaj i ka ofruar Shkullakut një tjetër post në Tv Klan, por ai nuk i ka kthyer ende një përgjigje përfundimtare. Armand Shkullaku ka drejtuar Abc News që prej vitit 2012 duke e kthyer atë në një prej televizioneve informativ më të ndjekur./Newsbomb.al”

Shuplaka.com: Pse Aleksandër Frangaj largoi Armand Shkullakun nga ”ABC News”?

Portali i ri “Shuplaka.com” shkuan se pas kësaj lëvizje në “ABC News” fshihet ndikimi i kreut të Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj.

Më poshtë shkrimi i plotë i Shuplaka: 

U duk jo i vërtetë fillimisht lajmi për largimin e Armand Shkullakut nga televizioni informativ “ABC News”. Shkullaku është nga të paktët analistë me prerje tipike gazetareske në Shqipëri. Në drejtim të një prej televizioneve të suksesshme informative dhe me shkrime në portalin ”Lapsi”, Shkullaku ka qenë herë pas herë kritik me zhvillimet në vend. Ndryshe nga të gjithë, për Shkullakun, në çdo analizë apo shkrim ka patur  rëndësi vetëm një gjë: fakti.

Prandaj, në situatën kur Shkullaku ishte duke bërë sukses në punët e tij si profesionist, u duk krejt e pabesueshme lëvizja e beftë e pronarit Aleksandër Frangaj.

Sot në një intervistë për gazetën “Mapo”, Shkullaku me fjalët e tij shpjegonte se kishte ardhur një moment që Frangaj kërkonte një qasje të re menaxheriale dhe editoriale, duke lënë të kuptohej qartësisht se pse kishte ndodhur largimi.

Por pse është larguar në të vërtetë Shkullaku?!

Kur kolegu i tij i ”Lapsi”-t, Andi Bushati akuzonte Erjon Veliajn në ditët e fundit të 2016 se ka blerë Aleksandër Frangajn dhe Vjollca Hoxhën me planin urbanistik të “Boerit”, pritëm faktet.

Po Bushati nuk foli më. Faktet dolën sot.  Frangaj ka hequr Shkullakun nga ABC me “takt”. I ka ofruar një pozicion në Klan Tv me pretekstin që ”ABC News” del me humbje.

Pas më shumë se 5 vjetësh, u  bë më në fund bilanci negativ i ”ABC News”. Dhe kështu i vetmi TV që ende ishte oponent me qeverinë dhe Bashkinë e Tiranës doli me staf të tepërt.

Frangaj shkurtoi një pjesë të madhe të stafit, korrespondentët jashtë vendit, gazetarët në rrethe dhe drejtorin. Në fakt ”Lapsi” i Shkullakut e ka kritikuar gjithmonë Erion Veliajn. Shkullaku e bënte këtë edhe te ”ABC Neës”. Por kohët e fundit u vu re që sulmet te ”Lapsi” po shtoheshin madje u bënë fushatë, ndërsa sulmet te ”ABC  Neës” pakësoheshin derisa Veliaj u shfaq vetë te te ky televizion. ABC Neës” tani i takon Rilindjes”.

Gazeta Tema: “Frangaj nuk duroi dot. E heq Shkullakun nga ABC News dhe merr vet drejtimin e televizionit”

Armand Shkullaku, Drejtor i ABC News është liruar nga detyra dhe vendin e tij e ka marr poronari I Tv Aleksandër Frangaj. Frangaj mësohet si I ka kërkuar dorheqjen Shkullakut dhe do ta bëj vet detyrën e drejtorit.

Edhe pse zyrtarisht nuk thuhet, duket se Shkullaku ishte bërë pengesë për Frangaj lidhur me përdorimin e Tv për cështje personale, biznesi dhe politike.

Në një intervistë për gazetën Mapo, Shkullaku thotë se “Vendimi për të lënë AbcNews nuk ishte një zgjedhje e imja. Pronari i grupit mediatik për të cilin unë punoj, gjykoi se në këtë periudhë televizionit i duhet një qasje e re, menaxhariale dhe editoriale, dhe kështu kontrata ime 4 vjeçare me AbcNeës quhet e përfunduar këtu. Nuk do të kem një kontratë të re me këtë televizion.” SHkulaku thotë se Frangaj më ka bërë disa propozime brenda grupit mediatik Klan. Drejtues i programacionit në Tv Klan, drejtues i një emisioni politik në AbcNews apo dhe propozime të tjera, të cilat jam duke i konsideruar përpara nënshkrimit të një kontrate të re. Për momentin do të pushoj për pak kohë dhe më pas do të shikoj vijimësinë. TEMA.

Gazetaexpress: Pse Frangaj largoi Armand Shkullakun nga ”ABC News”

“U duk jo i vërtetë fillimisht lajmi për largimin e Armand Shkullakut nga televizioni informativ ”ABC News”.  Shkullaku është nga të paktët analistë me prerje tipike gazetareske në Shqipëri. Në drejtim të një prej televizioneve të suksesshme informative dhe me shkrime në portalin ”Lapsi”, Shkullaku ka qenë herë pas herë kritik me zhvillimet në vend. Ndryshe nga të gjithë, për Shkullakun, në çdo analizë apo shkrim ka patur  rëndësi vetëm një gjë: fakti.

Prandaj, në situatën kur Shkullaku ishte duke bërë sukses në punët e tij si profesionist, u duk krejt e pabesueshme lëvizja e beftë e pronarit Aleksandër Frangaj. Sot në një intervistë për gazetën ”Mapo”, Shkullaku me fjalët e tij shpjegonte se kishte ardhur një moment që Frangaj kërkonte një qasje të re menaxheriale dhe editoriale, duke lënë të kuptohej qartësisht se pse kishte ndodhur largimi. Por pse është larguar në të vërtetë Shkullaku?!

Kur kolegu i tij i ”Lapsi”-t, Andi Bushati akuzonte Erjon Veliajn në ditët e fundit të 2016 se ka blerë Aleksandër Frangajn dhe Vjollca Hoxhën me planin urbanistik të “Boerit”, pritëm faktet, shkruan portali Shuplaka. Po Bushati nuk foli më. Faktet dolën sot.  Frangaj ka hequr Shkullakun nga ABC me “takt”. I ka ofruar një pozicion në Klan Tv me pretekstin që ”ABC News” del me humbje. Pas më shumë se 5 vjetësh, u  bë më në fund bilanci negativ i ”ABC News”. Dhe kështu i vetmi TV që ende ishte oponent me qeverinë dhe Bashkinë e Tiranës doli me staf të tepërt.

Frangaj shkurtoi një pjesë të madhe të stafit, korrespondentët jashtë vendit, gazetarët në rrethe dhe drejtorin. Në fakt ”Lapsi” i Shkullakut e ka kritikuar gjithmonë Erion Veliajn. Shkullaku e bënte këtë edhe te ”ABC News”. Por kohët e fundit u vu re që sulmet te ”Lapsi” po shtoheshin madje u bënë fushatë, ndërsa sulmet te ”ABC  News” pakësoheshin”.

SYRI: Çfarë po ndodh me ‘ABC’? Largime dhe shkarkime të shumta! Ja kush ka ikur

“Ndryshime të mëdha në televizionin informativ ABCNews. Burime nga ky televizion kanë bërë të ditur se në ditët e para të janarit janë bërë shumë ndryshime.

Sipas tyre janë larguar shumë punonjës e në mes tyre edhe drejtori i këtij televizioni që ishte në këtë detyrë prej disa vitesh. Armand Shkullaku mësohet se nuk ka pranuar propozimin e ri të pronarit Aleksandër Frangaj duke mos qenë më drejtor i ABCNews. Ai do të qëndrojë në këtë detyrë deri në fund të janarit.

Mësohet se Frangaj i ka ofruar një post tjetër Shkullakut, për të cilin ai ende nuk ka dhënë përgjigje. Por jo vetëm kaq. Burimet thanë se ka pasur edhe lëvizje të tjera të drejtuesve dhe gazetarëve të këtij televizioni. Burimet thanë se televizioni mund të jetë shitur tek pronarë të rinj, të cilët kanë vendosur të bëjnë lëvizje, ose pronarët aktualë janë duke ndryshuar politikat e televizionit. ABCnews ishte ndër të paktë ekrane në opozitë me qeverinë e drejtuar nga Edi Rama dhe kryebashkiakun e Tiranës, Erion Veliaj. /SYRI.net”

Citynews: Largohet drejtori informativ i televizionit AbcNews

Drejtori informativ i ABCNews, Armando Shkullaku është larguar nga detyra. Burime nga ky televizion bëjnë me dije se përveç Shkullakut janë larguar edhe disa nga punonjësit.

Mësohet se Aleksandër Frangaj i ka ofruar një post tjetër Shkullakut, për të cilin ai ende nuk ka dhënë përgjigje. Duke komentuar largimin e tij nga ABC News Shkullaku shprehet se:

Besoj se AbcNews është një vlerë për publikun dhe e ka merituar vlerësimin e tij. Nuk është e lehtë të shkëputesh nga një projekt, ku përpjekjet për profesionalizëm janë pjesë e pasionit personal dhe atij të një ekipi të tërë.

Standard: Armand Shkullaku largohet nga abcnews, reagimet: Rilindi edhe ABC-ja

“Armando Shkullaku largohet nga drejtimi i ABC NEWS, të cilin e drejtone prej vitit 2012.Mësohet se largimi nga ky televizion nuk ka qenë dëshirë e Shkullakut si drejtues , por ndryshimi editorial i pronarit të këtij televizioni, Aleksandër Frangaj. Në një intrvistë për “Mapo” Armand Shkullaku pranon largimin”, shkruan “Standard.al”. Gazeta citon dhe reagimin e aktorit Julian Deda.

Julian Deda: Largimi i Shkullakut dhe blerja e mediave nga Edi dhe Eri

Largimi nga posti i drejtorit të ABC News i Armand Shkullakut ka shkaktuar reagime të shumta të rrjetet sociale. Aktori Julian Deda në një postim në Facebook e sheh largimin e Shkullakut si pasojë e blerjes së mediave nga pushteti.

Ja çfarë shkruar aktori Julian Deda: “Zaptimi i hapësirave televizive nga Eri dhe Edi, vjen si rrjedhojë i blerjes nëpërmjet planit rregullues të Tiranës të bosëve të mediave.

Rezultati është i dukshëm. Shkarkimi (medemek iku vetë) i Shkullakut nga ABC Neës dhe telefonatat kërcënuese të bosëve drejt gazetarëve të tyre duke i urdhëruar të mos thonë asnjë fjalë kundër Erit.

Kështu jemi drejt zaptimit të hapësirave të Facebookut, të cilat, sipas zërave nga punonjësit e Bashkisë, Erin e shqetësokan pafund.

P.S. Kjo është shumë serioze, aspak për të qeshur. Keqardhje”.

Komentet për largimin e Shkullakut nga drejtimi i ABC News ka pasur në rrjetet sociale edhe nga gazetarë dhe qytetarë të ndryshëm. Më poshtë mund të lexoni disa prej tyre:

Edi Lesi: “Nuk e di pse kur shoh lajmin e largimit te Shkullakut nga ABC, me kujtohet shfrimi i Rames ne konferencen e fundvitit ndaj gazetarit te ketij televizioni, tek i tha nga froni i pushtetit me te madh ne vend: ju nuk jeni miqte e mi”.

Murat Basha: “Iku dhe Armand Shkullaku.Tani te shohim vetem sport se TV opozitar s’ka me…….”

Naim Noka: “Lavdi zotit qe nuk kane mundesi per te blere rrjetet sociale se vertet media ne Shqiperi po katandiset ne kazan apo sahanmedia!”

Albana Olsi Baze: “Po mire sikur nuk shkon qe ‘u zhgarraviten’ muret e FB me Je suis Hebdo, po Armand Shkullaku jemi ne apo s’jemi? Jo per gje po ky robi sikur na ka ndriçuar ca te verteta dhe i detyrohemi personalisht. #NejemiShkullaku!”

Xhevahir Asllani: “Nje ze i forte i medias. flm Shkullaku uroj qe shume si ti te kemi ne te ardhmen”.

Bergin Shehu: “Ndryshon Kryeredaktori i të vetmit televizion që kishte një linjë editoriale opozitare me qeverinë. Mbase lejet e ndërtimit për kulla në qendër të Tiranës të dhëna ndaj pronarëve të medias kanë dhënë efektin e tyre”.

SHKARKO APP