Arrestet e deputetëve, PD-ja fërkon duart
Historia e akuzave të Tom Doshit duket se nuk do të mbyllet shumë shpejt. Nga akuzues, deputeti i Shkodrës është kthyer në i akuzuar. Pas kreut të Kuvendit, Doshi vuri dje në qendër të sulmeve dhe Prokurorin e Përgjithshëm, Adriatik Llalla lidhur me hetimin. Të hënën pritet që Kuvendi të marrë vendimin mbi kërkesën e prokurorisë për arrestimin e dy deputetëve. Pas kësaj, procesi hyn në një fazë tjetër, atë të gjykimit nga Gjykata e Lartë. Megjithëse është herët për të folur për përfundime, në këto 18 ditë që u zhvillua çështja “Doshi”, veç akuzave pati edhe efekte politike. Bile duket se gjithçka filloi e mbeti në politikë.
Partia Demokratike është forca që ka dalë më e përfituar nga kjo histori. E parë si një sherr brenda mazhorancës, historia e akuzave i ka dhënë më shumë se kurrë argumente selisë blu kundër qeverisë selisë blu. Ato që thonë deputetët e opozitës në konferencat për media, zakonisht merren me rezerva. Ndërsa kur akuzat vijnë nga një deputet i mazhorancës dhe me jo pak rëndësi, siç ishte Tom Doshi, akuzat duken më të besueshme edhe pse siç konfirmoi Prokuroria, ishin të gjitha një sajesë. Një tjetër fitore e Partisë Demokratike në këtë histori është beteja e saj për dekriminalizimin. Deri disa muaj më parë, ky term dukej i huaj. Ndërsa sot kur dy deputetët mund të arrestohen, pavarësisht se akuzohen për kallëzim të rremë, ky zhvillim i shkon më për shtat opozitës dhe tezave të saj për dekriminalizimin e politikës. Një muaj më parë, Kryeministri dhe deputetët e PS-së deklaronin se nuk ka asnjë deputet që të ketë probleme me ligjin. Të hënën, vetë socialistët do të votojnë për arrestimin e dy kolegëve të tyre. Një fitore të tillë mazhoranca ia bëri dhuratë PD-së, atëherë kur ajo as vetë nuk e priste. Dhe është mazhoranca dhe Edi Rama që i përzgjodhën emrat e deputetëve me probleme me ligjin apo si të “fortë” duke lenë jashtë liste intelektualë të përgatitur. Nuk është se vetëm Rama veproi kështu në zgjedhjet parlamentare të fundit, pasi edhe vetë Berisha vendosi nga ky soji deputetësh ,duke djegur emra VIP nga shoqëria shqiptare. Nëse Berisha e pësoi me humbje, Edi Rama ka qeverinë dhe ky soji deputeti don para, don pushtet si dhe kërkon me tepër, nesër synon edhe ministër. Mundet edhe me lart! Ndaj kjo që ndodhi zbuloi një fenomen para shoqërisë shqiptare ,atë që në parlament ka hyrë krimi.
Çështja “Doshi” e ka dëmtuar imazhin e mazhorancës në gati dy vjet qeverisje, ashtu siç nuk do të kishte bërë asnjë skandal tjetër brenda radhëve të saj.Aq shumë e kë dëmtuar PS-në sa edhe po të kishin ndejtur 8 vjet në pushtet Edi Rama dhe PS nuk do të kishin kaq shumë konsum publik. Kryetari i Kuvendit, Kryeministri dhe Ministri i Brendshëm u vunë në syrin e ciklonit me akuza për pagesë vrasësish, takim me killera, fshehje të “fakteve” nga organet e drejtësisë, komplote kundër dy deputetëve të Kuvendit, pra si një bandë mafie në pushtet. Kjo histori e sajuar ,siç thotë Prokuroria, i bëri pis të gjithë duke hedhur dyshime mbi çdo institucion të vendit. Por goditja e tre zyrtarëve kryesorë të mazhorancës, pavarësisht se sajesë, i ka dhënë materiale PD-së për të bërë një luftë edhe më të ashpër politike. Historia mund të mbyllet me dënimin e dy deputetëve si autorë të sajimit,por Meta, Rama dhe Tahiri do të kenë pas tyre gjithmonë akuzat e Doshit, tashmë të vëna në gojën e Bashës, Berishës, Palokës dhe gjithë deputetëve të djathtë. Pak muaj para zgjedhjeve, kjo është dhurata falas që PD-ja mori nga sherret brenda së majtës për propagandën e saj. Dhe vetë e kanë fajin PS dhe Edi Rama.
Duke lënë mënjanë akuzat, që edhe pa rastin “Doshi”, nuk i kanë munguar politikës në Shqipëri, kjo histori ka dhe një tjetër fitore konkrete për PD-në. Arrestimi i Doshit dhe Frrokut, e për pasojë largimi i tyre nga politika, i jep PD-së avantazh elektoral në vota,ndonëse nëse dënohen përsëri në vend të tyre do të vijnë dy emra të tjerë nga lista. Të dy deputetët janë cilësuar si njerëzit e koalicionit të majtë që kanë thyer bastionet e Partisë Demokratike. Tom Doshi prej 10 vjetësh ka fituar në qarkun e Shkodrës për PS-në, duke përmbysur rezultatet elektorale që gjithmonë kanë qenë në favor të Partisë Demokratike. Mark Frroku, në rrethin e Pukës ka arritur gjithashtu që të marrë vota në disa zona që kanë qenë historikisht të djathta. Me arrestimin e tyre dhe largimin nga politika, Partia Demokratike ka një arsye më shumë të “fërkojë duart”. Jo vetëm se shikon sesi socialistët “hanë kokat e njëri-tjetrit”, por po shohin t’u hapen zona dikur të bllokuara për fitoren në zgjedhjet e ardhshme.
Në fakt PD-ja po del e fituar nga kjo betejë mes njeri tjetrit në mazharancë. Por akoma nuk dihet se si do vendos Gjykata e Lartë sepse ka disa çështje të tjera në gjykim për deputetë të PS. Ndaj fajin e ka vetë PS që solli të “fortët” në parlament. Atë që mbolli, po korr !
Qamil Xhani