Rama-Basha dakort për zgjedhjet. Mbyllet çadra. Zgjedhjet me 16 korrik
U deshën tre orë kokë me kokë Basha-Rama që të zgjidhnin atë që nuk e zgjidhën për tre muaj rrjesht me çadër e protesta, dhe ironi ndaj njeri tjetrit.
PS dhe PD kanë arritur më në fund një pakt për të zhvilluar zgjedhje normale.
Ka përfunduar me marrëveshje takimi i gjatë mes Edi Ramës dhe Lulzim Bashës. Ka qenë kreu i PD-së, Lulzim Basha , i cili është shprehur për gazetarët se ka një marrëveshje me Ramën.
Basha u shpreh se marrëveshja do të bëhet e detajuar dhe e qartë në 24 orët e ardhshme. Edhe Rama është shprehur se nuk ka se çfarë të shtojë më shumë. “Kemi një marrëveshje, bazuar te paketa McAllister. Kjo marrëveshje do të detajohet në 24 orët e ardhshme dhe vetëm më pas do të kemi një komunikim publik“, tha kreu i opozitës, Lulzim Basha.
Ndërsa kryeministri Edi Rama tha vetëm: “Jam dakord 100% me kreun e opozitës“.
Takohen prapë paradite Basha-Rama në pallatin e kongreseve
Një tjetër takim është duke u zhvilluar mes kreut të qeverisë Edi Rama dhe atij të opozitës Luzlim Basha.
Takimi vjen një ditë pas arritjes së marrëveshjes ‘së madhe’ që nxori vendin nga kriza politike. Lajmi është konfirmuar nga kreu i Partisë Republikane, Fatmir Mediu. Takimi është duke u zhvilluar në Pallatin e Kongreseve dhe sipas Mediut të dy politikanët shoqërohen me stafet e tyre teknike.
“Është zbardhja e atij diskutimit shumë të gjatë që doli me rezultat pozitiv”, tha Mediu. Gjithçka po shkon drejt zgjidhjes së ngërçit pas shumë negociatash të gjata dhe që përfunduan mesnatën e djeshme. Paketa “McAllester” prej 20 pikash është dakortësuar nga palët dhe tashmë po punohet në nivel teknikësh për të arritur implementimin e saj. Një prej pikave ka të bëjë edhe me shtyrjen e datës së zgjedhjeve që mesa duket është rënë dakord data e propozuara në 16 korrik, kohë e mjaftueshme kjo për opozitën që të marrë pjesë në zgjedhje.
“Gjithçka ka ndryshuar dhe e pamenduara tre muaj më parë, është arritur. Marrëveshja i hap rrugë zgjedhjeve të lira e të ndershme. Nesër (sot) nisim përgatitjet për t’i dhënë shqiptarëve zgjedhje të lira. Ju falënderoj për qëndresën tuaj”, tha kreu i PD-së dje ne perfundim te takimit me Ramen.
Radio gjermane “DW” për marrëveshjen:
Pas një sage të vështirë politike e acarimit të marrëdhënieve mazhorancë-opozitë në muajt e fundit, arrihet një marrëveshje politike mes kryeministrit Rama e kreut të opozitës, Lulzim Basha.
Pas protestash disa mujore të opozitës, e një odiseje politike të pashembullt, ecejakesh diplomatike të ndërkombëtarëve nga europarlamentari Knut Fleckenstein, tek kreu i komisionit të Parlamentit Europian për politikën e jashtme, David McAllicter dhe Ndihmës/Zv. Sekretari i Shtetit, Hoyt Yee më në fund arrihet një marrëveshje politike mes mazhorancës dhe opozitës në Tiranë për paketën e ashtuquajtur McAlliser plus.
Marrëveshja pritet të detajohet në orët në vazhdim të së enjtes, por e rëndësishme është ujdia politike mes kryeministrit, Edi Rama dhe kreut të opozitës, Lulzim Basha. “Marrëveshja i hap rrugë të zgjedhjeve të lira e të ndershme”, është shprehur Basha, ndërsa kryeministri Edi Rama pas takimit në një prononcim të përbashkët për mediat është shprehur “Më lejoni të jem 100% dakord me opozitën.”
Zëri Amerikës: Shqipëri, arrihet marrëveshja për krizën
Në Shqipëri kryeministri Edi Rama dhe kryetari i opozitës Lulzim Basha arritën sot në orët e para të mëngjesit një marrëveshje për t’i dhënë fund krizës politike. Të dy udhëheqësit kryesorë u takuan kokë më kokë në mbrëmje për më shumë se tre orë. Ata dolën së bashku përpara mediave për të njoftuar arrijtjen e kompromisit, por pa dhënë detaje. Zoti Basha tha se marrëveshja ka në bazë të ashtuquajtuarën “Platforma McAllister Plus” e cila iu ofrua si zgjidhje dy ditë më parë nga Zëvendës Ndihmës Sekretari amerikan i Shtetit Hoyt Brian Yee, në përpjekje për të mundësuar përfshirjen e partive opozitare në procesin zgjedhor. Zoti Basha tha se marrëveshja do të detajohet në 24 orët e ardhshme. Zoti Rama nga ana e tij u mjaftua të deklaronte se ishte plotësisht dakort me pohimet e kreut të opozitës. Të dy më pas u ndanë duke shtrënguar duart me një gjest sportiv dhe aspak protokollar, si shenjë e një marrëveshjeje që i kishte kënaqur të dyja palët.
Ndonëse për afro tre muaj këmbënguli për dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama dhe krijimin e një qeverie teknike, opozita pranoi dje një tërheqje, përfshirë dhe nga disa kërkesa të tjera, duke deklaruar se është plotësisht dakort me propozimin e integruar të paraqitur ditën e hënë nga zyrtari i Departamentit amerikan të Shtetit Hoyt Yee. Një propozim i cili përfshinte të ashtuquajturën “Paketa McAllister” si dhe propozimet që më pas kryeministri Edi Rama bëri në dy takimet që ai pati me zotin Basha, ku oferta e shumicës kushtëzohej me përfshirjen e opozitës në komisionet parlamentare që do të duhet të përzgjedhin anëtarët e strukturave të verifikimit të gjyqtarëve dhe prokurorëve.
Siç saktësoi dhe një deklaratë e koalicionit opozitar, përgjigja për zotin Hoyt Yee, duhej të ishte vetëm një ‘PO’ ose një ‘JO’, dhe se çdo propozim shtesë do të konsiderohej refuzim. Opozita deklaron se ka thënë ‘PO’, përfshirë dhe votën për Vettingun. “Duke pranuar propozimin e integruar McAllister Plus të paraqitur nga zoti Hoyt Yee, i cili nuk përfshin shumë nga kërkesat tona thelbësore, opozita ka dëshmuar vullnetin dhe mirëbesimin për të punuar drejt një zgjidhje politike që do t’u garantojë shqiptarëve kushtet minimale për zgjedhje të lira dhe të ndershme me pjesëmarrjen e opozitës”, thekson deklarata e koalicionit opozitar, duke shtuar se “tani është koha që Zoti Rama të thotë ‘PO’, dhe të hapë rrugën për të garantuar së bashku përmes dialogut që ky propozim të jetë plotësisht i zbatueshëm”.
E majta duket se nuk ishte dakort me shtyrjen e datës së zgjedhjeve e cila sipas “Paketës McAllister” mund të jetë 16 korriku. Në një deklaratë të sajën Partia socialiste akuzoi opozitën për “abuzime mediatike në një proces serioz dhe delikat për të kthyer Partinë Demokratike në rrugën e arsyes”, theksohet në tekst, ndërsa më pas shton se PS është angazhuar për arritjen e një rezultatati pozitiv që sipas saj do të thotë “garanci si asnjëherë për opozitën në zgjedhjet e 18 qershorit, në respekt të kushtetutës dhe ligjit”.
Në një letër dërguar kryeministrit, zoti Basha ritheksoi pranimin e propozimit të integruar të paraqitur nga zoti Hoyt Yee dhe i bëri thirrje atij që të konfirmonte publikisht “pranimin pa kushte të propozimit amerikan”. Kryeministri është përgjigjur shkurtimisht përmes një postimi në Twitter, duke i kërkuar kreut të opozitës që të lerë letrat publike dhe të fokusohet te oferta që ka në tryezë.
Por fjala e fundit nuk ishte thënë ende. Ambasadori amerikan Donald Lu pati dje një takim gati dy orësh me zotin Basha, ndërsa menjëherë më pas takoi për afër 20 minuta kryeministrin Rama. Në mbrëmje, me nismën e dy partive opozitare, Partisë Republikane dhe Partisë Agrare Ambientaliste, u mblodh një tryezë e krerëve të forcave politike, ku të pranishëm ishin si kryeministri edhe kreu i opozitës.Takimi zgjati për afër 1 orë, pas të cilit dy drejtuesit kryesorë politik, Rama dhe Basha, vijuan bisedimet kokë më kokë mes tyre, pa dëshmitarë.
Pas daljes nga takimi me Kryeministrin, Lulzim Basha ka mbajtur një fjalim të shkurtër para mbështetësve në çadrën para Kryeministrisë. Basha nuk ka dhënë detaje se çfarë është arritur, por ka thënë se çdo gjë ka ndryshuar nga tre muaj më parë.
“Gjithçka ka ndryshuar. E pa mendueshmja e tre muajve më parë sot është realitet. Nesër nisim përgatitet për tu dhënë shqiptarëve zgjedhje të lira dhe të ndershme dhe për të nisur së bashku rrugën drejt një Shqipërie ku gjithçka do të ndryshojë, asgjë nuk do të jetë më si më parë, bazuar në vullnetin dhe qëndresën tuaj. Zoti e bekoftë Shqipërinë!”,- tha kreu i PD-së në fjalimin e mbajtur në çadrën para Kryeministrisë.
https://www.facebook.com/portali.syri.net/videos/1408214555926496/