Arrogancë qeveritare !
Një takim i Këshillit Kombëtar të Territorit në hotel “Tirana” ku prezantohej projekti i shumëdebatuar për stadiumin e ri të futbollit ka shënuar një përplasje të paprecedentë mes Qeverinë nga njera anë dhe medias e Shoqërisë Civile nga ana tjetër. Takimi ishte lajmëruar dy ditë më parë dhe veç pjesëmarrjes së Kryeministrit, anëtarëve të kabinetit qeveritare dhe arkitektëve të projektit, të ftuar ishin edhe gazetarë dhe përfaqësues të shoqërisë civile. Ftesat ishin për median nga ministrja Eglantina Gjermeni.
Por pavarësisht ftesave, Garda e Republikës dhe rojet private të hotel “Tirana” kanë penguar pjesëmarrjen në takim të përfaqësuesve të shoqërisë civile dhe gazetarëve Fatos Lubonja, Andi Bushati dhe Ylli Rakipi. Gjatë kohës që kryeministri Edi Rama fliste për risitë e projektit të ri, rojet private dhe Garda janë përplasur me shoqërinë civile dhe gazetarët, me argumentin se ndodheshin në një pronë private dhe nuk mund të hynin brenda. Si përfundim aktivistët dhe gazetarët që njihen si kundërshtarë të projektit nuk u lejuan të hyjnë brenda, duke përdorur edhe dhunën verbale dhe praninë fizike të forcave të rendit. Ndërsa projekti u diskutua në mënyrë “të hapur” nga Kryeministri, ministrat e tij, studioja e zgjedhur po nga qeveria për dhe pa asnjë zë kundër. Mund të pranohet prania e rojeve private, por Garda pse ndërhyri? Pse nuk lejuan median dhe ata që ishin ftuar të hynin brenda? Pse kjo mënyrë sjellje apo pse analistët e pranishëm nuk i dëshironte kryeministri? Një gabim fatal dje i qeverisë dhe sidomos i kryeministrit Rama. Edhe nëse në fillim nuk ka patur dijeni se po përplaseshin me Gardën gazetarët ( po marrim variantin sikur nuk e dinte!) përsëri ai është kryeministër që e lajmërojnë edhe kur kalon një mizë në sheshin “Skenderbej”. Duhej t’i lejonte të hynin, bile fitonte me shumë pikë nëse dilte edhe vetë e ftonte të debatonin. Por nuk e bëri! Përkundrazi.
Për gjithë gjullurdinë që ndodhi vetëm pak metra nga vendi ku ishte ulur Rama, kryeministri fillimisht reagoi teksa ikte te shkallet e hotelit, duke u thënë protestuesve, “merrni votat dhe pastaj kërkoni stadium!”. Ndërsa më pas, në një sqarim të gjatë në Facebook tha se gazetarët luajtën teatër. Sipas tij, nuk ishin të ftuar dhe takimi nuk ishte dëgjesë publike, por mbledhja e Këshillit Kombëtar të Territorit. Shkurt, sipas kreut të qeverisë, gazetarët dhe shoqëria civile ishin të paftuar dhe po kërkonin forcërisht të hynin në një takim qeveritar. Por nga ministria e Territorit kishin mbërritur ftesat një ditë me parë. As këtë nuk e dinte Rama?!
E thënë në këtë mënyrë, duket sikur gazetarët e njohur janë disa sherrxhinj të rëndomtë që janë organizuar për t’u përballur me Gardën dhe rojet private, me qëllimin e vetëm për t’i prishur takimin Kryeministrit. Këto sajesa, jo fort normale, i rrëzojnë vetë gazetarët. Një pjesë e tyre kishin ftesa të shpëndarara me SMS dhe në mënyrë elektronike nga kabineti qeveritar për të qenë pjesë e takimit ku diskutohej projekti. Ndalimi që ju bë dje nga Garda ishte as më shumë as më pak dëshmi e një arrogante skandaloze qeveritare.
Arrogancë sepse në mënyrë të padrejtë dje ju hoq e drejta e fjalës atyre që nuk janë dakord me projektin që do të ndërtohet në qendër të qytetit. Është më minimalja në një shoqëri normale, që edhe ata që janë kundër të dëgjohen dhe të respektohen për vërenjtet që kanë. Aq me tepër se janë edhe gazetarë të njohur në Shqipëri. Dje pamë se jo vetëm nuk u dëgjuan, por edhe u dhunuan nga rojet personale të kryeministrit, dhe të refuzosh në këtë mënyrë mendimet kundër është kulmi i arrogancës qeveritare. Por edhe sikur të shkonin për të qenë prezent për shkrim apo analizë ata dhe kushdo nga media ka të drejtë të jetë aty. Aq më tepër që kishin dhe ftesa.
Qytetarët panë dhe një standard të shqetësues të sjelljes së pushtetit me median kritike. Lubonja, Bushati, Rakipi, Gjergj Bojaxhi etj, kanë një autoritet personal dhe profesional në këtë shoqëri. Përfaqësojnë një pjesë të rëndësishëm, të medias dhe shoqërisë civile. Kur këta njerëz trajtohen dhe nxirren jashtë nga një aktivitet, gati për zhelesh, pa minimumin e respektit, cili është mesazhi që marrin qytetarët? Dhe janë njerëz që nuk mund t’i akuzosh siç ndodhte para disa javësh tek Parku i Liqenit që janë paguar nga Partia Demokratike. Kur tentohet të mos lejohen të flasin këta, sa garanci kanë qytetarët e thjeshtë se do t’u dëgjohet zëri. Edi Rama apo këshilltarët e tij, me qëndrimin e djeshëm i dhanë një goditje imazhit të qeverisë që erdhi në pushtet për të dëgjuar çdo zë kundër. Kur nuk dëgjohet media dhe shoqëria civile, çfarë vlere kanë dhe takimet e “hapura” për diskutimin e projekteve.
Por në një intervistë për “Vizion Plus”, Edi Rama mbrëmë u shpreh: “Nesër mund të tentojnë të hyjnë me zor në mbledhjen e qeverisë dhe të ankohen për censurë. Ju e dini shumë mirë, nuk mjafton të jesh gazetar, që të çash dyer dhe të futesh ku do ti”.
Alban Spiteni