Artur Zheji i shqetësuar:Me kë shkoi Rama në Paris

Drejtori i gazetës Mapo, Artur Zheji në një editorial të numrit të sotëm, e ka parë paraqitjen e Shqipërisë në Paris (të kryeministrit Rama dhe katër klerikëve) si diçka pozitive, por me një cen të vogël gjithsesi. Për Zhejin, ishte shqetësues fakti që një ceremoni me simbolikë bashkimin, shqiptarët përfaqësoheshin nga vetëm një parti. "Pamja e Kryeministrit shqiptar… me të 4 klerikët shqiptarë në Paris ishte trendy", shkruan Zheji dhe shton: "Mirëpo “shqiptaria” e shqiptarëve në Paris, përveç klerikëve, ishte e përfaqësuar vetëm nga Partia Socialiste, ose siç thuhet në këto raste nga protokolli i nxituar i partisë më të madhe numerike të Qeverisë.

Në terrin e informacionit mbi përgatitjen protokollare të kësaj “Dërgate” simbolike në Paris, gjykuar nga sa u pa, në mediat tona përshkruese, asnjë parti tjetër shqiptare, apo ndonjë personalitet jashtë politik, përtej së majtës dhe së djathtës, nuk ishte në Paris".

Dhe duke përdorur termin "partia më e madhe numerike e Qeverisë" Zheji lë të nënkuptohet se LSI është përjashtuar nga pjesmarrja në këtë protokoll. Zheji madje është indirekt kritik edhe ndaj mediave, që nuk e kanë vënë re këtë fakt, duke i cilësuar "media përshkruese".

"Pesë Musketierët shqiptarë në Francë, Kryeministër në mes dhe katër klerikë në krahë të tij. Pamje e hirshme për botën, por e diskutueshme për kasabanë tonë të 1001 hileve. Apo po e bëjmë “qimen tra”? Ndoshta. Po më mirë “qimen tra”, se sa “traun qime”?!…, përfundon Zheji editorialin e tij.

SHKARKO APP