Ata që mbështetën PD në sulmin ndaj mediave
Nga Enton Abilekaj.
Një reagim i pavend i Partisë Demokratike për një shënim të botuar në “Panorama online” dhe më pas në “Balkanweb”, u kalua në heshtje nga drejtuesit e dy mediave, që në fakt janë më të mëdhatë online. Me siguri për shkak të peshës që kanë, është detyruar të reagojë në mënyrë emotive kryetari i Partisë Demokratike. Sigurisht që do ta kaloja me sportivitet reagimin e Bashës dhe PDsë, nëse nuk do të pasohej nga gëzimi i disa mediave, që duke i shërbyer zotëriut më me pushtet, nxituan të na fusnin në këtë thes, por veçanërisht nga një analizë e Andi Bushatit, që e respektoj si një nga shumë pak zërat e lirë në vend. Prandaj mendova që nuk duhej kaluar pa një sqarim, që nuk u takon vetëm mediave që u përfshinë, pronarëve dhe gazetarëve që punojnë në to, ku hyj edhe unë, por të gjithë situatës mediatike në vend. Si fillim dua të them se analiza e Bushatit ngjan me ato të mediave në shërbim, për bazën e pavërtetë të fakteve. Duket edhe në komentet e lexuesve në “Balkanweb” dhe “Panorama online”, që lexuesit i akuzojnë sipas përkatësisë së tyre, të majtët për të djathtë dhe anasjelltas. Lajmet që nuk i pëlqejnë qeverisë janë më shumë se ato që nuk i pëlqejnë opozitës, një normalitet që nuk tregon anësi, duke qenë se shoqëria prodhon pakënaqësi ndaj qeverisjes dhe si rrjedhim, lajmet që dominojnë janë kritike ndaj saj. Prandaj baza e të dhënave nga janë ngritur analizat është e pasaktë. Dhe për më tepër, shënimi që shqetësoi aq shumë Bashën, pavarësisht detajeve, ishte i këndshëm, nuk kishte tendencën për të zbehur qëllimin e vërtetë të deklaratës së opozitës, por të ngacmonte plagën e mosmarrëveshjeve, që PD nuk mund ta fshehë. Qëllimi i opozitës ishte të tregonte se të ardhurat e muajit korrik ishin skandaloze dhe kjo u përcoll besnikërisht nga të dyja mediat. Opozita u shqetësua për detajet që kërkon t’i fshehë dhe për ta bërë këtë, gjeti një detaj me të cilin më shumë armatosi mediat e maxhorancës dhe akuzoi mediat dhe gazetarë që luftojnë çdo ditë për hapësira të lira. Ndërsa Bushati e ka zgjedhur këtë për të ushtruar gjuetinë mbi mediat dhe gazetarët, sport që e ushtron gjithmonë e më shpesh, pa menduar për pasojat që lidhen me situatën mediatike në Shqipëri, që është vërtetë e vështirë. Në këtë pikë bashkohen të gjithë, edhe shkaktarët, edhe viktimat, edhe politikanët, edhe pronarët e mediave, edhe gazetarët dhe lexuesit. Sëmundja nisi kur mediat dhe politika u përzjenë me njëratjetrën. Si fillim të kësaj, Bushati quan periudhën 19992001, kur dyshja MetaRama, kryeministërministër dhe më pas kryetar bashkie, filloi fuzionin e pushteteve për të shtuar dhe për të kontrolluar shoqërinë dhe politikën në kohë sa më të gjatë. Kjo është në fakt baza e nisjes së shndërrimit të medias në derivat të politikës, por kështu filloi edhe biznesi të shndërrohet në derivate të politikës dhe më pas në pjesë të saj me përqindje që rriten proporcionalisht. Përballë kësaj pati dy lloje reagimesh të gazetarëve: një pjesë u bënë partizanë të fuzionit magjik, ndërsa një pjesë rezistoi, luftoi dhe vazhdon të luftojë. Bushati është ndër më të spikaturit në këtë luftë, por duke ua mohuar përpjekjet kolegëve të tij. Duke akuzuar majtas dhe djathtas media dhe gazetarë, me dhe pa të drejtë, ai krijon një përçarje të dëmshme mes gazetarëve, dobëson ambientin e medias dhe e bën më vulnerabël ndaj ndërhyrësve. Sigurisht që media është e sëmurë, por në asnjë rast më e sëmurë se shoqëria, sigurisht që gazetarët e sponsorizuar ndërsehen për të manipuluar audiencën, por duke i përgjithësuar mohohet përpjekja e dhjetëra gazetarëve të tjerë që përpiqen për të vërtetën. Personalisht nisem nga parimi që të mos mbaj asnjëherë anën e politikanëve, të çdo krahu kur përplasen me mediat apo gazetarët. Kam zgjedhur të mos mbaj asnjëherë anën e maxhorancës në raport me opozitën, duke qenë se përgjegjësitë i ka kryesisht maxhoranca dhe brenda një koalicioni i ka partia më e madhe, jo partia më e vogël. Pra, që të mos dëmtohet më shumë ambienti, duhet sqaruar konkretisht që shënimi i botuar në dy mediat e mëdha nuk ishte kundër opozitës, ashtu si mediat që akuzohen nuk janë mercenare, përderisa kanë lexueshmërinë më të madhe në treg. Janë zgjedhja e parë e lexuesit se kanë ditur të ruajnë ekuilibrin, pavarësisht presioneve politike. Kjo është përgjigja e lexuesit për to, ashtu siç është përgjigja për mediat e tjera, që gjetën rastin të sulmojnë dhe që kurrë nuk kanë qenë pjesë e sulmeve nga kolegët e “Balkanweb” apo “Panorama online.
Ndryshe nga sulmet prej mediave në shërbim, ai i Bushatit niset nga një shqetësim i vërtetë për situatën e mediave, por mbyllet me një konstatim që uroj të mos jetë qëllimi i shkrimit. Ndikimi ose jo i mediave te publiku varet në radhë të parë nga numri i lexuesve apo shikuesve. Nuk mund ta besojë kush se mediat me audiencë më të madhe nuk kanë ndikim më të madh. Disa media e kanë ndikimin si mision pas informimit, disa të tjera e kanë përpara. Një sëmundje tjetër kjo, që duket se e ka zënë Bushatin.