Azil për Xhisielën që ta shpëtojmë
Xhisiela Maloku me intervistat e dhëna në “Top Channel” dhe “Tv Klan” ka arritur të ndryshojë dëshminë e saj, por jo qëndrimin e opinionit publik për atë që ka ndodhur. Nëse qëllimi i daljeve të njëpasnjëshme në televizione ishte të zbehte zhurmën që ka krijuar skandalii ku janë të përfshirë oficerë policie, prokurorë dhe deputetë të mazhorancës, në fakt bëri të kundërtën. Me deklaratat e saj kontradiktore në dy intervista vajza tregoi se është ende nën kërcënim nga të njëjtët persona. Një kërcënim që këtë herë ka kaluar çdo imagjinatë duke e detyruar viktimën të mbrojë dhuniesin e saj dhe indirekt mbrojtësit politikë të tij. Ajo që ndodhi të hënën ishte një operacion politiko-mediatik që synonte të pështjellonte opinionin dhe të ndalte rrëmujën politike që shkakton një skandal i përmasave të tilla. Megjithatë Xhisiela Maloku nuk bindi askënd kur tha se djali i deputetit nuk e kishte rrahur dhe se shenjat në trup i kishte nga aksidenti, apo cigaret e shuara i kishte bërë me dëshirë në trupin e saj! Aq më tepër nuk bindi kur nga të gjitha fjalët që ka deklaruar në polici, nuk ishte e shqetësuar për dhunën, por si të nxirrte të pafajshëm deputetin dhe zyrtarët e Partisë Socialiste.
Kulmi arriti edhe dje, kur gjatë kohës që zhvillohej seanca ndaj të akuzuarit si dhunues të saj, Rexhep Rrahja, Xhisiela Maloku e quante në rrjetet sociale prangosjen e tij si arrestim politik! Ndërkohë që vet Rexhep Rrahja në të vetmin prononcim që ka dhënë para medias, që kur nisi kjo histori, nuk foli për ndjesë por deklaroi se “Lulzim Basha ta provojë në votime”. Kaq qartë politikisht për këtë që ka ndodhur nuk ka folur as vet deputeti Rrahman Rraja, madje as zyrtarët e tjerë të PS. Në të vertetë babai i tij deputeti Rraja është deklaruar me kujdes kur duke mbrojtur djalin, prapë tha se ia lemë drejtësisë. Edhe ai u tregu i zgjuar duke mos dalë hapur, ndërsa kupola e PS-së është turrur hapur e me vrap për ta mbyllur këtë histori. Nuk kanë hallin e djalit të deputetit, porse hapja e kutisë së Pandorës nxjerr përfshirjen e deputetëve të tjerë të PS-së në këtë kapakmbyllje.
Prokuroria është akuzuar se nuk ka vepruar korrekt në këtë rast, por në procesin e djeshëm gjyqësor sikur të verifikohej qoftë edhe një pjesë e deklaratës së vajzës se ajo ishte tallur me denoncimet, djali i deputetit nuk do të mbahej më në burg. Dhe kjo nuk thuhet vetëm nga mediat në Tiranë, që zakonisht etiketohen si të pozicionuara. “Zëri i Amerikës” raportonte dje se dëshmia e dhënë nga vajza në dy televizione tregonte se ndjehej ende e frikësuar. “Pohimet e saj (në dy televizionet) duket se konfirmojnë pikërisht frikën që ajo ka nga i riu, sepse përtej përshkrimeve apo deklaratave, akti i ekspertizës ligjore nuk lë shteg për dyshime. Ky akt tregon se ajo ka patur shenja dhunë në shpatulla dhe djegie me cigare në kofshë. Ekspertiza mjeko-ligjore nuk lë asnjë hapësirë për interpretime të tjera, duke qenë se bëhet fjalë për një akt shkencor, ku nuk mund të gabohet në vlerësimin e një shenje të freskët dhune me atë të disa kohëve më parë”,- raportonte dje “Zëri i Amerikës”.
Skandali i dhunës ndaj Xhisiela Maloku dhe përfshirja e deputetëve të PS në këtë ngjarje mund të mos zbardhet asnjëherë e plotë. Përfshirja në mënyrë të partiake e institucioneve në hetimin e kësaj ngjarje vetëm sa e ka bërë edhe më të pashpjegueshme atë që ka ndodhur. Një variant që është hedhur dje në mënyrë jo zyrtare nga opozita është që vajzës t’i jepet azil në një nga shtetet e Bashkimit Europian. Zëdhënësja e PD, Ina Zhupa, jo në cilësinë e një përfaqësuese politike, por si qytetare, i ka kërkuar Ambasadorit të BE në Tiranë, Luigi Soreca që të afrojë garanci për Xhisiela Maloku duke e larguar nga Shqipëria dhe duke i ofruar një vend ku të jetë e sigurt për vetë dhe familjen e saj. Një variant i tillë shihet se e vetmja mënyrë që vajza mund të flasë lirisht të të tregojë versionin e vërtetë të asaj që i ka ndodhur. Është një mënyrë që jo vetëm e shpëton vajzën nga hakmarrja, por e largon nga dhunimi i fundit dhe më i rëndi që po i bëhet duke dalë në mbrojtje të dhunuesit të saj.
Kjo është zgjidhja më e mirë duke parë se si ecin punët në Shqipëri e ku mazhoranca ka uzurpuar çdo institucion. Strehim politik në BE prej Brukselit.
Qamil Xhani